“I torturuan dhe pastaj i pushkatuan, rrobat i sollën me gjak”- rrëfimet e djemve të Teme dhe Tahir Sejkos! Dënimi i grupit çam më ‘61, katër pjesëtarë të familjes që u ekzekutuan janë pa varr

NGA HYQMET ZANE/ Është një e vërtetë e provuar historikisht se, nëse e keqja harrohet, ajo ka rrezik të përsëritet. E kam fjalën për atë vit tragjik të para 65 vjetësh kur pushteti i diktaturës staliniste vrau djemtë e Çamërisë me të atë sajesën maskaradë të “grupit çam të Teme Sejkos”. Veç atyre që kemi shkruar herë pas herë, sot dua të them se një e keqe që është futur brenda nesh mes çamëve që ndodhen në Shqipëri, bën që ngjarje me spikatje të madhe dhe të fokusuar edhe ndërkombëtarisht, harrohet nga e quajtura Shoqata Çamëria dhe shteti shqiptar.

Shkruarja e historisë së Shqipërisë siç po diskutohet tanimë me protagonizmin e Akademisë së Shkencave përmes Skënder Gjinushit, Pëllumb Xhufit dhe Paskal Milos që bëjnë beli në këtë projekt, të krijon një ndjesi mosbesimi për sinqeritetin e tyre. Duke treguar në kohë për njëanshmërinë e qëndrimit të tyre pro diktaturës dhe diktatorit, kuptohet se edhe kjo histori do të shkruhet sipas modelit që “fituesit shkruajnë historinë si e duan ata”. Në fakt, kështu u bë dhe ngjarjet e mëdha historike që lanë gjurmë në kujtesën e brezave, ose nuk trajtohen fare, ose shkruhen të pavërtetat, siç i ka thënë historiografia komuniste.

Kam komunikuar dhe biseduar me shumë dëshmitarë okularë dhe trashëgimtarët e këtyre familjeve dhe ata ndjehen të zhgënjyer për këtë situatë heshtje dhe moskërkesë për shfajësimin e një grupi të sajuar për interesat gjeostrategjike të kohës.

Lutfi Avdul Sejko, i përndjekuri politik i asaj kohe, me intelektualizmin dhe formimin që kishte më ka treguar një moment kur ka qenë në burg në Laç ku ishte i burgosur edhe Halim Xhelo, (ish zv/ministër i Punëve të Brendshme që u dënua nga Enver Hoxha) që ka qenë dëshmitar në kohën e takimit të Hrushovit me Enverin në Sarandë në vizitën e tij më 1959. I pranishëm në atë bisedë të Lutfiut me Halim Xhelon ka qenë i pranishëm edhe Petrit Hoxha nga Elbasani, i lauruar shkëlqyeshëm në “Lui Pastër” në Francë.

“Çfarë patët me ne, o Halim?” – e pyeti Lutfiu Halimin dhe ai iu përgjigj “gjetëm shesh dhe bëmë përshesh” dhe kështu rrëfimi i Halimit tek Lutfiu mu tregua mua me ditë të tëra fragment pas fragmenti, deri sa ndërroi jetë më 13 prill 1995. Kam saktësuar shumë të vërteta nga studiuesi i nderuar Kastriot Dervishi ish-kryetar i Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Por më shumë nga të tjerët, Hektor Sejko, djali i Taho Mehemt Sejkos, vëllai i Teme Sehjkos, më ka rrëfyer me përpikëri gjithë tablonë e asaj ngjarjeje që vazhdon të mbetet një tabu për historiografinë dhe që në shumë raste shmanget dhe retushohet.

HISTORIA

Pas 10 muajsh arrestimi të atij 28 korriku 1960 në orën 11, hetimi dhe shantazhizmi barbar në dhomat e inkuizicionit të sigurimit të shtetit stalinist, diktatori dha verdiktin e pushkatimit të grupit të ashtuquajtur “grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961 që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin – Teme Sejko, Tahir Demi, Taho Sejko, Shaban Ademi, Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk vriteshin as edhe kuajt në pyll e jo më njerëzit.

