Idea e keqe ta prishësh Europën

Një bashkëbisedim me Anne Applebaum

Vetëm pse diçka nuk mund apo nuk funksionon, kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk do të përpiqen ta bëjnë atë, thotë gazetarja amerikane dhe fituesja e Çmimit Pulitzer, Anne Applebaum: vetëm pse është ide e keqe ta prishësh Europën nuk do të thotë se njerëzit nuk do të përpiqen ta bëjnë.

-Në një prej artikujve tuaj në “Washington Post” ju shkruani: “Ne jemi 2 apo 3 zgjedhje të këqija nga mbarimi i NATO-s, i Bashkimit Europian dhe ndoshta i rendit botëror liberal siç e njohim”. Gjithashtu thoni se sikur Donald Trump fiton emërimin republikan, atëherë duhet të mendojmë seriozisht rreth rrezikut të një Presidenti Trump, për shkak se, “zgjedhjet janë të lezetshme dhe elektoratet janë kapriçozë”. Por Trump nuk arriti aty ku është tashmë pse “zgjedhjet janë të lezetshme dhe elektoratet janë kapriçoze”. Cilat janë arsyet prapa këtij popullariteti?

Shkrova se, “zgjedhjet janë të lezetshme” saktësisht, sepse është gjithmonë gabim të përpiqesh të parashikosh sesi do të votojnë njerëzit. Asnjeri nuk mendonte se, ndonjë do të votonte për Trump, një biznesmen njujorkez i famshëm për vulgaritetin dhe pazaret e dyshimta të tij, por ja ku jemi tani. Për të shpjeguar se pse ka ndodhur një gjë e tillë, mendoj se duhet të fillojmë të shqyrtojmë pakënaqësinë që kanë prodhuar kandidatët antiestablishment në të dyja partitë kryesore politike amerikane, edhe pse do të thoja se burimet e kësaj pakënaqësie janë nga më të ndryshmet. Nëqoftëse do të detyrohesha të zgjidhja midis tyre, do të numëroja 5 të tilla, duke filluar me argumentin se tani po përjetojmë një reagim të vonuar ndaj rënies ekonomike të 2008. Në kohën kur ndodhi, për arsye të kuptueshme, qeveria amerikane u ndje e detyruar që ta shpëtojë industrinë bankare: Shumë besonin se në rast se sistemi bankar binte, atëherë e gjithë ekonomia do të binte. Por përshtypja që shumë njerëz kishin që, se bankierët u shpëtuan, ndërkohë që shumë amerikanë humbën shtëpitë e tyre. Mëria e shkaktuar prodhoi lëvizjen “Occupy Wall Street” dhe ka ushqyer gjithashtu mbështetje për kandidaturat “antiestablishment” si të Trump, ashtu edhe të Bernie Sanders.

-Mbështetja për Sanders dhe për Trump është e lidhur me të njëjtat shkaqe?

Po, mendoj se të dy përfaqësojnë një kërkim të përgjithshëm për zgjidhje të “reja”. Anipse ekonomia sigurisht që na jep vetëm një shpjegim të kufizuar, përderisa nuk na tregon se pse Trump në veçanti po përfiton nga kjo valë pakënaqësie dhe jo dikush tjetër.

-Atëherë cilat janë arsyet e tjera për popullaritetin e tij?

Së dyti, ai është produkt i faktit që lidershipi i Partisë Republikane u rrit ideologjikisht shumë larg votuesve të saj. Pikëpamjet e partisë janë shumë në linjë me ato të komunitetit të biznesit – ato janë për reduktimin e qeverisjes, dhënien fund të kujdesit publik shëndetësor dhe promovimin e disa shkallëve të emigracionit, që gjithmonë kanë qenë mirë për biznesin. Gjithashtu, ajo është një parti pikëpamjesh sociale tradicionale në mënyrë që të tërheqë elektoratin e klasës me të ardhura më të ulëta, por të varfërit amerikanë e pëlqejnë kujdesin publik shëndetësor dhe përfitimet e pensionit. Ndryshe nga republikanët, Trump nuk është kushedi sa i interesuar në prishjen e kësaj statuskuoje. Kjo u ka pëlqyer njerëzve.

-Po për emigracionin?

