Deputeti Asllan Dogjani, është paraqitur në GJKKO, për të marrë pjesë në seancën paraprake, ku do vendoset për kalimin ose jo për gjykim të dosjes në ngarkim të tij.
Dogjani i cili akuzohet për fshehje pasurie, para hyrjes në ambientet e gjykatës së Posaçme ka thënë para gazetarëve se pret drejtësi.
Sipas SPAK, Dogjani ka bërë deklarim të rremë për përfitimin e një apartamenti.
Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, thotë SPAK.
Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme bën me dije se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.
“Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, thotë SPAK.