Pyetet sot nëse ajo që ka ndodhur 65 vjet më parë se është harresë apo e qëllimshme, është një zgjatim në kohë i një pushkatimi dhe dënimi të pamerituar që po bëhen nga segmentet e ish- Sigurimit të Shtetit që bëjnë kujdes për të mos vënë në vend dinjitetin e së drejtës morale dhe ligjore të atyre bijve që ishin shqiptarë dhe që u trajtuan si armiq.

Dhe jo vetëm këta, por edhe më pas u dënuan me pushkatim Beqo Plaku, Ilia Gjyzeli, Jorgji Cukali, Nikolla Goçi, Theodhori Veto, që u cilësuan si bashkëpunëtorë të kryetarëve të grupit dhe që ishin sajesat e mendjes antishqiptare që kërkonte të zhdukte nga faqja e dheut çdo njeri që ishte intelektual dhe që nuk ishte grek e serb.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se veç të pushkatuarve, nëse kanë qenë të tilla, se nuk ka as edhe një procesverbal të mbajtur, janë edhe një grup bijsh shqiptarë nga Çamëria që jo vetëm nuk dolën në gjyq, por u trajtuan në atë farë feje që iu mor jeta në dhomat e hetuesive të komanduara nga vetë Enver Hoxha përmes Kadri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit, Nevzat Hasnedarit dhe një farë Rexhep Kolli etj.. Taho Sejko, vëllai i Temes, nuk doli në gjyq, u eliminua në fshehtësi, ashtu si edhe Shaban Adem Kalo, që kërkoi t’i dilte në mbrojte Tahir Demit, kur shkuan për ta arrestuar. Nuk dihet se si përfundoi por jeta e tyre ishte aq e lirë për kriminelët e diktaturës komuniste. Ndërsa i mirënjohur komandant i “Çetës Çamëria”, antifashiste, Haki Rushiti u dënua 3 herë me vdekje në mungesë. Do të ishte fatale për një pjesë tjetër të këtyre bijve të Çamërisë që u dënuan me dënime maksimale dhe vdiqën në burgjet e Burrelit e Spaçit e gjetkë si Sami Murati, Jonuz Purizo, Rushan Hasan Mullai, Dr. Aleksandër Kalivopulli, pasi ishin dënuar me nga 25 vjet, vdiqën në burgje në Burrel e gjetkë, ashtu si edhe Vangjel Xhomaka 25 vjet, vdekur në burg, Yzeir Sollopia, Kostandin Petro Vaso, dënuar me vdekje, kthyer 25 vjet, vdiq në burg, Pandeli Varezi, dënuar me pushkatim, kthyer në 25 vjet, vdekur në burg, Kasëm Karafili, 25 vjet, vdiq në internim.

SAJESA PËR GRUPIN

Çdo gjë e ndodhur ndaj grupit të ashtuquajtur të “çamëve”, kishte si prolog Hilmi Seitin, që në prill 1960 nuk e pranoi planin ogurzi të sajimit të një grupi armiqësor për t’iu përgjigjur socialimperializmit rus pas prishjes. Pa e zgjatur, Hilmian, siç e thërrisnin me respekt në Shkodër dhe ku mbeti i nderuar gjithnjë, e helmuan. Kështu tregohet dhe kështu ekzistojnë faktet, se ajo që ndodhi më pas vërtetoi gjithçka: mashtrimin me çdo mjet që justifikonte qëllimin e Teme Sejkos e të tjerë që nuk mund të besonin se mendjet e asaj pjese bastarde staliniste i kishin bërë llogaritë si kriminelë që shkonin aq larg sa realisht do t’u merrnin jetën, vetëm e vetëm se i ishin futur lojës së sajuar. Edhe këto janë të thëna nga Halim Xhelo të thëna Lutfi Sejkos një për një në burgun e Laçit. Sa e sa grupe u sajuan më pas, vetëm e vetëm që të çohej në vend ideja fikse e diktatorit për të eliminuar të gjithë elitën intelektuale shqiptare që nuk u bënë pjesë e strategjisë së UDB përmes emisarëve serbë të saj, Popoviç, Mugosha, Stojniç e Tempo, por edhe sa e sa të tjerëve.

