Icardi: “Jam shumë mirë tek Interi”

Mauro Icardi po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka shënuar 16 gola në 15 ndeshjet e luajtura të Serisë A dhe po tërheq vëmendjen e të gjitha skuadrave të mëdha europiane. Së fundi nga Spanja kanë folur shpesh për një interesim të fortë të Realit të Madridit, për transferimin që në janar të kapitenit të Interit, por vetë Icardi i ka mohuar këto lajme në një intervistë për mediat argjentinase.
“Interesimi i Realit më bën të ndihem mirë, sepse do të thotë që po paraqitem mirë, por nuk kam ndërmend aspak të largohem nga Interi. Te zikaltrit ndihem mjaft mirë, sepse jam kapiten i skuadrës, jam krye-golshënues dhe mbi të gjitha, jemi të parët në tabelën e renditjes. Çfarë mund të kërkoj më shumë?”, u shpreh Icardi.
Sulmuesi i Interit tregoi se është mjaft i lumtur për grumbullimin e vazhdueshëm në kombëtaren argjentinase, ndërsa tha se po punon për t’i shërbyer edhe në Botërorin ‘Rusi 2018’.
“Jam mjaft i lumtur për grumbullimin në kombëtare, sepse do të thotë që po punoj mirë dhe e meritoj. Nuk e kam shënuar ende golin e parë, por çdo ditë që punoj, mendoj edhe për botërorin ‘Rusi 2018’, ku kam shumë dëshirë të ndihmoj vendin tim”, tregoi kapiteni i Interit.
I pyetur nga një televizion argjentinas, “Telefe”, mbi interesimin e Realit të Madridit mbi shërbimet e tij, sulmuesi më në formë i Interit, Mauro Icardi është përgjigjur me një refuzim.
“Jam shumë mirë në Itali. Jam i pari si golashënues, por edhe i pari në klasifikim me Interin. Çfarë duhet të kërkoj më shumë?”.
Më tej, Icardi konsideron si një vlerësim madhor edhe grumbullimin në kombëtare. “Falë formës së mirë që po kaloj kam fituar edhe grumbullimin tek Argjentina. Besoj se është një vlerësim shumë i mirë për ato që kam bërë deri tani, me fanellën e Interit. Për momentin, gjithçka po shkon mirë, e shpresoj që të mund të vazhdoj me këto ritme”.
Me këto pak fjalë, duket se argumenti për një interesim të mundshëm në merkato ndaj futbollistit argjentinas merr fund. Ato mjaftojnë sa për t’i dhënë fund spekulimeve nëpër media, duke evituar kështu thashethemet e Realit të Madridit, rinovimin me përmirësim të klauzolës së prishjes së kontratës mes Icardit dhe Interit, por edhe për të lënë “rehat” një futbollist të madh dhe një klub pretendent.
Ndërkohë, edhe drejtori sportiv i Interit, Ausilio, kishte shpjeguar të dielën në mbrëmje se nuk ka marrë kurrë kërkesa, qoftë edhe formale, nga Reali për Icardin. Por, duket se shkëndijat për këto thashetheme i ka ndezur vet bashkëshortja e futbollistit, njëkohësisht menaxhere e tij, Wanda Nara, sipas së cilës po bëhet gjithnjë e më e nevojshme për të rishikuar klauzolën e kontratës me Interit, për ta rritur atë.

Artikulli paraprakSpalleti si Mourinho!
Artikulli tjetërFondacioni gjerman: Në Shqipëri, hijet e komunizmit kanë kapur shtetin