Zlatan Ibrahimoviç i jep lamtumirën Man.United. Bomberi suedez përmes një postimi në faqen e tij në Instagram, ka postuar një foto me mbishkrimin e shprehjes së famshme të perandorit romak, Jul Cezari “Veni, Vidi, Vici” që në shqip përkthehet, “Erdha, Pashë, Fitova”. Sulmuesi ishte vënë në dijeni prej kohësh se kontrata e tij nuk do të rinovohej, për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në gju. Ndërkohë nga ana tjetër, sulmuesi ka preferuar t’i japë lamtumirën skuadrës me këtë shprehje.
Chelsea në ndjekje të Jerome Boateng. Mbrojtësi i Bayernit të Mynihut po kërkohet me ngulm nga ana e teknikut të bluve të Londrës, Antonio Conte. Italiani prej javësh po punon në përforcimin e repartit të prapavijës dhe Boateng shihet si një emër që fal siguri.
Tottenham po përgatit ndërhyrje në merkato. Klubi londinez këtë sezon do të kërkojë me çdo kusht titullin në Premier League dhe për ta arritur atë, Spursat do të tentojnë transferimin e disa emrave cilësorë, njëri prej tyre është mesfushori i Everton Ross Barcklei. Në ditët në vazhdim pritet që mes palëve të ketë dhe një takim.
Angelo Ogbona rinovon kontratën e tij me West Ham. Ish-mbrojtësi i Torinos dhe Juventusit do të vazhdojë aventurën e tij në Premier League. Kontrata e re që ka firmosur italiani skadon më 2018. Angelo Ogbona u transferua tek West Ham më 2015 dhe për klubin ai cilësohet si një garanci më shumë në repartin e prapavijës.
Arsenal kërkon me çdo kusht Alexandre Lacazette. Topçinjtë e Londrës pasi u tërhoqën nga gara për të pasur në dispozicion shërbimet e Kylian Mbappe, tashmë objektivi i tyre kryesor për repartin e avancuar është sulmuesi i Lyon. 51 milionë euro është oferta e Arsenal në drejtim të skuadrës franceze, shumë që duket se do t’i kënaqë ata, pasi më herët kanë deklaruar se do ta lënë të lirë Lyon vetëm për një shumë të madhe.
Liverpool gati të shpërthejë në merkato. Pasi arritën të siguronin shërbimet e sulmuesit Mohamed Salah, drejtuesit e “The Reds” kanë vendosur të realizojnë të tjera goditje në merkato, në mënyrë që të jenë sa më kompetitivë në të gjitha kompeticionet ku ata marrin pjesë. Në listën e dëshirave janë Mbappe, Oxlade Chamberlein, Koulibaly dhe Aubameyang.