Në fund të sezonit do të largohet nga PSG-ja. Mirëpo, që prej disa javësh është kthyer në dëshirën e klubeve më prestigjioze të Europës. Por pyetja është se kush do të jetë trajneri i Zlatan Ibrahimoviçit në sezonin e ardhshëm? Te Milani ka luajtur, mirëpo në atë periudhë skuadrën kuqezi s’e drejtonte Sinisha Mihajloviç, i cili nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të stërvitur bomberin suedez. “Do të më pëlqente shumë ta kisha në skuadër, pasi çdo trajner pëlqen që të stërvisë futbollistët e mëdhenj. Kudo ku shkon, Ibra fiton kampionatin, por nuk e di nëse i mjafton vetëm ai Milanit për të fituar titullin kampion. Sigurisht nga ana teknike është një futbollist i jashtëzakonshëm, me një personalitet të shkëlqyer”, tha trajneri serb i Milanit gjatë një interviste për rrjetin e kanaleve “Sky Sport”.
Ish-trajnerit të Sampdorias përpara se t’i etiketojë lojtarët që dëshiron të ketë në skuadër, i duhet që më parë të përcaktojë të ardhmen e tij. Nuk është e thënë se 46-vjeçari të jetë i ulur në stolin e kuqezinjve edhe në sezonin e ardhshëm, siç e ka thënë shpeshherë gjatë këtij sezoni dhe presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni.
Gjithsesi, Mihajloviç nuk bie në pesimizëm: “Për mua janë dy Berluskonë. Një është presidenti, ai që ka fituar më shumë se të gjithë në botën e futbollit dhe më pas, është Berluskoni si njeri, politikan dhe lider. Për mua është një fitore e madhe që kam mundësinë të flas çdo ditë me një njeri të jashtëzakonshëm si Silvio. Shpresoj që ky bashkëpunim të zgjasë akoma”.
Sinisha gjatë fjalës së tij i ka dedikuar edhe një paragraf mikut të vjetër, Roberto Mançini: “Para se të jetë një kundërshtar, Roberto është një shok. Kur luanin së bashku te Lacio, në sfidën kur shënova tri gola me goditje dënimi, unë dhe Roberto kishim vënë bast. Ai duhej të më paguante 1 milion lireta për çdo gol që do të shënoja, rrëfen Mihajloviç. Në fund të ndeshjes shkova te Roberto duke i vënë në dukje se duhej që të më paguante 3 milionë lireta për golat e mi. Ai më vështroi dhe më tha se do të më paguante vetëm 1 milion, pasi unë isha një mbrojtës dhe kishim pësuar dy gola gjatë asaj ndeshjeje. Në fund më dha vetëm 1 milion lireta”.
Ndërkohë, Milani kërkon Xherdan Shaqirin. Mediat italiane shkruajnë për tentativa nga klubi i Milanit që futbollisti me origjinë shqiptare që luan për Stoke Sitin (dhe kombëtaren zvicerane), të rikthehet në Milano. Sipas portalit të njohur “calciomercakoweb”, njohja e Galianit me futbollistin apo eksperienca e tij e mëparshme në Itali me Interin (në vitin 2015), mund të kthejë futbollistin te kuqezinjtë. Milani është gati të vërë bast për “ringjalljen” e lojtarit: Shaqiri ka talent, shpejtësi, driblon me një thjeshtësi dhe është interpretues ideal i 4-3-3 i Eusebio di Francesco.