Një lëvizje e turpshme e Ramës, i cili ka detyruar Avokatin e Popullit që të propozojë Sekretarin e vet në Ministrinë e Arsimit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo është një farsë e turpshme e lojës me të ashtuquajturit të pavarur të Ramës. Plarent Ndreca, i cili aktualisht është në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit është propozuar të jetë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një institucion i krijuar me Reformën e re në Drejtësi. Po kush është Plarent Ndreca? Ndreca nën siglën e të ashtuquajturës Shoqëri Civile, ndërsa është një militant i së majtës në pushtet. Ndreca ka qenë në listat për deputetë të grupit G99 që në atë kohë drejtohej nga Veliaj. Dokumentat që paraqiten konfirmojnë këtë. Ai është angazhuar në detyrën e lartë në Ministrinë e Arsimit pas kontributit të dhënë në mbështetje të Ramës në zgjedhjet e vitit 2015. Për më shumë, Ndreca është një njeri me probleme dhe i denoncuar për afera korruptive nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në Prokurori tre drejtues të lartë në Ministrinë e Arsimit me argumentin se i kanë shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 108 milionë lekësh. Sekretari i Përgjithshëm, Plarent Ndreca, Drejtori Juridik dhe Përgjegjësi i Sektorit të Financave akuzohen për devijim të fondeve publike dhe ndjekjen e procedurave diskriminuese në prokurime. Pas një auditimi një vjeçar për periudhën shtator 2013-dhjetor 2014, KLSH ka konstatuar shkelje në procedurat e prokurimit të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në masën 108 milionë lekë. Sakaq, sipas KLSH, zyrtarët e MAS kanë bllokuar dhe kuotat për doktoraturat në universitetin publik, duke sjellë orientimin e fondeve vetëm në një universitet privat. Universiteti privat që ka përfituar mbi 610 milionë lekë direkt nga bllokimi i doktoraturave për publikun është Universiteti Europian i Tiranës, të cilin e administron Henri Çili.
Abuzimi me tenderat
KLSH ka vërejtur gjithashtu mangësi dhe shkelje të rëndësishme të konsiderueshme në procedurat e prokurimeve publike, duke veçuar procedurën e prokurimit të zhvilluar me objekt “Ndërtimi i objektit “Tirana Olimpik Park”. Kështu nga auditimi është konstatuar se MAS ka dërguar në qeveri projektvendimin “Për miratimin e fondit limit për kompleksin sportiv Tirana Olimpik Park” së bashku me relacionin shpjegues dhe me VKM Nr. 560, datë 29.08.2014 “Për miratimin e preventivit paraprak për kompleksin sportiv “Tirana Olimpik Park”, është bërë miratimi i preventivit paraprak për efekt të llogaritjes së fondit limit. Sipas KLSH është prokuruar projekti i hartuar nga një shoqëri, që nuk rezulton të jetë kontraktuar nga Autoriteti Kontraktor apo njësitë e varësisë për kryerjen e këtij shërbimi. KLSH ka gjetur po ashtu se kriteret e veçanta të kualifikimit janë diskriminuese dhe të hartuara nga një grup pune që nuk është ngarkuar për kryerjen e këtij shërbimi dhe janë miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MAS, në kundërshtim me Ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 1, pika 2 dhe nenin 20, pika 1.
Në vlerësimin e ofertave këtu konstatohet se kanë marrë pjesë 8 operatorë ekonomik, nga të cilët KVO ka skualifikuar 7 prej tyre dhe ka kualifikuar operatorin ekonomik me ofertën ekonomike më të lartë (99.2% e fondit limit). Burimet zyrtare nga KLSH thonë se, janë skualifikuar padrejtësisht 2 nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, me ofertë ekonomike më të ulët se oferta e operatorit fitues. Si pasojë e shkeljeve të mësipërme, është shkaktuar 78,745,737 lekë ose 562,000 euro dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Po kështu, nga vlerësimi i ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje mobilierie për shkollat e sistemit arsimor pasuniversitar”, KLSH ka konstatuar se kanë marrë pjesë 8 operatorë ekonomikë, nga të cilët janë skualifikuar 5 dhe janë kualifikuar 3 operatorë ekonomikë. “Pas ankesës në Autoritetin Kontraktor të një operatori ekonomik të skualifikuar, është rrëzuar ankesa dhe është bërë rivlerësim i procedurës.
Ky operator ka bërë ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), i cili e ka pranuar këtë ankesë dhe ka marrë vendim për shpalljen fitues të këtij operatori. Edhe pas këtij vendimi, në përgjigje të ankesës së paraqitur në Autoritetin Kontraktor të një operatori tjetër ekonomik, zyrtari i autorizuar rekomandon pranimin e ankesës dhe lidhjen e kontratës, në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, bënë me dije burimet zyrtare pranë KLSH, sipas të cilave, si pasojë e kësaj shkeljeje është shkaktuar 29,275,390 lekë ose 209,000 euro dëm ekonomik në buxhetin e shtetit.
Ndreca, avokat i Elvis Roshit
Plarent Ndreca, të vetmen eksperiencë pune shtetërore ka atë si oficer Policie, në fillim si oficer i Policisë Elektrike dhe më pas si oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës. Në 2007, fill pas hapjes së Universitetit të Henri Çilit, z. Ndreca shkoi të merrte një master atje. Mund të imagjinohet se çfarë niveli kishin masterat e Çilit, veçanërisht në atë kohë.
Pas largimit nga Policia, Ndreca punoi si avokat penalist. Ai ka qenë avokati i babait të ministrit të sotëm të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, në çështjen e kontrabandës së ilaçeve. Avokat i Elvis Roshit, kryebashkiaku i Kavajës i akuzuar si i dënuar për trafik droge në Zvicër dhe për përdhunim në Itali. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Arsimit, ka bërë njëkohësisht me këtë detyrë edhe atë të avokatit të kriminelëve.
Një oficer policie, i cili ka punuar për disa kohë si avokat penalist, qoftë edhe me diplomë juristi në Universitetin e Çilit, nuk mund të quhet ekspert. Për këtë duhet një jurist që të jetë ekspert i fushës. Po ashtu ish-polici Ndreca ka bërë avokatin mediatik të qeverisë për reformën arsimore.