Ekziston mendimi se të gjitha të ashtuquajturat “grupe armiqësore” që u eliminuan pas atij nëntori famëkeq 1944, do të ishin ekskluzivisht intelektualë që kishin studiuar jashtë shtetit, ish-nxënës të shkollës amerikane të Fullcit apo që nuk pranuan të viheshin në shërbim të planeve serbe që nga Mustafa Gjinishi e më tej që u bënë viktima të tradhtisë komuniste. Ishte kjo klikë antishqiptare që në “emër të popullit” vranë, ekzekutuan, varën apo eliminuan pa gjyq edhe këtë grup të Teme Sejkos e Tahir Demit. Ishte i pari dhe i vetmi gjyq që u bë me altoparlantë dhe publik, si shprehje e urrejtjes krahinore që futi vetë Enver Hoxha në mes shqiptarësh.

Këtë fenomen nuk mund ta ndalonin as trupa e avokatëve që ishin thjesht formalë, sa për të thënë përballë një prokurori xhahil, si Aranit Çela, që në atë kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe një trupi gjykues që vepronin mbi bazën e urdhrave dhe jo të drejtësisë, siç ishin Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Lartë, gjen.major Muharrem Kokomani, kol. Sotir Spiro, kol. Bejto Isufi, n/kol. Hilmi Telegrafi dhe sekretar seance Murat Deliallisi. Përballë këtij grupi “armiqësor” të sajuar ishin vetë ata që e kishin sajuar, ishte vetë diktatori dhe ish Sigurimi i Shtetit. Ky moment ka qenë bërë publik në debatin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hasbiut kur do të dënohej ky i fundit.

ELIMINIMI

Eliminimi i këtij të ashtuquajturi “grup armiqësor”, ishte edhe një avokati e shkëlqyer që qeveria e Enver Hoxhës i bënte tezës greke për eliminimin e elitës intelektuale çame që kishte dalë nga lufta antifashiste dhe që ishin përfaqësuesit e atij angazhimi të kësaj krahine në Luftën II Botërore. Ishte kjo tezë që ende edhe sot e kësaj dite qarqet zyrtare greke e thonë dhe rithonë sa herë që vjen fjala tek çështja çame dhe zgjidhja e saj. Është rasti për të thënë se shumë nga ata që u cilësuan armiq ishin në strukturat drejtuese të luftës dhe që së bashku me pjesën tjetër të çamëve të organizuar në Batalionin 4 të Regjimentit 15, përbënin edhe pjesën e rëndësishme të kontributeve të Çamërisë në këtë luftë. Do të doja të fiksoja këtu luftën 55 ditore të Konispolit ndaj forcave gjermane, ku edhe ranë shumë dëshmorë. Ishte një luftë e vërtetë si asnjë luftë tjetër e ta ashtuquajturës ushtri shqiptare. Dhe kjo është meritë e kësaj popullate të Çamërisë që u hodh poshtë dhe u shkel me këmbë nga segmentet pro greke brenda udhëheqjes komuniste shqiptare, të cilat ndikuan ndjeshëm për të hedhur idenë e të ashtuquajturit “bashkëpunëtorë me pushtuesin” të kësaj popullate të Çamërisë. Ndoshta duhet të ishte gjallë im atë, Nuri Zane, së bashku me Hajri Fetahu dhe Osman Zeneli, Mezan Emin Jonuzi dhe Bejaz Muhamet Muho apo Alush Xhemil Sejko e me shumë të tjerë që ishin të internuar në kampet e përqendrimit gjermane dhe italiane si antifashistë që të rrëfenin se sa të pavërteta janë tezat greke. Por më shumë se kaq, se sa tradhtare ishte qeveria e Enver Hoxhës ndaj interesave mbarëkombëtare shqiptare, kur jo vetëm i vrau çamët, por i dërgoi edhe në internimin e Llozhanit në Maliq më 1949, u hoqi shtetësinë greke më 1953 dhe më vonë u hodhi baltë gjithë çamëve, pas pushkatimit të pjesëtarëve të këtij grupi.