Reagimi ndaj emigracionit është interesant për shkak se po ndodh në një kohë kur emigracioni aktualisht po bie. Dyshoj se ndjenjat më të forta rreth “të huajve” janë në fakt të lidhura me diçka tjetër: një përplasje kundër Presidentit të parë zezak. Nuk është rastësi që fitorja e Obama-s nuk është pranuar asnjëherë si legjitime nga një pjesë, çuditërisht e madhe e popullsisë. Shumë njerëzve ju duk se përmbysi rendin tradicional të gjërave, sikur në një farë mënyre amerikanët e bardhë kishin humbur pozicionin drejtues të tyre. Trump i ka apeluar drejtpërsëdrejti këtij zemërimi racist.

-Ai as edhe nuk e denoncoi menjëherë mbështetjen që mori nga Mjeshtëri i Madh i Ku-Klux-Klan. Tha se duhej të verifikohej se kush ishte ky person…

Babai i tij kishte të gjitha llojet e pikëpamjave radikale supremaciste të bardha. Trump luan me ndjenja të ngjashme.

-E megjithatë fiton midis minorancave etnike…

Kjo nuk është e vërtetë.

-Në Nevada, ai mori 44 për qind të votave midis hispanikëve, fitoi në shtete me popullsi të mëdha afroamerikanësh…

Ndoshta shumë pak njerëz në Nevada votuan për të, por mendoj se kush po e voton tani: republikanët e regjistruar që e vrasin mendjen aq shumë sa të shkojnë të votojnë. Kjo është një përqindje e vogël e popullsisë dhe nga kjo përqindje e vogël numri i njerëzve që janë hispanikë është jashtëzakonisht i vogël. Shumica e hispanikëve dhe e afroamerikanëve nuk kanë votuar akoma dhe nuk besoj se do të votojnë për të.

-Faktori i katërt?

Faktori i katërt është kulturor. Kohët e fundit kam lexuar një biografi të Ronald Reagan që përmbante goxha shumë material lidhur me Reagan dhe Hollywood. Biografia argumentonte se Reagan nuk ishte vetëm i tërhequr pas vlerave të Hollywood në vitet Pesëdhjetë, ai luftoi që t’i mishëronte ato.

-Cilat vlerat?

Se e mira triumfon gjithmonë ndaj së keqes, se është e rëndësishme të jesh i sjellshëm dhe i mirë, se ekziston një kod i qartë sjelljeje morale. Këto vlera dominonin kulturën kryesore amerikane në atë kohë dhe Reagan i simbolizonte ato. Njerëzit mund ta shikonin atë – dhe ai realisht e shihte veten – si një kaubojs filmash në të cilën të mirët fitonin dhe të këqinjtë humbisnin. Trump është produkt i një kulture mediatike të ndryshme, një kulturë celebriteti që vlerëson vulgaritetin dhe eksesin. Ai po i luan zgjedhjet jo si një film Hollywood, por si një reality televiziv ku personi më i zhurmshëm, më skandaloz dhe më mizor fiton dhe ky është konteksti që kuptojnë njerëzit tani.

-Disa konservatorë thonë se triumfet e Trump janë fajet e liberalëve, sepse ata janë prapa këtij procesi degjenerimi të kulturës mediatike.

Është më e komplikuar se kaq. “Kompleksi i argëtimit konservator”–Fox Television, emisionet e djathta me biseda radiofonike – ka ndihmuar gjithashtu që të krijohet vulgariteti në hapësirën publike, ashtu si edhe zemërimi. Shumë prej tij – dhe këtu mund të hiqet një paralele me Poloninë – mbështetet mbi mendimin konspirativ. Emisionet e djathta të bisedave radiofonike nisën për shembull lëvizjen e “lindjes së Presidentit”, që argumentonte se Barack Obama realisht nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara, se ishte një President ilegjitim, kenian, mysliman. Shumë e kanë harruar se, Trump bëri emër në ciklin më të vonshëm politik nëpërmjet bërjes jehonë të kësaj teorie konspiracioni dhe duke pretenduar se Obama realisht nuk ishte amerikan.

-Që natyrisht rezultoi të jetë e pavërtetë.

