Në Milano ishte dita e prezantimit të madh të Milanit. Zlatan Ibrahimovic i rikthyer te kuqezinjtë u prezantua përpara për herë të dytë si lojtar i Milanit në moshën 38-vjeçare.
Entuziast dhe i gëzuar për këtë rikthim pas 7 vitesh e gjysmë, Zlatan foli me superlativa për kuqezinjtë edhe pse Milani ndodhet në një pozicion të vështirë në kampionat. Ylli suedez preku shumë tema në fjalën e tij, teksa u premtoi tifozëve të Milanit se do të bëjë maksimumin për të nderuar këto ngjyra.
“Pas ndeshjes së fundit me Los Angelos fola me Paolon. Kam marrë më shumë kërkesa tani si 38-vjeçar se kur isha 28-vjeç. Kur u largova, ika pa dëshirën time. Tani jam këtu dhe do të bëj maksimumin për t’i përmirësuar gjërat. Milani është si shtëpia ime, më ka kthyer kënaqësinë e të luajturit futboll. Milani është gjithnjë Milani dhe historia nuk ndryshon. Besoj 100% në atë që bëj, ndryshe nuk do isha këtu. Është normale që fizikisht ndryshon vit pas viti, por besimi jo. Mentaliteti nuk ndryshon. Me të rinjtë do jem i keq (shaka). Do jem thjesht vetja ime. Duhet të dimë të vuajmë që të marrim maksimumin, dhe jo të gjithë dinë të vuajnë. Derisa të mundem të luaj, do ta bëj”.
Në këtë aventurë të re Zlatan do të mbajë veshur fanellën me numër 21. Gjigandi suedez ndërkohë shtoi se derbi i Milanos është derbi më special që ka luajtur.
“Niveli mund të ndryshoj dhe nuk mund të jem si 28-vjeç, kjo është e pamundur. Dua që në fushë të argëtohem dhe të ndihmoj shokët e skuadrës. Atmosfera e stadiumit të mungon. Preferoj të më fishkëllejnë, kështu kam më shumë adrenalinë”. /SS/