ICC, fitore për PSG, Milanin dhe Chelsean

Në International Champions Cup ritmin e dikton Paris Saint Germain. Skuadra e Unay Emeri pasi mposhti 3-1 Interin disa ditë më parë me të njëjtat shifra kaloi edhe Realin e Madridit, duke treguar edhe një herë tjetër se është më para me përgatitjet. Për t’u ngjitur në vendin e parë në grupin e Amerikës së Veriut ku bëjnë pjesë 10 skuadra, kampionët e Francës diktuan ritmin edhe ndaj kampionëve të Europës. Nëse ndaj Interit shkëlqeu Serge Aurier këtë herë ishte një tjetër mbrojtës që spikati, pikërisht belgu i afruar së fundmi nga Club Brugge, Thomas Meunier. Serinë e golave në fakt e hapi talenti Ikone pa u mbushur ende dy minuta lojë.
Me një Real që kishte shumë më tepër mungesa se Parisi formacioni i Emery shënoi edhe dy herë të tjera në pjesën e parë me Meunier. Në fundin e këtij fraksioni Marcelo ngushtoi avantazhin e skuadrës parisiene, pasi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, por vetëm kaq për Realin sepse në “Ohio Stadium” në Columbus gjithçka u mbyll me fitoren 3-1 të Paris Saint Germain-it.
Në Amerikë kishte festë edhe për Milanin e Vincenzo Montellës. Kuqezinjtë e nisën me këmbën e mbarë turneun veror International Champions Cup, pasi në Chicago mposhtën pas goditjes së penalltive Bayernin e Carlo Ancelottit. Ishte një spektakël i vërtetë sfida e zhvilluar në stadiumin “Soldier Field” me kohën e rregullt që përfundoi në barazim 3-3. Në të 23-tën Niang kaloi në epërsi Milanin, por të frymëzuar nga dyshja Ribery-Alaba baverezët përmbysën rezultatin që në pjesën e parë.
Fillimisht francezi barazoi shifrat në të 29-tën, ndërsa 7 minuta përpara fundit të pjesës së parë Alaba me një gol të bukur i dha avantazhin Bayern Munich. Por skuadra e Montellës nuk u dorëzua dhe sapo kishte filluar pjesa e dyta barazoi rezultatin në 2-2 me Bertolaccin përpara se Kucka në të 61-tën të kalonte sërish në epërsi Milanin. Për ta çuar ndeshjen te penalltitë mendoi Franck Ribery që në të 90-tën realizoi nga pika e bardhë duke barazuar shifrat në 3-3. Në goditjet e 11-metërshave kuqezinjtë u treguan më të saktë, duke realizuar të gjitha me radhë, madje Kucka në versionin Panenka, ndërsa Donarumma arriti t’i priste penalltinë mbrojtësit të Bayernit Rafinha për t’i dhënë fitoren 5-3 pas penalltive Milanit.
Në “Rose Bowl” të Pasedenas në Kaliforni buzëqeshi Chelsea. Skuadra e Antonio Contes mundi me rezultatin 1-0 Liverpoolin e Jurgen Klopp në sfidën tjetër të vlefshme për International Champions Cup. Një gol i Gary Cahill pas asistit të Fabregas në minutën e 10 mjaftoi për t’u dhënë fitoren e parë në këtë turne Bluve të Londrës.

Artikulli paraprakNjë shkrirje midis Telecom Italia dhe Mediaset
Artikulli tjetërRashica pëlqehet nga Ajaxi