I përjashtuar pa “ceremoni” nga partia dhe me 4 akuza mbi shpinë, a po e kërcënon Veliaj SPAK-un me flamurin e PS-së?

Kolegët e tij në Prokurorinë e Posaçme kanë vazhduar veprimet hetimore ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, të dy të dyshuar si pjesë e një skeme të pastrimit të parave të korrupsionit.

Të martën, më 14 janar, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle të befasishme në një apartament që përdorej nga Ajola Xoxa në funksion të kompanisë së saj “Harabel”.

Pas thirrjes së fundit në prokurori kur mësoi për denoncimin e Nesti Angonit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj e krahasoi punën e prokurorëve të SPAK me atë të sigurimit në diktaturë, duke i akuzuar se kanë përdorur presione dhe frikësim për t’i detyruar të dëshmojnë kundër vetes.

Ndërkaq një ditë pas këtij operacioni te banesa e fshehtë deri në atë moment që përflitet se u zbulua nga zbërthimi i telefonit celular që iu sekuestrua Ajola Xoxës në kontrollin e pak javëve më parë tek “Harabeli”, të mërkurën e 15 janarit bashkëdrejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj në takimin e Kuvendit Rinor të Tiranës, deklaroi se do të punojë edhe më fuqishëm për fitoren e PS-së dhe Edi Ramës në zgjedhjet e 11 Majit.

Por përtej vetë-ofrimit të socialistit të katapultuar me mik në PS, Veliaj bëri dhe një deklaratë që u lexua më shumë si një kërcënim ndaj sistemit të drejtësisë dhe atyre prokurorëve që kanë futur “Harabelin” në kafazin e hetimeve ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Dhe ajo që la shije të hidhur në atë fjalim të sforcuar të socialistit “G 99”, ishte mburoja e hallit të tij nën kësulën e Partisë Socialiste, ku hetimet ndaj tij i barazoi si sulme ndaj partisë duke thënë se PS nuk dorëzohet kurrë përballë forcave të liga, që nuk kanë bërë asnjë punë.

I vetëdijshëm tashmë që ai është “de facto” i përjashtuar nga drejtimi i socialistëve të Tiranës, pas prurjeve të Blendi Goxhes në Tiranë dhe Pandeli Majkos në Kavajë (Qarku Tiranë), të cilët i janë bashkëngjitur Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliutm Erion Veliaj e ul aq shumë pazarin sa tenton ta shesë veten si një socialist i thjeshtë, edhe pse këta të fundit rezultojnë në sondazhet e vetë selisë rozë që nuk e duan atë.

Takimi i fundit politik duket se i shërbeu Veliajt edhe si një formë “shantazhi” për Ramën, duke nënkuptuar që vetëm falë tij PS-ja mund të fitojë në Tiranë.

“Nuk ka gjë në botë të më ndalojë të jem aktivisti më shembullor për fitoren e PS në 11 maj. Do të punoj me gjithë energjinë dhe forcën time, me të gjitha orët e ditës sime dhe pasionin tim, sepse Tirana ka nevojë për Edi Ramën dhe PS. Tirana ka nevojë të shkojë edhe më lart, edhe më fort, edhe më shpejt”, tha ai, teksa shtoi se nuk ka asgjë që e ndalon PS-në për të arritur një super-fitore në 11 maj./OraNews

Exit mobile version