Ilir Beqaj njihet me akuzat/ Çfarë ndodhi në seancën maratonë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë për dosjen e “Sterilizimit”

Vijon beteja në Gjykatën e Posaçme në seancë paraprake për dosjen e “Sterilizimit”, ku mes të pandehurve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

 

Gjykata e Posaçme pretendon ta çojë në themel çështjen, por edhe seanca e djeshme, edhe pse ka zgjatur për orë të tëra nuk ia ka arritur. Prokurorët e çështjes kanë lexuar kërkesën për gjykim, që sipas të dhënave të dala nga seanca, i kalon 150 faqe.

Referuar të njëjtave informacione, mësohet se seanca do të zhvillohet javën e ardhshme, ndërkohë që ish-ministri dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar shpjegime në seancë në lidhje me format e shpërdorimit të detyrës për të cilën ai akuzohet. Në dosjen e shumëpërfolur të ‘Sterilizimit’ gjenden nëntë të pandehur midis tyre edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishzv.ministri dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Gjatë së djeshmes SPAK mbylli fazën e leximit të materialit ‘kërkesë për gjykim’, ndërkohë mësohet se pas një jave, pra të enjten tjetër e kanë radhën avokatët e të pandehurve që të shtrojnë pyetjet në lidhje me të gjitha paskatësitë që ata pretendojnë se gjenden në kërkesën për gjykim e në materialin që ata posedojnë.

Sipas të dhënave mësohet se ish- ministri i Shëndetësisë ka kërkuar edhe në seancë shpjegime duke pyetur se në çfarë forme e ka kryer shpërdorimin e detyrës në bashkëpunim. Ai dhe avokati kërkojnë detaje se me cilin nga të akuzuarit e tjerë bashkëveproi në dosjen e Sterilizimit, proces qe rezulton i hapur që para 4 vjetëve.

Përballë pyetjeve të shumta të ish-funksionarit të lartë të qeverisë, prokurorët shpjeguan se Ilir Beqaj si ministër i kohës e shpërdoroi detyrën duke dëmtuar interesat e shtetit dhe jo duke favorizuar procedurat për dhënien me koncesion. Ish-ministri i Shëndetësisë i cili do të vijojë me pyetje javën që vjen kërkoi që qëndrimin e tij ta parashtrojë përmes kompjuterit por kërkesa nuk u pranua. Që do të thotë se edhe Beqaj, si të akuzuarit e tjerë, do t’i duhet t`i lexojë faqe për faqe qëndrimin e tij, ashtu siç kërkoi të vepronte edhe SPAK kur deklaroi kërkesën për gjykim./

Exit mobile version