Zlatan Ibrahimoviç pas lajmërimit lakonik që zyrtarizoi transferimin, pozoi për herë të parë me fanellën e Manchester United, me klubin që ende nuk ka dhënë detajet financiare të kontratës, ashtu si mbetet ende i panjohur numri që do të mbajë gjiganti suedez, do t’i rrëmbejë 10-ën Rooney apo do të pretendojë fanellën më të lavdishme që mbetet e disponueshme në “Old Trafford”, mitiken me numrin 7? Me hashtagun #ZlatanTime, prezantimi regjistroi dhe fjalët e para të Ibrës si lojtar i United. Lojtari debutoi me frazën e famshme “Its Zlatan Time”, ndërsa për faqen zyrtare të klubit tha diçka më tepër. “Jam absolutisht i lumtur që i bashkohem Manchester United dhe pres me padurim të luaj në Premier League. Nuk ështe e nevojshme të them që me zor pres të punoj edhe një herë me Mourinhon, një trajner fantastik, dhe jam gati për këtë sfidë të re entuziazmuese”, u shpreh Ibra.
Ibrahimoviç zgjodhi të shkonte në një kampionat që mungon në CV e tij të pasur, ku figuron një titull i La Ligas, 4 kampionate të Francës, 2 kampionate holandezë, dhe 6 tituj dy prej të cilëve të hequr më pas të fituar në Itali me Juventusin dhe Interin si dhe një titull me Milanin. Sigurisht, që i duhet ende të presë për Championsin, ku Manchester United nuk është i kualifikuar. Mjaft entuziazmuese ishin dhe fjalët e Jose Mourinho. “Zlatan nuk ka nevojë për prezantim, statistikat flasin vetë. Është një ndër sulmuesit me të mirë në Botë dhe një lojtar që jep gjithmonë 100%. Ka fituar kampionatet më të rëndësishëm në botë dhe tani ka rastin për të luajtur në turneun më të mirë. E di që do ta shfrytëzojë këtë rast dhe do të punojë shumë për të ndihmuar skuadrën që të fitojë tituj”, tha Murinjo.