I shoqëruar nga avokati, Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet sërish për t’u marrë në pyetje në SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka shkuar sërish në SPAK për t’u marrë në pyetje për koncesionin e sterilizimit.

Ai ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 09:10. Ish-zyrtari i lartë është nën hetim për koncesionin me vlerë 100 mln euro të sterilizimit.

Ilir Beqaj u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme edhe në datën 9 Janar, ku u mor në pyetje nga hetuesit për rreth 9 orë.

Pas daljes nga SPAK, të martën, ai u shpreh: “Besoj se hetimet janë ende shumë të ngushta është e domosdoshme që ato të shtrihen në dy pjesë. Së pari nga marsi 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse dy vjet e gjysmë u mbaj ai central dhe nuk u vu në punë, por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit nga zbatimi i kësaj kontrate.

Sot po ashtu m’u konfirmua se do të kem së shpejti ato sende që mu sekuestruan më  28 dhjetor por që lidhen me vazhdimin e hetimit për sterilizimin. Dy dokumentet e një udhëtimi jashtë shtetit që sot i mora dhe faktin që pasi të përfundojnë këto inspektimet e pajisjeve elektronike do të më kthehen.

Sot u sqarua edhe fakti që gazi dhe aneksi 8 që kanë qenë në gojën tuaj nga 28 dhjetori deri më sot kanë lidhje me sterilizimin dhe jo me çështjen tjetër”.

Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterizilimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.

Çfarë është kontrata e sterilizimit

Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.

Ajo është një prej katër projekteve të PPP nne mbështetje buxhetore në shëndetësi që e ka zanafillën në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Sipas të dhënave të publikuar nga BIRN pak kohë më parë rezulton se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Elektrobisturia është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë (me TVSH) për çdo ndërhyrje.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit, dhe ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara.

Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

Si nisën hetimet

I pari që u mor në pyetje nga prokurorët ishte anëtari e Komisionit të Koncesionit, Saimir Kadiu, si dhe më pas anëtarët e Komisionit të Tenderit. Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK edhe ishte nën hetim prej 3 vitesh.

Kallëzimi u bë nga përfaqësues të Nismës Thurje, të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit.

Ata kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve duke nisur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me buxhetin e shtetit.

Exit mobile version