Idealizimi fatkeq i demokracisë!

Nga Ben Andoni

Po të shikosh me kujdes his torinë e së majtës shqiptare, formacionet e së cilës u mbijetuan më shumë zhvillimeve politike në Shqipëri, ke pasqyrimin real të kuptimit për demokracinë dhe sesi individi shqiptar e konceptoi\on atë. Përçarja dhe lufta për pushtet janë elementët kryesorë të saj. E Djathta ka ende nevojë për shqyrtime dhe një lloj evidentimi të personazheve të saj më të njohur dhe si e perceptonin ata demokracinë. Historia i damkos shpesh me të drejtë e pa të drejtë. Anipse, të dyja vijat ideologjike i kanë borxh Shqipërisë me këtë ngarendje për pushtet absolut, kinse të pështjellë me demokraci.

Votimet e fundit kanë sjellë atë që shumë e parashihnin dhe paramendonin: fitoren e PSsë dhe ankesat e PD-së, ardhur nga pozicioni shumë i fortë i kundërshtarëve të tyre, të cilët për hir të së vërtetës e përdorën bujarisht. KQZ-ja dhe Apeli i saj i duhet të përballë tani ankesat për vjedhje, deformime, rinumërime dhe akuza nga të gjitha anët. Deri në bezdi dhe banalitet. Në një shfrim dhe shembull të pavetëdijshëm alla Frojd, kryetari i opozitës Sali Berisha ka përmendur votimet e kohës së komunizmit në orët e fundit: “Administrimi më i përsosur i zgjedhjeve bëhej vetëm në diktaturë, po, ishte perfekt. Ishin të sinqertë ata, flisnin vetëm për votim, votim. Se s’kishte garë, ishin të ndërgjegjshëm për atë ata. Por për administrimin ishin të përsosur ata. Me helikopter dhe ushtri, i çonin deri në pikat më të larta, i filmonin, që ia organizimi”, – duke i lënë me gojëhapur gazetarët, shumë syresh të lindur pas viteve ‘90!

Në fakt, ka një të vërtetë për zgjedhjet në Shqipëri, pasi ato që u realizuan në vitin 1992 dhe u administruan nga PS-ja, e sapodalë nga PPSH-ja, i dhanë plot 92 mandate demokratëve, krahasuar me 38 mandatet e PSsë, asokohe në fund të krediteve të saj. Qysh atëherë, ky rezultat nuk është përsëritur përveç minimumit të mandateve që kapi PDja në vitin 1997, pas katrahurës së paimagjinueshme të Piramidave të Fajdeve, ku ishte protagoniste.

Po pse zgjedhjet tona nuk kanë prodhuar dot asnjëherë njohje absolute nga humbësi dhe pse ende nuk i lidhim si ushqyes për demokracinë?! Shqipëria nuk është ndarë dot nga e shkuara dhe këtë e përshfaq bindja e verbër e shumë anëtarëve ndaj kryetarëve aktualë Berisha dhe Rama që është e pamatë. E tillë ishte bindja në socializëm që gjoja tashmë e dënojnë. “Është shumë e lehtë të dënosh një sistem, sidomos kur ai është i shembur. Besoj se është me interes më të madh të përpiqesh që të perceptosh dhe të kuptosh mekanizmin njerëzor të nënshtrimit”. Janë fjalët e shkrimtarit të njohur rumun Norman Manea, një vlerësues i Kadaresë dhe mbase një nga njerëzit që mundësuan referatin e shkrimtarit tonë në Bard College. Duke e njohur mirë realitetin ballkanas në një intervistë për shkrimtarin e njohur grek, Anteos Hrisostomidhis, do t’i përgjigjet hidhur, pasi e di që kjo është e pamundur në Ballkan: “Ç’është demokracia? Demokracia është në thelb një strategji kompromisi. Demokracia nuk është domosdo e dëlirë, as me çdo kusht më e lartë nga pikëpamja morale. Por ama ajo përpiqet të gjejë një zgjidhje të mesme midis dëshirave të ndryshme, midis mendimeve të ndryshëm”.

