Ikje nga kolera, 60 mijë në BE në 2015

Shqipëria është një ndër 5 vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian. Ambasadori austriak në vendin tonë Johan Sattler  iu referua statistikave sipas të cilave gjatë  vitit 2015, 60.220 qytetarë shqiptarë aplikuan për azil, nga të cilët 33.5% ishin minorenë të pashoqëruar që mbartnin rriskun e kërcënimit dhe abuzimit. “Sipas EUROSTAT trendi i azilkërkuesve u intensifikua në vitin 2015, ku Shqipëria ishte një ndër 5 vendet e para të prekura nga ky fenomen. Nga 60 mijë persona që aplikuan për azil, 33.5% ishin të mitur. Rikthimi vullnetar  pas refuzimit të kërkesës për azil është shtuar në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit të 2016, ku numri i qytetarëve të kthyer është 20.700  për 2015 dhe 7544 për vitin 2016” tha Johan Sattler. Por çfarë ndodh më këto familje të rikthyera në Shqipëri? Pjesa më dërrmuese e tyre ndeshin vështirësi për tu punësuar, për të përfituar përkrahje sociale apo për tu arsimuar. Shqiptarët vazhdojnë që të kryesojnë listat e kërkesave për azil në Europë edhe në 3-mujorin e parë të 2016. Në Islandë Shqipëria renditet e para në listë, ndërsa në Holandë të dytët pas sirianëve. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, 287 100 azilkërkues kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat. Në këto statistika Shqipëria vazhdon që të jetë përsëri në listat e Eurostat, ku shpeshherë radhiten në vend të parë dhe të dytë për sa i përket numrit të kërkesave për azil. Në Islandë, Shqipëria kryeson listën për sa i përket azilkërkuesve, ndërsa në Holandë renditet në vend të dytë duke ndjekur sirianët me 705 kërkesa. Në rang të përgjithshëm të këtij tremujori të parë Shqipëria ka një shifër prej 2%, duke u radhitur së bashku me vende si Eritrea dhe Nigeria. Normalisht lista kryesohet nga Siria me 36% e më pas Iraku dhe Afganistani me 12%. Ndërkohë, janë mbi 1 milion kërkesa për azil që duhet të shqyrtohen nga autoritetet e vendeve europiane. Me 473 mijë kërkesa, 47% në total, Gjermania kryeson listën e vendeve që ka pritur më shumë azilkërkues, ndërsa ndiqet nga Suedia me 15%, Austria 8%, Italia, 6% dhe Franca me 4%. Për sa i përket mbërritjeve të emigrantëve në brigjet italiane, ritmi mbetet i njëjtë me vitin e kaluar. E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë. Sipas statistikave të Bankës Botërore, Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet Globale më 2016.

Raporti

Në raportin e publikuar nga Eurostat për 2015 për azilkërkuesit të regjistruar për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian gjatë 2015-ës, shifrat flasin negativisht për vendin tonë. Sipas shifrave të publikuara, Shqipëria përbën 5% të të gjithë azilkërkuesve në 2015, e përkthyer në shifra, plot 65 935 kërkesa për azil. Gjermania mbetet vendi më i kërkuar nga azilkërkuesit shqiptarë, e ndjekur pas nga Franca dhe Suedia. Në Gjermani, Shqipëria renditet pas Sirisë për kërkesat për azil, me 12% të totalit të tyre, apo 53 805 kërkesa vetëm në 2015. Ndërsa në Francë, shqiptarët bëjnë 4% të aplikimeve, apo 3220 kërkesa, dhe në Suedi 3.9% të aplikimeve, apo 2565 kërkesa. Eurostat bën të ditur se në 28 vende të BE-së krahas këtyre shifrave, të publikuara për 2015, ka ende edhe 1 milion kërkesa të tjera në pritje të një përgjigje, ku numrin më të madh e zë Gjermania.

Exit mobile version