Mauro Ikardi është lojtari më i vlefshëm i Serisë A dhe “bomberi” që Interi kishte kaq shumë nevojë për t’u ringritur. Sulmuesi argjentinas arriti dy ditë më parë kuotën e 15 golave të shënuar në Serinë A, duke iu afruar kështu dy numrave nëntë që kanë bërë historinë me fanellën e Interit.
Me golin kundër Kievo Veronës, Ikardi dërgoi në 15 numrin e golave të realizuar këtë sezon. Ky është sezoni i tretë radhazi që argjentinasi shënon 15 a më shumë gola. Një rendiment të tillë në vitet e fundit tek Interi e ka pasur vetëm Kristian Vieri dhe Zlatan Ibrahimoviç. Italiani shënoi 18 gola në sezonin 2000-2001 (edicionin kur Interi zhgënjeu me Tardelin në pankinë).
Ndërkohë që, në sezonin pasardhës (2001-2002), Vieri shënoi 22 gola me ekipin që drejtoi Hektor Kuperi. Në edicionin 2002-2003, Vieri realizoi 24 gola dhe u shpall edhe kryegolashënuesi i Serisë A. Sa i përket suedezit, ai e hapi historinë e suksesit me Interin në sezonin 2006-2007, kur dha kontributin në titullin e fituar nga skuadra e Mançinit, duke shënuar 15 gola. Ibra ishte lojtari kyç i zikaltërve, edhe në dy sezonet pasardhëse kur shënoi 17 (më 2007-2008) dhe 25 gola (2008-2009).
Ikardi nisi që të ndërtonte famën e tij me Interin në sezonin 2014-2015, kur falë 22 golave të shënuar ndau “Këpucën e Artë” me Luka Tonin. Vitin e kaluar, argjentinasi ia doli që të regjistronte plot 16 herë emrin në tabelën e golashënuesve të kampionatit italian. Ndërsa në sezonin aktual, ai ka shënuar plot 15 herë. Ajo që u jep më shumë vlerë numrave të Mauritos është mosha e tij e re. Edhe pse vetëm 23 vjeç, ka arritur që të barazojë idhujt e tifozërisë zikaltër.