DJALI I TEME SEJKOS

Raimond Sejko, djali i madh i Teme Sejkos ka rrëfyer, momentin kur ish- Sigurimi i Shtetit zbarkoi në shtëpinë e tyre. “Po luaja me letra me Sokolin (vëllain) kur në shtëpi hynë dy persona të veshur me kostume gri dhe kasketa në kokë. Nuk i njohëm, por pas pak dëgjuam klithmën e mamasë dhe kuptuam që diça e keqe kishte ndodhur. Vrapuam të merrnim vesh çfarë kishte ndodhur, por oficerët e Sigurimit nuk na lanë të futeshim në dhomën ku ishte mamaja dhe gjyshërit se ata kishin filluar kontrollin e shtëpisë. Pas një ore oficerët ikën dhe ne hymë në dhomë, ku pamë mamanë që ishte e shokuar, nuk fliste. Gjyshja na nxori jashtë nga dhoma dhe na dha mandatin. Ne u shokuam, por ishim të vegjël dhe nuk kuptonim tamam çfarë kishte ndodhur. Mamaja nuk foli deri të nesërmen. Ajo na tha edhe një herë për arrestimin e babit, por ishte e pamundur që ne ta kuptonim. Pas disa ditëve shkuam në Vlorë. Kur hymë në shtëpi pamë që çdo gjë ishte në dysheme. Rrëmuja ishte aq e madhe sa vetëm vandalët e sigurimit mund të bënin një gjë të tillë. Në atë moment unë arrita të kuptoj që punët ishin shumë keq për ne. Ishte fillimi i shtatorit. Unë u ktheva nga shkolla gjeta në shtëpi 3 a 4 oficerë dhe 2 civilë nga këshilli i lagjes. Po bëhej konfiskimi i pasurisë. Na lanë rrobat e trupit dhe të gjithë të tjerat me copë p.sh. një lugë, një pirun, një dyshek, një batanije etj.. Pas kësaj erdhi largimi nga shtëpia, na futen në një dhomë përdhese dhe në një korridor ku jetonin edhe 3 familje të tjera me një banjë për të gjithë.

Po të mos ishin gjyshërit nga mamaja, nuk e imagjinoj dot se si do të kishim përfunduar. Gjyshi kishte 4000 lekë të atëhershëm pension me të cilin do ushqeheshin 5 vetë duke paguar qiranë dhe dritat. Nuk ishin të pakta netët që flinim edhe pa ngrënë darkë. Para 15 vjetëve kam dhënë një interviste me një gazetar te “Panorama”. Ishte hera e parë që unë fola për mamanë time. I thashë që do ta shkruash siç po ta them unë. Dua që ta lexoj atë që do të botosh. Ironia e fatit është se mamaja ime kur ishte 12 a 13 vjeç shpërndante traktet komuniste. Në shkurt 1975 ajo shkroi fletore për historinë e familjes dhe për Sokolin si e torturuan dhe e pushkatuan 23 vjeç djalin e vogël të familjes pa bërë asnjë gjë. Në orën 5 të mëngjesit të datës 21 shkurt 1975 u gjet e vdekur në oborrin e pallatit ku ne banonim në Berat. Unë jam arrestuar rreth orës 8 të mëngjesit. Kjo është e vërteta dhe jo ajo që është shkruar nëpër gazetat shqiptare që ajo vrau veten, sepse unë u arrestova. Sigurimi nuk kishte plane për të më arrestuar, por do të na internonim të gjithëve përfshi gjyshin me gjyshen nga fundi i shkurtit 1975″, është shprehur djali i Teme Sejkos.