Realisht, zgjidhjet e mesme janë të parealizueshme në Shqipëri, pasi z. Berisha sot i jep vetes fuqi misionare!! Kurse z. Rama është më “pragmatist”, teksa shprehet se do të largohet kur të dëshirojë vetë! Në kurriz të kujt, luhet ky perceptim i tyre për demokracinë?! Cili po e vuan këtë qasje të politikanëve tanë, të cilët na dhuruan spektaklin e radhës, kur në sesionin e fundit “e nikoqirizuan” në harkun e vetëm 15 minutave? Çfarë mbetet për publikun dhe humbjen e shpresës?! Kjo është dilema më e madhe, kur dëgjon tashmë ligjërimin anektodik dhe të rrallë të Ramës dhe ankimimet e stërlodhura të Berishës. Demokracia që s’është demokraci?!

“Demokracia është një term që përdoret më lehtë sesa përkufizohet. Nëse do të thotë ‘sundim nga populli’, kjo e lë të hapur se çfarë forme duhet të marrë ‘rregulli’, që mund të variojë nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në vendimmarrje, deri te thjesht përmbushja e interesave të dikujt (Lively, 1975). Po kështu, shkalla e përfshirjes së ‘popullit’ është një çështje që kërkon debat. Për shkak se demokracia shihet se sjell barazi politike, se kufizimet e ‘popullit’ sipas pronës ose gjinisë dënohen universalisht, ndërkohë që kufizimet ndaj qytetarëve shpesh pranohen”, – shkruan Chris Pickvance nga University i Kent në artikullin “Decentralization and Democracy in Eastern Europe: A Sceptical Approach” (Decentralizimi dhe Demokracia në Evropën Lindore: Një Qasje Skeptike).

Në këtë momente, në Shqipëri, populli e ka mbaruar punën e tij të votimit dhe tashmë janë strukturat e zgjedhjeve që mbartin përballjen me ligjshmërinë e këtyre votimeve dhe mbi të gjitha të ardhmen, porse publiku nuk e ushtron dot më pushtetin e vet. Tashmë vota e tyre merret dhe administrohet nga kryetarët e partive që vendosin mbi deputetët dhe i detyrojnë në seanca për uniformimin e votimit, kurse votuesit e tyre janë këtej e tutje të pallogaritshëm. Kur mendon dhe pamundësinë e referendumit, sovranitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë të publikut, atëherë bindesh se në këtë demokraci ka vetëm zhgënjim. “Me pak fjalë, një zgjidhje është kufizimi i termit demokraci në një shtet ideal dhe të paarritur dhe futja e një termi të ri për sistemet politike që ekzistojnë aktualisht”. Kjo merr arsye për kushtet e Shqipërisë, paçka se politologu Dahl, të cilit i atribuohet ky përcaktim, e përkufizoi demokracinë të plotësuar me tetë tipare, lidhur pak a shumë me zgjedhjet, institucionet dhe qytetarët. Por në Shqipëri, kjo demokraci shpërfaq fytyrën e saj më të hidhur të idealizimit, e cila nuk shkon asfare me një realitet që po e jetojmë dhe po zhgënjehemi për ditë me shumë. E megjithatë, thoshte shkrimtari Manea, demokracia nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Ku ta dish, mbase edhe për fatin e idealizimit fatkeq të demokracisë nga ne që jemi ende larg koncepteve bazike të saj.

(Homo Albanicus) Dahl, R., A. (1971). Polyarchy. (Yale University Press. New Haven. CT) Lively, J., (1975). Democracy (Basil Blackëell, Oxford).

Artikulli paraprakVasalët që e mbrojnë Maqedoninë nga shqiptarët!
Artikulli tjetërNegociata të reja në Turqi për luftën në Ukrainë? Moska pritet të nisë delegacion