Po, ama një pjesë e publikut nuk e vret mendjen më për të vërtetën. Që më çon mua në një faktor të pestë: vdekjen e asaj që dikur quhej “media kryesore”. Megjithse të dënuara me të drejtë për vetëkënaqësi dhe parashikueshmëri, gazetat e mëdha dhe emisionet e rëndësishme dikur luanin një numër rolesh të rëndësishme. Ato shërbenin si filtra, duke eliminuar shumicën e teorive konspirative nga debati qendror. Gjithashtu, ato krijuan mundësinë e një bashkëbisedimi kombëtar. Kur çdo njeri në Shtetet e Bashkuara shikonte të njëjtat programe lajmesh në orën 6 të mëngjesit, atëherë të paktën mund të diskutonin të njëjtat çështje më pas. Natyrisht që kjo kishte problemet e saj – fusha e diskutimit ishte e kufizuar, por ama kishte edhe avantazhe. Tani – jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në shumicën e vendeve të tjera – nuk ka asnjë narrativë të përbashkët. Njerëzit nuk kanë të njëjtat fakte – njëri grup mendoj se një numër gjërash janë të vërteta, tjetri beson diçka krejtësisht ndryshe. Ekzistojnë pak përjashtime nga kjo tendencë ndërkombëtare: një prej arsyeve që Britania nuk ka parti të ekstremit të djathtë të fuqishme i detyrohet BBC-së. Anipse është një institucion me difekte, BBC-ja i bashkon njerëzit dhe të paktën teorikisht përpiqet që të verifikojë fakte dhe të jetë objektive.

-Por në shumicën e vendeve, nëqoftëse nuk e pëlqejnë atë çka thonë mediat kryesore, njerëzit lehtësisht mund të tërhiqen në qoshet e tyre.

Një prej gjërave të para goditëse që tha Trump gjatë fushatës së tij qe më 11 shtator, “mijëra” myslimanë u mblodhën në anën tjetër të lumit, në New Jersey, dhe festonin teksa World Trade Center digjej. Kjo nuk është e vërtetë, thjesht nuk ka ndodhur. Por nëqoftëse shkoni në vende të caktuara të uebit mund të gjeni lehtësisht artikuj në turma myslimane që festojnë pas 11 shtatorit. Pastaj mund të jeni pjesë e një komenti në Twitter, faqe Facebook apo grupi e-mail, ku njerëzit e përsërisin këtë mesazh. Ju mund të jetoni në një botë në të cilën çdo njeri rreth jush bie dakord se qenë mijëra njerëz që festonin nëpër rrugë atë ditë dhe nuk ka asnjë mënyrë ta hedhësh poshtë. Mediat sociale u lejojnë njerëzve të jetojnë në realitete të ndara. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar rritjen aktuale të populizmit.

-Ku do të na çojë ky proces? Me qëllim që të ruajnë një demokraci funksionale, njerëzit duhet të kenë diçka të përbashkët dhe të bien dakord për rregulla bazike të qarta.

Kjo është arsyeja se pse kushtetutat janë kaq të rëndësishme dhe pse shkelja e tyre është kaq e rrezikshme. Nëqoftëse partitë politike përpiqen t’i ndryshojnë ato nëpërmjet shkeljes së rregullave, atëhere ne na mbetet kaosi.

-Ju renditët arsyet prapa ngjitjes së politikanëve të tillë si Trump, por shumë analistë argumentojnë se gjithçka mund të reduktohet në një të vetëm: gjendja e ekonomisë. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me rënien e 2008, por më shumë me politikat ekonomike e 30–40 vitet e fundit që shtrydhën dhe varfëruan jo vetëm të varfërit, por të gjithë shtresën e mesme.

Po, sigurisht që kjo është pjesë e historisë, por nuk më pëlqen ta reduktoj gjithçka tek ekonomia.

-Ama nëqoftëse shikoni tek statistikat, vëreni se e ardhura reale e një familjeje të zakonshme amerikane po bie, se pabarazia në Shtetet e Bashkuara po rritet, se vlera e krijuar nga rritja e GDP-së shkon kryesisht për 1 përqindëshin në majë të shoqërisë…

Por kjo qe gjithashtu e vërtetë 8 vite më parë dhe rezultati qe që njerëzit zgjodhën Obama-n. Kështu, fakti i pabarazisë në rritje nuk mund të shpjegojë tërësisht se pse njerëzit tani po votojnë për Trump, sidomos sepse nuk po u ofron ndonjë përgjigje njerëzve në anën e poshtme të spektrit. Ai nuk shpjegon sesi do ta ndryshojë ekonominë dhe do ta bëjë më të barabartë. Ai nuk përfaqëson asnjë ide ekonomike. Gjithçka ku fokusohet ai ka të bëjë me ndërtim muresh dhe përzënie emigrantësh, që sigurisht nuk mund ta zgjidhin problemin e klasës së mesme të shtrydhur.