HEKTOR SEJKO, DJALI I TAHO SEJKOS

“E kujtoj si një djalë 14 vjeçar që duke luajtur në oborrin e shtëpisë sime në Shkodër, shikoj 4 persona njeri prej tyre kishte një biçikletë që, pasi la biçikletën, shoqëroi ata tre të tjerët dhe u ngjitën në shkallët e shtëpisë. Unë shfrytëzova rastin, mora biçikletën dhe u nisa në drejtim të parkut të automjeteve. Shoh aty një grup njerëzish që jepnin e merrnin me njeri-tjetrin. Shkëputet njeri prej tyre dhe më thotë “Të lutem Hektor, shko në shtëpi e mos rri këtu”. Kjo kërkesë jo bindëse më la në atë dilemën e asaj që unë nuk kisha bërë ndonjë gjë se nuk dija çfarë kishte ndodhur.

Kthehem në shtëpi dhe pamja që më doli para syve ishte se, duke përjashtuar zotin e biçikletës që ishte kryetari i këshillit të lagjes, të tjerët po kontrollonin në mënyrë të imtësishme të gjithë shtëpinë. Mora vesh atë që kishte ndodhur, im atë Taho ishte arrestuar dhe ata kishin ardhur dhe po bënin detyrën e tyre të kontrollit. Pas kontrollit u ulën dhe bënë një listë të gjatë të të gjitha sendeve të shtëpisë. Nëna ime qante mes asaj zallamahie të madhe dhe situate aq kaotike. Ai që drejtonte grupin e oficerëve të sigurimit, ishte nënkryetari i degës Hysen Hoxhati, shok i babait tim. Në prezencën time i tha sime mëjë “na beso, kemi detyrë të keqe që na detyrojnë të vemi edhe aty ku nuk dëshirojmë të shkojmë”.

– Pas 60 vjetësh çfarë mendon për atë që ndodhi me të ashtuquajturin “grupi çam”?

– Kam vetëm një mendim, ata ishin viktima dhe nëpërmjet viktimizimit të tyre shteti viktimizoi një pjesë njerëzish të pafajshëm thjesht pse ishin nga krahina e Çamërisë. Ajo që për mua është shumë e rëndësishme, 4 pjesëtarët e familjes Sejko të dënuar janë pa varr”.

ILIR DEMI, DJALI I TAHIR DEMIT

“Isha në shtëpi me gjyshen, nënën e mamasë, e motra e Mustafa Matohitit. Arrestimi i babait ishte bërë në Komitetin Ekzekutiv ku ai ishte kryetar i tij prej 8 vjetësh. Nëna ime ishte në punë dhe erdhi menjëherë në shtëpi. Pas saj erdhën edhe sigurimsat e Degës së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Brendshme Mihallaq Ziçishti, zv/ ministër dhe Shim Kolla kryetari i Degës si dhe një grup tjetër që i shoqëronte. Unë isha i vogël, 9 vjeç dhe nuk i njihja se çfarë ishin ata. Ushtruan kontroll në tërë shtëpinë, shqepën dyshek e jorgan, i kthyen të gjitha përmbys. Vura re që morën një automatik gjerman që babai e kishte si trofe të luftës dhe pistoletën personale që ai kishte.

