I shpallur në kërkim si organizator i sulmit terrorist në Banjskë, pronat e sekuestruara të Radoiçiç i kalojnë Policisë së Kosovës

Me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiç, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.

 

Radoiçiç, Kosova e kërkon si të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, shtatorin e kaluar.

Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.

Radoiçiç besohet se është i lirë në Serbi.

Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut – që të gjitha në pronësi të Radoiçiç.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.

Haxhiu tha se ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.

Haxhiu tha se pronat e sekuestruara të Radoiçiç gjenden në lokacione me rëndësi strategjike.

Sipas saj, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të “rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale” në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të udhëzimit administrativ në Qeverinë e Kosovës, Haxhiu tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë me procedurat e tjera./REL

Exit mobile version