Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pak pas mesnatës s kaluar në Sarandë dhe policia e ka mbajtur të fshehur, duke e bërë publike, 12 orë më pas, pikërisht pak pas mesditës së sotme. Policia e cila për arrestime personash, për plagosje e vrasje të kryera muaj e vite më parë, nxiton dhe informon menjëherë, për plagosje të ndodhura “në rrethana të paqarta”, e “maskon” dhe e vonon informacionin në komunikatën e përditshme të saj.
Ngjarja ka ndodhur, rreth orës 02:32, në lagjen nr. 1, ku sipas Policisë, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi A. L., vjeç 38, banues në Vlorë, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Komisariati i Policisë Sarandë
Më datë 14. 08. 2018, rreth orës 02:32, në lagjen nr. 1, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi A. L., vjeç 38, banues në Vlorë, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.