Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacion “Summer” të regjistruar një ditë më parë ku u shpall në kërkim drejtori i shkollës artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit, Dashamir Mehmeti. 41-vjeçari është një prej tre personave që nuk u arrestua dot gjatë operacionit pasi ai nuk u gjet në banesë kur policia shkoi ta arrestonte për të ekzekutuar vendimin e gjykatës.
Në dosjen e siguruar nga Top Channel shkruhet se në momentin që shërbimet e policisë kanë shkuar në banesën e Dashamir Mehmetit, ai ndodhej në oborr dhe sapo ka parë punonjësit e policisë është larguar me vrap duke kaluar avllinë e banesës në drejtim të banesave të tjera në lagje duke humbur nga sytë e policisë.
Gjykata e Durrësit ka lënë në “arrest në burg” 4 nga të arrestuarit, 7 në “arrest shtëpie” dhe 4 të tjerët në “Detyrim paraqitjeje”, të akuzuar trafik lëndësh narkotike.
Arrest në burg
Xhuliano Xhaferi
Mehmet Meta
Zamir Hoxha
Klodian Sehiti
Arrest në shtëpi
Durim Meta
Florian Demiri
Flamur Tare
Sadik Lako
Rustem Kolgjini
Mariglen Lisi
Saimir Sina
Detyrim paraqitjeje
Diamant Shkina
Mateos Jeshili
Ergert Patlli
Gerald Taraj
Një operacion kundër trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje është finalizuar në Durrës pas dy muajsh hetime. Si rezultat i operacionit janë arrestuar dhe ndaluar 15 shtetas, 3 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht.
Personat e shpallur në kërkim janë Orgito Mema, Enis Piro dhe Dashamir Mehmeti. Ky i fundit 41 vjeç, është drejtori i shkollës së muzikës ‘Jan Kukuzeli’ në Durrës. Policia ka zbuluar përfshirjen e drejtorit të shkollës në veprimtari kriminale, pasi ka organizuar një blerje të simuluar. Mehmeti ka rënë në kurthin e ngritur nga blutë e Durrësit, duke i shitur një agjenti drogë.
Blerja e drogës nga policia është bërë tek persona të ndryshëm, të cilët u kanë shitur drogë agjentëve dhe më pas policia ka vepruar për të goditur këtë veprimtari kriminale. Armët e skuestruara nga operacioni, janë gjetur në banesën e Zamir Hoxhës, 48 vjeç, drejtorit të shkollës Mehmeti që iu gjet një pistoletë dhe 23-vjeçarit Mehmet Meta.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri e llojit kallashnikov, 3 pistoleta, 1 pushkë, 1 çifte, municion luftarak, qindra doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, heroinë, kanabis, 20 telefona celular, 7 automjete, peshore elektronike dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.