Nuk do të ketë festë blaugrana në shtëpinë e Realit të Madridit. Nëse Barcelona do të fitonte Kupën e Mbretit duke mposhtur Alaves më 27 maj, nuk do ta ngrejë gjithsesi trofeun në “Santiago Bernabeu”. Barçës i pëlqente padyshim një ide e tillë, por edhe këtë vit, finalja e Kupës në Spanjë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të luhet në stadiumin e Los Blancos, një mundësi që e përjashtoi vetë presidenti i Realit, Florentino Perez, gjatë prezantimit të një libri për suksesin e Realit të Madrid në sezonin e kaluar.
“Finalja nuk mund të luhet në ‘Bernabeu’, pasi në atë kohë do të zhvillohen punime për mirëmbajtjen e stadiumit. Nuk keni temë tjetër?”, iu drejtua presidenti i Realit gazetarëve që e pyetën për këtë çështje.
Në vitet e kaluara në situata analoge me rivalët e përjetshëm blaugrana në finale, ku mungonte Reali i Madridit, klubi merengues iu është kundërvënë në të njëjtën mënyrë mundësisë së zhvillimit të finaleve në impiantin e tij. Mes stadiumeve ku mund të luhet këtë vit finalja e Kupës së Mbretit, shtypi spanjoll citon “Vicente Calderon” të Atleticos së Madridit dhe “Mestalla” të Valencias.
Ndërkohë, Reali do t’i ofrojë rinovimin Benzema-së. Vetëm 12 gola ka realizuar në këtë sezon, Karim Benzema, statistika jo shumë të mira këto për një lojtar që luan si qendërsulmues te një klub i madh si Reali i Madridit. Paraqitjet e francezit gjatë muajve të fundit nuk kanë qenë nga më pozitivet, por përpos këtij fakti drejtuesit e Los Blancos vazhdojnë të besojnë te 29-vjeçari dhe pavarësisht zërave që flasin për një largim të mundshëm të Benzema-së nga Reali, gjasat janë që sulmuesi të rinovojë kontratën e tij me Los Blancos në përfundim të këtij sezoni.
Marrëveshja aktuale e bomberit me Realin skadon më 30 qershor të 2019-tës, por në qershor të këtij viti, drejtuesit e klubit madrilen do t’i ofrojnë Benzema-së një kontratë të re të vlefshme deri në vitin 2021 ose 2022. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “AS”, gazetë që qëndron shumë pranë klubit merengues. Benzema është bërë pjesë e Realit që në vitin e 2009-të dhe ai që pritet të firmosë në verë do të jetë rinovimi i tij i dytë me klubin merengues. Jo vetëm trajneri Zidane, por edhe presidenti Perez, të gjithë te Reali kanë shumë besim te aftësitë që zotëron Benzema dhe janë të sigurtë se me të në qendër të sulmit, golat nuk do të jenë asnjëherë një problem për Realin. Në këto 7 vite e gjysmë me Los Blancos, Karim Benzema ka realizuar në total 173 gola dhe është golashënuesi i 8-të më i mirë në të gjithë historinë e klubit mbretëror.