Një sasi lënde plasëse i është vënë një shtylle të tensionit të lartë në Kodër Thumanë. Burime zyrtare sqarojnë se kanë qenë shërbimet e OSHEE-së që kanë njoftuar policinë, pasi kanë konstatuar dëmtimin e dy këmbëve mbajtëse të shtyllës. Pas sinjalizimeve, forcat e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, dhe kanë zbuluar se kanë ndodhur dy shpërthime me lëndë plasëse.
Burime zyrtare sqarojnë se, ato dyshohet të kenë ndodhur më datë 13 të këtij muaji, rreth orës 02:00. Për ngjarjen në fjalë, autoritetet kanë shoqëruar 5 persona, të cilët banojnë në afërsi të vendit të ngjarjes, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë të lirë. Banorët e zonës kanë deklaruar se, para 3-4 ditësh kanë dëgjuar dy shpërthime të njëpasnjëshme, por pa ditur se ku kishin ndodhur. Në vendngjarje, janë gjetur disa mbetje lënde plasëse e dyshuar eksploziv; rreth 40 centimetra fitil zjarrpërcjellës i djegur; mbetje prej qelqi që është përdorur si mekanizëm për ndezje.
Materialet në fjalë janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa veprimet e tjera proceduriale po kryhen nga specialistë të Drejtorisë Kundër Akteve Terroriste Tiranë. Autorët e kësaj ngjarje të rëndë ende nuk janë zbuluar.
Vendi ndodhet në duart e krimit. Krimi ka mbërthyer vendin, ndërsa trafiku i drogës vijon pa ndërprerje drejt Italisë dhe Greqisë. Tashmë trafikantët e drogës, të mbështetur nga policia, kanë ndryshuar itinerarin e trafikut të drogës në drejtim të policisë. Pas kapjes së 1.5 ton drogë në Malin e Zi një javë më parë, ditën e djeshme u kap sërish një sasi kokaine e nisur nga Durrësi. Policia malazeze bëri të ditur se ka sekuestruar 7 kg heroinë në një makinë që ishte futur nga pika kufitare shqiptare.
Përditë ndodhin vrasje e grabitje në rrugët nacionale, ndërsa policia është e paaftë për të goditur krimin. Dy persona u plagosën me armë ditën e djeshme, pas një konflikti në një lokal në Krujë. Policia tha se, rreth orës 06:45, në ambientet e një lokali, tek një karburant, në afërsi të stadiumit janë zënë dhe më pas kanë përdorur armët disa persona. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Raportohen dy të plagosur me armë zjarri. Konkretisht, R.Sh. rreth 55 vjeç dhe G.G. (plagosur lehtë në dorë) rreth 30 vjeç, banues në Krujë.
Të plagosurit ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku shtetasi R.Sh. ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi G.G. është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur arma e zjarrit tip pistoletë TT dhe një gëzhojë. Policia e Krujës ka identifikuar menjëherë autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij. Për këtë ngjarje është vënë në pranga Oltion Suta 36 vjeç, banues në Krujë, polic në Burgun e Zaharisë në Krujë.
Ndërkohë, një makinë shpërtheu dje në Vlorë, por fatmirësisht drejtuesi i mjetit arriti të shpëtojë. Makina ishte në lëvizje kur papritur shpërtheu, ndërsa drejtuesi i mjetit u hodh, duke i shpëtuar vdekjes. Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit, por dyshohet se ka qenë një sasi eksplozivi që hodhi në erë makinën.
Në të gjitha ngjarjet kriminale që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit, policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
R.POLISI