Ilir Beqja vjedh 3 rroga pas largimit si ministër

Babëzia e ministrave dhe ish-ministrave të Ramës nuk njeh kufi. Ilir Beqja ka marrë 3 rroga, pasi ishte pushuar si ministër i Shëndetësisë. Beqja ka qenë një nga ministrat më të akuzuar të qeverisë Rama i përfshirë në afera korruptive në dhënien e koncesioneve në sektorin e shëndetit publik, por kjo nuk e ka penguar pasardhësen e tij, Ogerta Manastirliu t’i japë Beqajt plot 3 rroga shpërblim për largimin nga puna.
Një vendim i tillë konfirmohet edhe nga një shkresë që disponon Opinion.al që mban datën 19 maj 2017, ku ministrja e Shëndetësisë (tashmë e larguar) i kërkon Drejtorisë së Financave në MSh që t’i kalojë tre paga dëmshpërblim ish-ministrit Beqaj si edhe ish-Këshilltarit të ministrit, Altin Bilbili.
Një shkresë le të themi me natyrë abuzive nga ish-ministrja e Shëndetësisë që shpërblen paraardhësin e saj në detyrë dhe njëkohësisht ish-shefin e saj në kohën kur kjo e fundit drejtonte Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë që kjo shkresë ngre një tjetër pikëpyetje. Për çfarë është dëmshpërblyer me tre paga ish-ministri i Shëndetësisë? Për dëm moral? Për largim të padrejtë nga puna?
Për prishje të imazhit si ministër? Apo për prishje të kontratës nga ana e qeverisë në këtë rast të kryeministrit Rama, nëse ka pasur një kontratë katërvjeçare midis tij dhe Beqajt? Këtë mund të na e sqarojë vetëm Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që është absurde se si shumë punonjës të larguar nga administrata nuk marrin paratë e dëmshpërblimit të fituar me vendim të formës së prerë nga Gjykata me justifikimin se Thesari nuk ka para, ndërsa për ish-ministrin e Shëndetësisë gjenden paratë për t’ia kaluar në portofolin e tij vetjak.

Beqja, 28 tendera kompanisë së tij

Gjatë kohës që Beqja ishte ministër i Shëndetëssië i ka dhënë kompanisë së tij plot 28 tendera. Kompania me emrin “Intech+”, ka qenë pronë e vetë ministrit deri më 9 shtator të vitit 2013, e cila ka përfituar plot 28 tendera, për të cilën nga arka e shtetit kanë dalë 35 miliardë lekë, ndërkohë që shumë biznese të tjera po mbyllen nga taksat e larta dhe arbitrariteti i qeverisë së majtë.
Një kompani modeste, e cila deri përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën e 63 milionë lekëve dhe fitim neto në vlerën e 8.9 milionë lekëve, dy vite pasi themeluesi i saj Beqja mori postin e ministrit të Shëndetësisë i ka rritur të ardhurat e saj: respektivisht ka kapur shifrat e 160 milionë lekëve shitjesh dhe fitim neto prej 42 milionë lekëve. E gjitha kjo ka ndodhur gjatë një kohe kur qytetarë të shumtë përplasen dyerve të spitaleve, ku shëndetësia ka shkuar në ditën e saj më të keqe dhe ku paguhet shumë shtrenjtë për gjithçka, është shprehur deputetja demokrate, e cila ka shtuar edhe faktin që sistemi i është dhënë klientelës me koncesione me fitues të paracaktuar.
Qëkurse ministri i Shëndetësisë, Beqja ka hyrë në zyrë, kompania e tij ka rritur fitimin me gati 100 milionë lekë të reja, ose 2.5 herë më shumë, dhe ka sjellë një 5-fishim të fitimit neto të deklaruar. Ky skandal është bazuar në bazë të të ardhurave dhe shpenzimeve të deklaruara nga kjo kompani, që tregojnë këto shifra marramendëse.
Beqja është akuzuar për konçesionet në miliona euro. Para se të largohej ai shpalli fituesin e koncesionit të katërt më të madh, atij të kalimit tek privati të laboratorëve spitalorë me një vlerë nga 80 deri në 100 milionë euro. Dosja është përpiluar në një fshehtësi të plotë, duke iu shmangur kushteve më minimale të transparencës.

R.POLISI

Artikulli paraprakSheshi “Skënderbej”, gjenerator kanceri në qendër të kryeqytetit
Artikulli tjetërFlessenkemper: Vendet e Ballkanit janë më të varfër se përpara 30 viteve