ILDKPKI: Mungesa e transparencës dhe dështimi në kontrollin e pasurive

Nga Ola Xama

Për mua Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave do të ishte më mirë po të mbyllej dhe të zëvendësohej nga një program kompjuterik.

Pikësëpari, ILDKPKI është kthyer në një institucion parazit. Mjafton të shohim hetimet e kryera vitet e fundit nga prokuroria për të kuptuar se pasurimi i paligjshëm i zyrtarëve dhe konflikti i interesave është i përhapur në të gjithë administratën, por asnjë rast nuk ka qënë i dyshuar nga ky organ. Madje nëse do të vazhdonim më tej analizën do të na lindte e drejta të bënim dy pyetje: rastet e kapura nga SPAK tregojnë dështim apo kompromentim të ILDKPKI?

Së dyti, institucioni ka dështuar edhe sa i takon qëllimit të krijimit të tij, që është transparenca në deklarimin e pasurisë së zyrtarit. Vendi në faqen e internetit ku duhet të ishin deklaratat nuk funksionon prej 3 vjetësh dhe të dhënat për deklaratat e vitit 2021 dhe 2023 kundërshtohen të vihen në dispozicion të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile edhe përmes ushtrimit të të drejtës për informim.

Një vit më parë më janë dashur 3 muaj kërkesa dhe ankesa te Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, që të merrja deklaratën e një zyrtari, ndërsa këtë vit një kërkesë e dërguar në muajin qershor për deklaratën e një zyrtari nuk mori fare përgjigje. Vetëm pas ankimimit mu dha një përgjigje skandaloze se sistemi është nën auditim nga ACESK dhe përgjigjja do të më vihej në dispozicion brenda një kohe të arsyeshme. Njëri nga dy institucionet, ose ACESK ose ILDKPKI, janë duke shkelur ligjin dhe këtë e thonë hapur pa u druar aspak!

Por nuk mbaron me kaq, pas kërkesës për deklaratën e zyrtarit, vërshuan telefonatat nga njerëz afër zyrtarit se përse po kërkoja deklaratën e tij. Jo vetëm që institucioni nuk bën punën, jo vetëm që nuk zbaton ligjin për dhënien e deklaratës por dhe dekonspiron informacionin dhe ia komunikon një pale që është në konflikt interesi. Këtë e bën një institucion që duhet të luftojë konfliktin e interesit. Këtë e bën një institucion që ka dhe kompentencën për hetimin në bazë të ‘sinjalizimit’ e që mund të rrezikojë jetën apo vendin e punës të një punonjësi që denoncon.

Si përfundim, deklaratën e mora pasi dërgova një tjetër kërkesë në muajin tetor dhe më thanë ta tërhiqja fizikisht, kur Ligji për të Drejtën e Informimit e thotë qartë se përgjigjja jepet në formën e kërkuar nga kërkuesi, ose me rrugë postare ose elektronike.

Duke parë bilancin e punës së ILDKPKI deri më sot, mendoj që të mos shpenzohet më asnjë cent për pagat e inspektorëve dhe funksionimin e tij, sepse jo vetëm që nuk kanë bërë gjë, por janë kthyer në gjysmën e kohës vegjetues e në gjysmën tjetër punojnë për inate personale apo kurthe politike.

Shembulli më tipik për dështimin e institucionit është procesi i vettingut që pastroi gjysmën e magjistratëve për shkak të dyshimeve që vinin nga deklaratat e pasurisë, ndërsa ILDKPKI jo vetëm nuk kishte bërë gjë ndër vite, por disa zyrtarë i harroi, e për ca të tjerë gjeti kurajon të hetojë pasi lanë detyrën.

Një sistem robot i programuar për të mbajtur online deklaratat e pasurisë dhe që me anë të algoritmeve do të kapte deklaratat me flamuj të kuq, do të ishte 100 herë më efikas se inspektoriati që është sot.

Dhe meqë ra fjala, po vetë inspektorët e ILDKPKI kush i kontrollon sa i takon pasurisë dhe konflikit të interesit? A ka ndonjë rast të dyshuar apo zbuluar se dhe ndonjëri prej tyre ka mëkatuar, apo të gjithë kanë qënë qelibar?

Exit mobile version