Nga Rigels Seliman
Ilir Meta, dikur President, kryetar Parlamenti dhe Kryeministër, tani ka gjetur një destinacion të ri për të shpalosur talentet e tij: qelinë e burgut. Por, siç ndodh shpesh me të, edhe këtë realitet e ka shndërruar në një spektakël.
Tani ai, ka gjetur një mënyrë të re për të kaluar kohën: duke luajtur ping-pong me sportistë nga Nigeria në qelinë e tij, të cilën e përshkruan si një “Kavalishencë” të rehatshme. Në stilin e tij tipik, Meta nuk e sheh burgun si ndëshkim, por si një tjetër platformë për të treguar vitalitetin e tij politik dhe sportiv. “Dita ime është fantastike. Më duket sikur jam në kavalishencë. Gjithë ditën lexoj dhe shkruaj. Po kështu tre herë në ditë bëj lëvizje dhe stërvitje si kurrë më parë. Për herë të parë në jetën time kam mësuar të gatuaj, se kurrë nuk kam gatuar në konvikt. Kam mësuar gjëra të jashtëzakonshme që do të më ndihmojnë shumë për të ardhmen. Se harrova të të them se në ping–pong jam më mirë se kurrë në jetën time duke mundur edhe sportistë nga Nigeria”, deklaroi Meta dje për emisionin “Opinion”.
Pra duket sikur edhe pas hekurave, ish-presidenti nuk ndalet së bërë show. Nëse dje bënte marifete në politikë, sot teston reflekset me raketën e ping-pongut, ndoshta duke u përgatitur për “sfidat” e ardhshme jashtë qelisë. Mos u çudisni nëse nesër shpall krijimin e një “Republike të Re Sportive” brenda burgut apo fton nigerianët në një koalicion të ri ndërkombëtar.
Një gjë është e qartë, se, Meta di të përshtatet kudo. Edhe pas hekurave, ai vazhdon të luajë – qoftë ping-pong, qoftë politikë! Pra kjo tregon se Ilir Meta nuk ndalet. Madje edhe nëse e vendosin në Mars, do të shpallë që po ndërton një koloni të re politike. Deri atëherë, ping-pongu vazhdon!