Ibra: Skuadër kotele

Në fazën e parë ishte Evertoni që barazonte në fund ndaj United, ndërsa këtë herë Djajtë e Kuq u përgjigjën në të njëjtën mënyrë duke shënuar golin e barazimit pikërisht në minutën e fundit falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Ibrahimoviç që u rikthye me gol për të tijtë. Një pikë që evitoi humbjen për skuadrën e Mourinhos, që ka 20 ndeshje në Premier që nuk mposhtet, por që gjithsesi largon shumë nga zona Champions Djajtë e Kuq, të paktën nëpërmjet kampionatit.
Phil Jagielka ishte autori i golit të epërsisë për Blutë e Liverpool-it që konfirmohen si një kundërshtar i vështirë për të besuarit e Mourinhos, që patën dhe mungesën e fatit me vete, si në rastin e Herrerës në të 31-tën, ndërsa në pjesën e dytë skena ishte e tëra për Ibrën, që pa t’i anulohej një gol në të 71-tën, humbi një super mundësi në të 89-tën nga një pozicion relativisht i mirë për të, ndërsa në të 94-trën nga pika e bardhë shënoi golin e barazimit duke zgjatur thjesht numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje, pasi në total United me nëntë barazime shtëpiake ka lënë shumë pikë të vlefshme përpara publikut të tij.
Zlatan Ibrahimoviç nuk arrin ta përtypë barazimin 1-1 ndaj Evertonit duke dalë kundër shokëve të skuadrës. Sulmuesi i Manchester United nuk zgjedh gjuhën diplomatike, madje zgjedh fjalët e ashpra duke krijuar një situatë të pazakontë. “Unë jam një luan, shokët e mi janë kotele. Është një dështim ky sezon sepse as nuk e mbaj mend vitin kur jam renditur i dyti në kampionat”.
Moment negativ për Manchester United sepse pas sulmit të Mourinhos ndaj skuadrës në përfundim të ndeshjes ndaj West Bromvich, në skenë del shtatlarti suedez. Barazimi i tretë rresht në “Old Trafford” dhe klasifikimi është pasqyra e një sezoni pothuajse katastrofik në Premier League. Djajtë e Kuq renditen në vendin e pestë me 4 pikë diferencë nga Manchester City dhe në këtë mënyrë, kualifikimi për në Champions League bëhet një mision pothuajse i pamundur. As rikthimi i Ibrahimoviç nuk rikthen fitoren për të besuarit e “Special One” edhe pse gjiganti suedez shënoi golin e barazimit në minutën e 94. “Nuk arrita të fitoja dhe skuadra ime dështoi. E ndiej shumë presionin. Klasifikimi është tregues i qartë i momentit që po kalojmë sepse renditemi në atë vend që meritojmë”, theksoi gjithashtu 35-vjeçari. Një deklaratë që paralajmëron një largim të mundshëm të Ibrahimoviç në fund të sezonit pasi oferta e Los Angeles Galaxy nga MLS vazhdon të qëndrojë pas portës së Manchester United.

Artikulli paraprakUEFA, 1 milion euro për Shqipërinë dhe Kosovën
Artikulli tjetërHoffenheim mposht Bayernin e Mynihut