-A nuk do të thonit – siç pretendojnë shumë gazetarë dhe komentatorë të majtë, se Shtetet e Bashkuara nuk janë më toka e mundësive siç ishte dikur në vitet Pesëdhjetë e Gjashtëdhjetë, dhe se ëndërra amerikane ka marrë fund?

Jam aq në moshë se të kujtoj njerëz që thonin se ëndërra amerikane kishte mbaruar në vitet Shtatëdhjetë, koha e krizës së parë të madhe të naftës, lufta në Vietnam, Watergate, etj. Ne kemi kaluar shumë valë frustrimi të prodhuar pretendimet se ëndërra amerikane kishte mbaruar, por që çdo herë prodhoi rezultate politike të ndryshme. Sërish, vetëm ekonomia nuk mjafton për të shpjeguar se pse njerëzit po votojnë për Trump.

-Megjithatë ju mendoni se ai është më i rrezikshëm sesa të gjithë kërcënimet e mëparshme. “Në jetën time të rritur, nuk e kujtoj një moment kaq dramatik sa ky”, shkruani ju.

Po mendoja më gjerë për kërcënimin ndaj Perëndimit dhe aleancës perëndimore, jo vetëm nga Trump, por nga Marine Le Pen dhe populistë të tjerë që nuk besojnë më tek NATO, nuk e vrasin mendjen për aleatët tradicionalë dhe duan që vendet e tyre të tërhiqen nga bota. Trump nuk është izolacionisti i parë në politikën amerikane, por është i pari që fitoi kaq shumë momentum në një kohë të gjatë, izolacionizmi ka qenë një argument periferik në politikën amerikane qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, por tani papritmas është bërë qendror.

-Pse nuk mundin liderët e Partisë Republikane ta shtrëngojnë që të tërhiqet? Kur lexoni lidhur me politikën amerikane, pothuajse çdo autor thotë se mbështetet nga paraja e madhe.

Kjo dukshëm që nuk është e vërtetë… Nëqoftëse mund t’i blinit zgjedhjet, atëherë Jeb Bush do të ishte tashmë kandidati.

-Kandidatura e Trump dhe ajo e Bernie Sanders, por për arsye të ndryshme, tregojnë se problemi është më i komplikuar.

Edhe Obama nuk e kishte paranë e madhe prapa kur filloi për herë të parë fushatën.

-Ku janë tani donatorët më të mëdhenj republikanë?

Ata humbën, luajtën për kandidatët e gabuar dhe kjo i largoi njerëzit. Kjo është një arsye tjetër, se pse njerëzit kanë mbështetur si Trump, ashtu edhe Ted Cruz: realisht votuesit nuk e pëlqenin idenë se donatorët e Partisë Republikane donin që ta blinin paraprakisht emërimin e Jeb Bush. Për të njëjtën arsye, shumë votues të Partisë Demokrate nuk duan ta mbështesin Hillary Clinton. Influenca e parasë së madhe ka dhënë efekt të kundërt. Sa më shumë para që shpenzoni, aq më shumë zemërohen njerëzit.

-A mundet gjithsesi të na thoni se ku është një triumf i demokracisë amerikane dhe se ai që po dëgjojmë tani është zëri i njerëzve të thjeshtë të vërtetë?

Mendoj se mund të biem dakord që demokracia amerikane nuk është e manipuluar. Por ajo çka është frikësuese është se Trump po fiton nëpërmjet përdorimit të gjuhës përçarëse, të një gjuhe që nuk e kemi dëgjuar për shumë dekada dhe se vetë ai as nuk po pretendon se po u ofron ndonjë zgjidhje problemeve të Amerikës. Kështu që nuk jam e sigurtë nëse “triumfi” është fjala e duhur.

-Në Europë ne mund të shikojmë gjithashtu një kthesë nacionaliste në shumë vende. Shumë njerëz, përfshi ju, pretendojnë se për shkak të krizave që po përjeton tani Europa – kriza e euros, kriza e emigrantëve, lufta në Ukrainë – ne na nevojitet më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, jo më pak. Kjo është saktësisht në kundërshtim me gjendjen sociale – njerëzit duan të kthehen tek shtetet kombe ashtu siç i njihnim. Pse?

