“I thashë Manajt të mos luante por nuk më dëgjoi”, kritikë e rëndë e trajnerit të Sivaspor për sulmuesin: Lojtarët në Turqi nuk janë plotësisht profesionistë

Dëmtimi i Rei Manajt menjëherë pas kthimit nga grumbullimi me Kombëtaren, ka nervozuar klubin e Sivaspor. Lojtari luajti me kuqezinjtë në Ligen e Kombeve dhe që në ndeshjen e parë pas kthimit në Turqi përballë Gaziantep, shënoi gol e pastaj u dëmtua pa mbyllur 45 minuta në fushë.

Që atëherë lojtari ka munguar për klubin e tij dhe është në dyshim nëse mund të jetë i gatshëm deri pas ndeshjeve të kombëtareve. Vetë trajneri i tij, Bulent Ujgun, ka lëshuar deklarata që padyshim nuk do t’i pëlqejnë sulmuesit të kuqezinjve, i cili kishte kërkuar të largohej në verë, por klubi nuk e lejoi pasi kishte kërkesa të larta ekonomike për shitjen e kartonit të tij.

I ngacmuar nga gazetarët pas humbjes përballë Bashakshehir në kampionat rreth dëmtimeve të shumta në skuadër, Ujgun nuk ngurroi të lëshonte kritika të rënda.

“Skuadra jonë ishte e vogël që në fillim të sezonit. Futbollistët në Turqi nuk janë plotësisht profesionistë. Ata nuk arrijnë të rikuperojnë mangësitë që kanë pas dëmtimeve. Rei Manaj shkoi dhe luajti në dy ndeshje, u kthye dhe u sëmur. I thashë që të mos luante, por ai luajti dhe për fat të keq u dëmtua kështu”, tha trajneri i Sivaspor.

Artikulli paraprakPse duhet të hani mollë jeshile me lëkurë, përfitimet direkte për shëndetin
Artikulli tjetërZgjedhjet presidenciale në SHBA, 41 milionë të rinj kanë të drejtë vote