Ibrahimoviç: Ndihem si 20-vjeçar

Zllatan Ibrahimoviç del kundër zërave që i sugjerojnë se ka nevojë për pak pushim, duke thënë se ndihet “si një djalosh 20-vjeçar”. Shtatlartit suedez i mjaftuan vetëm pesë minuta për të shënuar golin e nëntë në po kaq ndeshje të fundit, duke i dhënë Mançester Junajtidit kryesimin kundër Uest Bromuiçit të shtunën mbrëma, para se të vuloste fitoren 2-0 në pjesën e dytë.
Para ndeshjes në media u tha se, Zhoze Murinjo mund ta linte pushim 35-vjeçarin, për të mos rrezikuar ndonjë dëmtim të mundshëm nga tejlodhja. Mirëpo trajneri portugez tha se e kishte të pamundur të hiqte dorë nga sulmuesi, të cilin e quajti “një shembull të shkëlqyer” për lojtarët e tjerë të ekipit.
Vetë Ibra është në një mendje me vendimin e “Special One”, duke thënë se ndihet i lumtur, nëse vazhdon të luajë si titullar me “Djajtë e Kuq”. “Jam këtu dhe jam për të luajtur. Dua të luaj”, deklaroi Ibrahimoviç për rrjetin “BT”. “Si futbollist, shpeshherë verbohesh, sepse duhet të dëgjosh trupin. Në mendjen time unë jam i freskët. Jam si një djalosh 20-vjeçar. Ndihem mirë dhe do të vazhdoj. Për sa kohë trajneri dhe skuadra kanë nevojë për mua, unë do të jem gati”, u shpreh Ibra.

Exit mobile version