Globalizimi i ka bërë njerëzit të pasigurtë: ata ndjejnë se nuk janë më në kontroll të asaj që po u ndodh. Një fabrikë mund të mbyllet diku në Anglinë veriore për shkak të një vendimi që dikur ka marrë në Kinë. Një ide që dikush ka në Francë mund të influencojë dikë në Indi. Ndjenja e humbjes së kontrollit mbi fatet e tyre politike dhe ekonomike i ka bërë njerëzit të konkludojnë – gabimisht, mendoj unë – se përgjigja e vetme është kthimi prapa tek shtetet – kombe.

-E Majta do t’u thoshte ju se është saktësisht dështimi i të djathtës së tregut të lirë që hoqi të gjitha barrierat e kapitalit dhe të gjitha mbrojtjet sociale.

Ama e Majta nuk ka ofruar as edhe një alternativë reale. Në të vërtetë, idetë e majta që kanë dështuar në të kaluarën – për shembull, shtetëzimi i industrisë – janë ringjallur nga e djathta ekstreme. Shumë prej politikave ekonomike të Marine Le Pen mund të ishin shkruar nga marksistë në vitet Pesëdhjetë, njëlloj si politikat ekonomike të PiS. E Mjata është zhdukur, por këto ide jo. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të bëhen dallime midis vendeve të ndryshme. Për shembull, në Poloni nuk mund të argumentoni se rritja po shkon keq, pasi nuk po shkon dhe nuk ekziston absolutisht asnjë masë nëpërmjet së cilës të dalë se shumica e polakëve janë më të varfër sot sesa 15 vite më parë. Kështu, që të shpjegosh ngjitjen e së djathtës ekstreme dhe refuzimin e tregut të lirë në Poloni, ju duhet të shikoni diku tjetër – shpjegimi ka nevojë të jetë të paktën pjesërisht kulturor, politik apo psikologjik, jo vetëm ekonomik

-Po për Britaninë? Ju e njihni mirë vendin, bile ju edhe i njihni personalisht mbështetësit më të fuqishëm të Brexit-it. Cila është linja e tyre e mendimit?

Brexit-i është një histori tjetër në të cilën argumentet më të rëndësishme nuk janë ekonomikë. Nëqoftëse i mëshoni shumë mbështetëses të Brexit-it – dhe unë e kam bërë – ata do të pranojnë herët apo vonë se lënia e Bashkimit Europian mund të jetë keq për Britaninë në termat ekonomikë. Por nuk e vrasin mendjen. Në thelb nuk është për ekonominë.

-Po për çfarë është atëherë?

Është për një ide të Britanisë si komb, është për idenë se “askush nuk mund të na tregojë çfarë të bëjmë”.

-Por edhe sikur të largohen, njerëzit do t’u thonë çfarë të bëjnë?

Sigurisht dhe ku është problemi me gjithë këtë lëvizje, këtë dëshirë të zjarrtë për të rikthyer shtetet – kombe. Nëqoftëse Britania largohet nga Bashkimi Europian, kjo nuk do të thotë se vendimet e marra në Bruksel nuk do t’i prekin britanikët. Vetëm sepse doni të jenë të lirë nga influenca ndërkombëtare, kjo nuk do të thotë se është e mundur ta riprovosh përsëri. Paradoksalisht, Britania ka humbur goxha nga aftësia e saj për të influencuar ngjarjet vetëm nga nisja e bisedës rreth Brexit-it. Ajo nuk ka asnjë rol në bisedën sesi të zgjidhet kriza e emigrantëve, nuk ka luajtur asnjë rol në bisedimet me Rusinë. Britania e ka mënjanuar veten.

-Bile edhe sikur të largohen nga Bashkimi Europian, ata do të kenë të njëjtat probleme siç i kanë tani?

Sigurisht. Largimi i vetes nga debati nuk do të thotë se debati nuk do t’ju prekë aspak. Nëqoftëse Britania dëshiron të bëjë tregti me Europën, ajo do të duhet të pranojë rregullat e Tregut të Përbashkët, por pa pasur ndonjë influencë në mënyrën sesi bëhen. Është gjithmonë mjaft dritëshkurtër ta largosh veten, për shkak se nuk të ndihmon që të ndërtoni aleancat për të cilat mund të keni nevojë në të ardhmen. Kjo është arsyeja se pse refuzimi i Polonisë qoftë edhe për të diskutuar krizën e emigrantëve, le më pastaj gjetjen e mënyrave për ta zgjidhur atë, është një gabim kaq i madh. Sigurisht, refugjatët nga Lindja e Mesme nuk janë problemi i juaj tani për tani, ata janë problem i Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë. Por po sikur Rusia të bëhet sërisht agresive dhe ju papritmas të keni nevojë për vullnetin e mirë të Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë?

