I vetmi shteg

Nga Edison Ypi

Mos eja sapo ke dalë nga dushi. Më xhelozon për vdekje uji i ngrohtë që ta përkëdheli kurmin.
Më ruajt Zoti po erdhe nga kafeneja, ku vështrimet e yndyrta të banalëve ta kanë ftohur zjarrin dhe mua më sjell vetëm hirin.
Po erdhe pas tundimeve virtuale të leximit të një libri, unë që jam real do të dukem i ftohtë.
Të vish nga një sallë koncerti ku je ngarkuar me emocione shkaktuar nga të tjerë, është bombë me sahat.
Të vish pasi ke kafshuar një mollë, duket e pafajshme por është e frikshme, e rrezikshme, e padurueshme, e papranueshme.
Po erdhe tek unë pasi ke thithur palcën e një kocke, do bësh një faj aq të rëndë sa nuk do ta fal kurrë.
Po ke ndërment të vish fill pasi ke bërë një selfie, më mirë më fut në dhe’ të gjallë.
Të vish pasi ke dalë nga deti, do ishte mrekulli, por është një kripje aq e shijshme sa po ta provoj kam frikë se çmendem.
Nëse të është shkrepur të vish pas një udhëtimi në Kosovë, duket si krisma e duhur, por kam frikë se kur të më tregosh çfarë pe atje, do vdes nga dëshpërimi.
Të vish kur sapo ke dalë nga Kisha, do të ketë mbetur mendja te një paragraf tmerrësisht i bukur i Biblës, dhe fjalët e mia do të duken të mjera.
Në ardhsh nga Xhamia, do jesh fiksuar te disa sure kuranore aq të madhërishme, sa kur të m`i thuash do më bjeri pika.
Eja nga i vetmi shteg; Zbrit nga Qielli, gjatë një nate me krisma dhe vetëtima.

Exit mobile version