Ia kaloi stafetën Kamala Harris, Joe Biden i përlotur: Amerikë, dhashë më të mirën time për ty

Presidenti amerikan, Joe Biden, i përlotur doli në skenën e Konventës Kombëtare Demokratike të hënën mbrëma në Çikago, teksa u prit me brohoritjen “Faleminderit, Joe”.

 

Bideni në fjalimin e tij hapës të Konventës ka thënë se ka dhënë më të mirën për Amerikën dhe se zgjedhja e zëvendëspresidentes, Kamala Harris, për ta zëvendësuar si kandidate për presidente, ishte zgjedhja më e mirë që kishte bërë ndonjëherë, raporton BBC.

“Amerikë, dhashë më të mirën time për ty”, është shprehur Bideni në fund të një fjalimi të gjatë dhe emocionues duke mbrojtur trashëgiminë e tij dhe duke përshëndetur Kamala Harrisin.

Presidenti ka thënë se demokratët ishin “në një betejë për shpirtin e Amerikës” përpara garës së nëntorit kundër Donald Trumpit.

Bidenit iu bashkua në skenë pas fjalimit gruaja dhe fëmijët e tij, si dhe Harris dhe kandidati për zëvendëspresident, Tim Walz.

Hillary Clinton, e cila humbi kundër Donald Trumpit në vitin 2016, ka thënë në një fjalim po ashtu në natën e parë të Konventës se ata ishin afër ta shihnin Kamala Harris si presidentja e parë femër e Amerikës.

Harris është rritur në sondazhet kundër Trumpit që kur ajo u nominua për të zëvendësuar Bidenin muajin e kaluar, megjithëse gara mbetet jashtëzakonisht e ngushtë.

Artikulli paraprakShqipëria e marrë peng nga krimi
Artikulli tjetërRënia e lindjeve në Vlorë, Gjirokastër dhe Kukës 2-3 herë më shumë se mesatarja kombëtare ne 6 mujorin e parë