Studiuesi dhe gazetari Ilir Ikonomi, ishte i ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, ku foli për figurën e shquar të historisë shqiptare, Ismail Qemalin.
Ilir Ikonomi publikoi së fundmi vëlllimin e dytë për Fan Nolin, titulluar “Rebeli”, botim UETPress.
Ikonomi u shpreh se pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali ishte njeriu i vetëm që mund të bashkonte fiset shqiptare, ndërsa shtoi se duhet bërë një monografi për jetën e njeriut që solli pavarësinë e vendit.
Sakaq u ndal edhe te Fan Noli, ku tha se ishte diplomat dhe se dinte të fliste me njerëz të ditur.
“Kam bërë një libër për udhëtimin e Ismailit, nga Stambolli në Vlorë, që janë emblematike për këtë njeri. E ndjeja që është e vështirë të gjesh materiale për Qemalin. Një monografi për atë duhet bërë në fakt. Ishte një udhëtim që unë e ndoqa nga Stambolli në Vlorë.
Mendoj se është një rastësi që Shqipëria ka pasur disa individë, si p.sh Ismail Qemali. Ai ishte njeriu i vetëm që mund të bashkonte fiset shqiptare. E bëri në një mënyrë shumë të zgjuar, pasi vizitoi kancelaritë e huaja. Ishte një njeri me një mendim… shtoj atë që ishte një diplomat i zoti. Po ku i gjeje ata diplomatë në atë kohë? Ishte dhe Fan Noli, edhe Faik Konica. Noli shkruante bukur memorandumin, fliste me njerëz të ditur. Arriti të takonte presidentin britanik. Ishte një rastësi e lumtur. Këta të dy kanë qenë një fat për Shqipërinë.”, u shpreh Ilir Ikonomi.