Ditët e tjera ishin me andralla të mëdha për nënën time se unë nuk kuptoja asgjë. Pas një jave na larguan nga shtëpia ku ishim dhe na çuan në një shtëpi në një lagje tjetër. Nënën e shkëputën nga puna dhe e çuan punëtore në grumbullim. Ndërsa gjyshen erdhi dhe e mori i biri i saj, Rustemi, daja im, erdhi nga kampi i pionierëve ku ishte me pushime edhe Pëllumbi, vëllai i madh si dhe motra e vogël, Teuta që ishte tek njerëzit tanë në Tiranë. U mblodhëm bashkë në një fatkeqësi që nuk po e merrnim vesh se çfarë ishte, çfarë kishte ngjarë. Babai nuk erdhi më në shtëpi.

Që nga ajo kohë nuk e pashë më babain në këtë jetë. Edhe sot nuk e dimë se ku i ka eshtrat. Nuk kemi lënë vend pa kërkuar sipas dëshmive të atyre që kishin dijeni, por asnjëherë nuk gjetëm eshtrat e tyre.

Në fillim ndjemë peshën ekonomike se ishim të vegjël se nuk kuptonim gjë, por graudalisht, duke u rritur, po kuptonim pozitën tonë politike ne shoqërinë ku jetonim. Sa mbaroi gjyqi më 31 maj 1961 dhe pas pushkatimit të babait, na internuan në 18 qershor në qytetin e Fierit në një lagje periferike në një banesë që vetëm banesë për të jetuar njerëz nuk ishte. U privuam nga gjithçka, na distanconin nga kushdo. Provuam mbi shpatullat tona luftën e egër të klasave që vazhdoi deri në vitin 1990.

Ndjej keqardhje për të gjithë kontributet që dha fisi i Dematëve dhe shumë fiseve të tjera në luftën antifashiste për çlirimin e atdheut dhe për krenarinë e të qenit shqiptarë. Kemi një zhgënjim se nuk kuptuam pse ndodhi e gjithë ajo gjëmë, por edhe që sot e kësaj dite nuk ka dalë zyrtarisht që ata ishin të pafajshëm, ndonëse tani janë hapur të gjitha dosjet dhe pafajësia e tyre është konfirmuar”.

SHKËLQIM ADEMI, DJALI I SHABAN ADEMIT

“Nuk kisha mbushur as 9 vjeç, kur po kthehesha në shtëpinë tonë në Elbasan. Sapo isha kthyer nga një ekskursion me shokët e shkollës dhe pashë një tufë oficerësh sigurimi dhe policie që kishin rrethuar shtëpinë tonë në lagjen Kala. Kur hyra në oborr i pashë oficerët duke thyer dyert dhe dritaret e dhomave. Ata silleshin me një egërsi të paparë dhe duke shtyrë me forcë gjyshin tim të moshuar, Refatin. Si qen të tërbuar, sytë e tyre të skuqur, ishin të etur për gjak. S’lanë vrimë pa kontrolluar, gjithashtu, edhe në tavan, sikur në shtëpinë tonë fshihej ndonjë sekret atomik! Sjellja e tyre brutale na tmerroi, jo vetëm ne fëmijëve, por edhe nënën tonë dhe gjyshërit e moshuar. Ata bastisën të gjitha dhomat për të gjetur, sipas tyre, materiale komprometuese dhe konfiskuan çdo gjë. Sot pas 65 vjetëve, ato fytyra çnjerëzore më janë ngulitur në kujtesë.

Më vonë, në verën e vitit 1961, gjyshja mësoi se babain tim e kishin torturuar, pasi pa rrobat e tërhequra nga burgu ishin të përlyera me gjak. Gjyshi im, ditë më pas, mësoi nga avokati Mexhit Kokalari se urdhri i sistemit shqiptar-vrasës ishte zbatuar. Edhe pse nuk kishte asnjë provë fajësie, regjimi e kish dënuar tim atë me vdekje pas një gjyqi farsë me dyer të mbyllura, duke vulosur kështu aktin e 2-të të dramës së familjes sime.

