ILDKP shpëton politikanët që ‘notojnë’ mbi miliona/ Kursen kallëzimet për milionerët në qeveri dhe Kuvend

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive duket se ka kapitulluar. Edhe pse janë hedhur miliona euro me qëllim që të ketë transparencë për pasuritë e politikës, jo vetëm që kjo nuk po ndodh, por ILDKP ka vendosur të mos i ngacmojë “mamuthët” e korruptuar.

Që në momentin që u vendos në krye të këtij institucioni Evgjeni Bashari, ka rënë ndjeshëm numri i personave të kallëzuar penalisht. Inspektorët dhe zonja në fjalë marrin miliona lekë rrogë, por duket se paguhen të flenë mbi dosje.

Ky shqetësim ngrihet edhe te progres-raporti i BE, ku bëhet me dije se ILDKP nga shtatori i vitit që lamë pas dhe deri në mars, ka kallëzuar vetëm 18 emra. Ndërkohë absurdi tjetër që theksohet aty, është se nuk publikohen dosjet e pasurive, pavarësisht se ligji flet ndryshe.

Nga shtatori 2023 deri në mars 2024 janë referuar në prokurori 18 raste nga ILDKPKI. Deklaratat e pasurisë nuk publikohen dhe jepen vetëm me kërkesë të përdoruesve të regjistruar, pavarësisht kërkesave ligjore për bërjen publike të tyre”, theksohet në dokumentin e publikuar pak ditë më parë.

Sipas ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, çdo politikan dhe zyrtar shtetëror është i detyruar që deri në muajin mars të bëjë deklarimin pasuror të vitit të mëparshëm.

Ky proces ka nisur që në vitin 2003 dhe çdo vit ILDKP publikonte deklaratat. Madje gjatë kohës që në krye të saj ishte Shkëlqim Ganaj publikoheshin dhe emrat e personave që gjendeshin me shkelje, përfshirë emra deputetësh, gjyqtarësh etj.

Por që pasi në krye të ILDKP erdhi Evgjeni Bashari situata ka ndryshuar. Së pari ra ndjeshëm numri i padive. Më parë kishte deputetë, krerë bashkish që kallëzoheshin, por tani numri ka rënë ndjeshëm dhe në prokurori përfundojnë vetëm disa drejtorë. Po ashtu tani nuk publikohen më emrat e personave me shkelje. ILDKP fshihet pas ligjit për ruajtjen e privatësisë.

Por skandali nuk mbyllet me kaq, pasi prej 2-vitesh ka terr informativ mbi deklarimet e politikës. SPAK ka hyrë në një fazë të re dhe gjatë vitit të fundit janë hapur dosje për emra si Berisha, Meta dhe disa ministra.

Por në këtë periudhë delikate, ILDKP ka bllokuar të dhënat për deklarimet pasurore. Dy vite më parë u instalua sistemi online i deklarimit të pasurive dhe vjet politikanët bënë për herë të parë deklarime online. Por edhe pse sistemi është vënë në punë, të dhënat nuk janë publike. Rubrika e krijuar për aksesim nga publiku nuk funksionon. Sërish duhet të bësh kërkesë për të marrë të dhënat. /Pamfleti

Exit mobile version