Icardi grumbullohet nga Argjentina

Edhe pritja e gjatë e ka një fund. Te Argjentina ka ardhur momenti i Mauro Icardit. Kapiteni i Interit përjashto ndonjë të papritur të orëve të fundit sipas të gjitha gjasave do të grumbullohet nga përfaqësuesja albiceleste për 2 sfidat miqësore të muajit qershor ndaj Brazilit dhe Singaporit. Maurito është duke kaluar një nga periudhat më të këqija të karrierës së tij me Interin, me skuadrën zikaltër që është zhytur në një krizë të thellë rezultatesh duke humbur dinjitetin dhe tifozët dhe si kapiten sulmuesit 24-vjeçar i duhet të mbajë përgjegjësitë. Megjithatë në ditët në vijim siç raportojnë mediat argjentinase që qëndrojnë shumë afër ekipit përfaqësues, Icardi do të marrë lajmin e shumëpritur që do të jetë pjesë e La Selecion për dy sfidat e radhës.
Trajneri i ri Jorge Sampaoli, i cili pritet të emërohet zyrtarisht ditët në vijim e ka përfshirë kapitenin e Interit në listën e të grumbulluarve me Icardin që në këtë mënyrë do të ketë mundësi të tregojë vlerat e tij edhe te Argjentina. Bëhet fjalë për një rikthim të 24-vjeçarit te 2 herë kampionët e botës. Icardi është grumbulluar për herë të parë nga Argjentina në vitin 2013, me përfaqësuesen albiceleste që në atë periudhë drejtohej nga Sabella. Maurito debutoi në minutat finale të sfidës ndaj Uruguay, por që nga ajo periudhë nuk është grumbulluar dhe kjo nuk ka patur lidhje me paraqitjet e tij, por me çështjet jashtë fushës së blertë.

Artikulli paraprakBerisha, portieri më i mirë në Itali
Artikulli tjetërFitore me goleadë e Chelsea ndaj Watford