Pas dënimit të babait na internuan familjarisht në Kurbnesh të Mirditës. Akti i 3-të i dramës ishte përgatitur për ne. Ende e kam vendimin e posaçëm nga Komisioni i Internim Dëbimeve të firmosur me bojë gjaku nga Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Bilbil Klosi, Aranit Çela, e Shuaip Panariti. Si për çudi, familja jonë ishte e vetmja familje që, ndryshe nga familjet e tjera çame që u internuan në Shqipërinë e mesme, u izolua në atë vend malor në një zonë të thellë e të ftohtë të Mirditës. Vite më pas, gjyshi im vdiq në internim, me maraz pa e parë djalin e tij të vetëm. Ato ditë nuk do ti harroj sa të jem gjallë. Rrjedhimisht, pashë se me kushtet që na kishin krijuar, regjimi kërkonte shfarosjen tonë si familje.

Ato ngjarje të mallkuara nuk më ndahen as sot. Jam i bindur se proceset gjyqësore të atyre viteve ndaj atdhetarëve të Çamërisë së kolonizuar nga grekët, ishin një intrigë e kurdisur nga agjentura greke për të eliminuar edhe ata shqiptarë që u kishin shpëtuar kthetrave greke. Por ne mbijetuam. Rreth 65 vjet kemi kërkuar dhe kërkojmë vazhdimisht eshtrat e babait deri në organet më të larta, por më kot. Dosjet ende janë të mbyllura dhe të cunguara. Na thonë do t’i gjejmë. Në ministri, në drejtori burgjesh, shoqatat e ish-të persekutuarve, në parlament, e ku nuk kam kërkuar! Qeveritë shqiptare rreth 35 vjet na thonë se po punojnë, përfshi këtu edhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Por, ende grupit “komplotist çam” nuk i është bërë rehabilitimi e shfajësimi i plotë nga organet gjyqësore dhe ekzekutive të shtetit shqiptar. Por më kot, se xhelatët komunistë dhe pasardhësit e tyre nuk i tregojnë vendet ku i kanë kryer krimet e tyre”.

Sipas studiuesit Ahmet Mehmeti që jo pak herë është prononcuar për padrejtësitë ndaj popullatës çame, shprehet kështu për këtë ngjarje të asaj kohe dhe sot pas 65 vjetësh: “Në kohën kur po transmetohej në Radio Tirana gjyqi për të ashtuquajturin “Grupi i Teme Sejkos” kam qene në vitin e fundit të shkollës 7-vjeçare. Sheshi qendror i qytetit të Cërrikut ishte mbushur plot e përplot me njerëz që ndiqnin transmetimin radiofonik drejtpërdrejt nga altoparlantët. Rreth 14-vjeçar atëherë, si fëmijë i një familje refugjate të përzënë nga Çamëria me zjarr e hekur, me gjyshin të masakruar nga racistët grekë, po përjetoja një tmerr të vërtetë. Megjithëse i vogël gjatë gjithë kohës së transmetimit mendoja “Si mund të ndodhë që këta njerëz që po akuzoheshin dhe që njiheshin nga prindët e mi si elita e luftëtarëve të lirisë të tradhtonin vendin e tyre! E pabesueshme!”

Kurse sot, në shekullin e XXI ende shteti shqiptar, anëtar i NATO-s, nuk është bërë i gjallë të zbardhë të vërtetën e masakrës së diktaturës enveriste ndaj njerëzve të pafajshëm që u sakrifikuan për hir të lojërave politike te Sigurimit famëkeq, për interesa të poshtra të një klike antikombëtare. Kur do të zbardhet e vërteta? Deri kur?!”.

/Gazeta Panorama

Artikulli paraprakQeveria legalizon spiunët: 2.5 milionë euro fond për ndjekje, përgjime dhe kallëzime të paguara
Artikulli tjetër“Skenë filmi”/ Një marrëveshje verbale e Ramës nxiti ndërhyrjet e kontestuara në Spaç