I sëmuri mendor vrau gruan pasi iu hoq Kempi nga qeveria

Zbardhen të tjera detaje për vrasjen para katër ditësh në Ndroq të Tiranës. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se autori i vrasjes së gruas së tij dhe plagosjes së kunatës të shtunën në Ndroq, e ka kryer krimin, pasi nuk merrte ilaçet e depresionit në shenjë revolte pse i ishte hequr Kempi padrejtësisht nga qeveria. “Refuzimi i medikamenteve kundër depresionit, të cilat ai i kishte ndërprerë prej dy muajsh, dyshohet të ketë qenë arsyeja që e shtyu 56-vjeçarin të qëllonte me çifte bashkëshorten 41 vjeçe, Fize Lila”, bënë të ditur burime nga organi i akuzës.
Edhe motra e tij, Myhyrije Lata ka deklaruar për mediat se krimi i rëndë që kreu vëllai i saj, është pasojë e ndërprerjes së Kempit. Sipas saj, duke qenë se i ishte ndërprerë Kempi, ai prej dy muajsh nuk pranonte të pinte ilaçet dhe për këtë arsye, gjendja e tij u përkeqësua më shumë.  “Vëllait nuk po i jepnin më Kempin dhe ai për këtë arsye nuk i merrte më as ilaçet. Nuk pranonte të merrte ilaçe dhe gjendja e tij filloi të përkeqësohej më shumë. Pastaj bëri atë që bëri. Përgjegjësinë e kësaj ngjarjeje që ndodhi në familjen e vëllezërve të mi, le ta mbajnë ata që i mohuan Kempin vëllait tim. Për 80-90 mijë lekë të vjetra në muaj që ia mohuan, ai arriti deri në këtë pikë, sa vrau gruan e tij. Sepse, sipas tij, derisa nuk i jepnin Kempin, do të thoshte se nuk kishte nevojë për ilaçe. Në fakt, ilaçet ai i kishte të domosdoshme, por thjesht personat përgjegjës nuk i jepnin më Kempin dhe kaq. Arsyen pse ia refuzonin nuk e dimë, e dinë ata. Vëllai im, të dy vëllezërit, ngelën gjithë këto kohë duke plotësuar dokument pas dokumenti, sa në Ndroq, sa në Tiranë dhe kot, asgjë”, deklaroi e motra e autorit të krimit.
Pas ngjarjes, autori Kasëm Lila ka tentuar që të vetëvritet, por është arrestuar nga policia. Banorët e zonës janë shprehur se, Kasëm Lila kishte probleme mendore, sipas tyre ai është operuar dy herë. Ata deklarojnë se një ngjarje e tillë ishte e paralajmëruar. Kasëm Lila rezultonte i skeduar në regjistrat e policisë për probleme të herëpashershme mendore, megjithatë nuk ka pasur urdhër mbrojtjeje për Afize Lilën. Krimi ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy vëllezërve, por ndërhyrja e bashkëshorteve të tyre, të cilat ishin edhe motra njëkohësisht ka rezultuar fatale, pasi Kasëm Lila ka qëlluar me çifte në drejtim të tyre.
Vrasësi qan në Gjykatë: “Zoti gjykatës, kë kam vrarë”?
56-vjeçari Lila që vrau bashkëshorten doli dje para trupit gjykues i pavetëdijshëm për atë që kishte ndodhur. “Zoti gjykatës, ju lutem më shpjegoni pak, kë kam vrarë, gruan apo dikë tjetër, pasi nuk mbaj mend asgjë ç’ka ndodhur dhe isha i tronditur”, tha Kasëm Lila. Pasi gjykatësi i shpjegoi vrasjen e bashkëshortes dhe plagosjen e kunatës, i pandehuri u ul në karrike dhe duke qarë është shprehur i penduar.
Në përfundim të seancës, gjykata caktoi për Lilën masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve, ndërsa ai rrezikon dënimin maksimal burg përjetë për vrasjen e bashkëshortes dhe armëmbajtjen pa leje. Lila u prangos 2 ditë më parë nga Policia e Tiranës, pasi me një armë gjahu ai vrau gruan e tij Afize Lila dhe plagosi kunatën, e cila është jashtë rrezikut për jetën. Krimi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, pas një konflikti të çastit mes dy vëllezërve.

R.POLISI

Exit mobile version