-Nëqoftëse Rusia dërgon sërish trupa në Ukrainën lindore…

Në këtë rast, për shembull, mund të keni nevojë që Italia, Greqia dhe Gjermania të bashkëpunojnë me ju në zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë apo në rënien dakord për të aktivizuar planin mbrojtës të NATO-s. Polonia nuk mund të mbrohet pa trupa europianoperëndimore dhe pikërisht tani ju po largoheni nga Europa Perëndimore. Kjo është ajo çka është e rrezikshme në kthesën aktuale antieuropiane për Poloninë. Ju nuk e keni luksin, siç e kanë britanikët, që të habiteni nëse jeni apo jo pjesë e Europës: nuk jeni ishull në Atlantik. Nëqoftëse nuk jeni pjesë e Europës, jeni të prekshëm ndaj presionit ekonomik dhe politik të Rusisë.

-Atëhere pse njerëzit po marrin këto lloj vendimesh?

Ndoshta gjërat po shkonin shumë mirë dhe njerëzit e kishin harruar sesi qenë gjërat përpara se të kishte institucione ndërkombëtare që i ndihmonin vendet të ndanin përgjegjësitë. Është instinkt njerëzor që marrësh energji nga lëvizje revolucionare. Njerëzit e pëlqejnë dramën: nuk është aspak interesante të kesh parti të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë që alternohen rregullisht në qeveri. Megjithëse, sigurisht, do të mëshoja faktin se të paktën në Britani, Francë dhe Gjermani partitë establishment janë ende në pushtet. Angela Merkel është akoma politikania drejtuese dhe qendra ende gëzon mbështetjen e shumicës.

-Ama ju vetë shkruani se ne mund të kishim qenë dy apo tri zgjedhje nga prishja e Perëndimit.

Për shkak se politikanë të djathtë ekstremë antiestablishment francezë dhe gjermanë fare mirë mund të kishin fituar, edhe pse nuk përfaqësojnë shumicën, dhe më pas gjithçka mund të ndodhë. Shiko se çfarë sapo ka ndodhur këtu. Njerëz në Europë rrinë duke më pyetur: Pse ka ndryshuar Polonia? Pse është bërë papritmas antieuropiane?

-Cila është përgjigja juaj?

Them se ajo nuk ka ndryshuar. PiS nuk bëri një fushatë elektorale antieuropiane. Njerëzit nuk menduan se po votonin një qeveri antieuropiane. Por edhe pse shumica e polakëve nuk duan ta lënë Europën, kjo është atje ku po e çon tani retorikë e qeverisë dhe kjo është atje ku mund ta çojë vendin, edhe pse ende nuk e ka kuptuar akoma. PiS ka arritur tashmë të krijojë përshtypjen e një hendeku qytetërues midis Polonisë dhe Europës Perëndimorë, diçka që mendoja se realisht kish mbaruar përgjithmonë.

-Politikanët populistë nuk e vrasin mendjen për pasojat?

Fakti që diçka nuk mund të funksionojë apo nuk funksionon nuk do të thotë se njerëzit nuk do ta përpiqen ta bëjne atë. Fakti që është një ide e keqe ta prishësh Europën nuk do të thotë që njerëzit nuk do të duan ta provojnë një gjë të tillë. Nëqoftëse shikoni prapa në vitet Tridhjetë, ju mund të shikoni se pse a majta ekstreme dhe e djathta ekstreme u rritën aq shumë atëherë. Ekzistonte një përbuzje universale dhe lodhje me demokracinë liberale. Njerëzit qenë të frustruar me faktin që sistemi nuk po jepte rezultate shpejt sa duhej. Bashkimi Sovjetik dukej si një alternativë e mirë për disa dhe Gjermania naziste për të tjerë. Pothuajse çdo vend në Europë filloi të shohë sharmin e alternativave.

-A mendoni se kjo ndodh për shkak se njerëzit tentojnë të harrojnë?

Po dhe rritja aktuale e një të djathte radikale që propozon politika ekonomike radikalisht të majta është absolutisht dëshmi që njerëzit harrojnë. Mund ta përsërisni të njëjtin gabim, gjithnjë e më shumë. Dhe ndoshta kjo do të ndodhë.

(Nga Kulturna Liberalna)

Artikulli paraprakTë pushtuar nga kompjuteri!
Artikulli tjetërBashkëjetesa me robotët