Lacio ka nisur bisedimet me Bajern Mynih për të mundësuar transferimin e Arijon Ibrahimoviç në radhët e skuadrës bardhekaltër gjatë merkatos së janarit. Trajneri Marko Baroni e sheh si një lojtar që mund të përshtatet me skemën e tij me 3 futbollistë pas qendërsulmuesit dhe diskutimet janë në fazë të avancuar për huazimin me të drejtë blerje.
Këtë e ka theksuar edhe menaxheri i lojtarit, Riçard Verner, i cili ka pranuar për mediat italiane se sulmuesi shqiptar është shumë i lumtur për këtë mundësi të dytë në Serinë A, pas asaj në vitin e kaluar te Frozinone.
“Mund të konfirmoj se dy klubet kanë raporte shumë të mira për të mundësuar huazimin e lojtarit deri në fund të sezonit, por akordi nuk është finalizuar ende, meqë negociatat mes Lacios dhe Bajern Mynihut nuk janë mbyllur. Vetë Arijoni është entuziast për këtë mundësi dhe në veçanti për Lacion, meqë ka kaluar edhe më parë një eksperiencë në Serinë A”, tha menaxheri i lojtarit duke konfirmuar marrëveshjen që pritet të finalizohet mes klubeve.