“Iluzion i mjerë se ditën mund të jenë me Saliun dhe natën me SPAK-un”, Basha: Pazari mes Ramës dhe Berishës kyç listat për t’u mbrojtur nga drejtësia

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, nga salla e Parlamentit ka ironizuar deputetët opozitarë që për tekat e Berishës, i ranë me shkelmë interesit të demokratëve, duke u vendosur në shërbim të ish-kryeministrit në betejën e tij personale kundër drejtësië, që sipas Bashës e mbrojnë ditën dhe e shajnë natën. Basha thotë se kyçja e listave është hapi i radhës i një plani për të siguruar skaljonet e Ramës dhe Berishës në luftën e tyre kundër SPAK.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Po pala tjetër? Pala tjetër i është nënshtruar tekave të një njeriu që hallin e vet personal e bëri hallin e Partisë Demokratike, të opozitës edhe të gjithë Shqipërisë. I është nënshtruar tekave të një njeriu që për hallin e tij personal bëri pazarin me Edi Ramën provat e të cilëve i pamë njëri pas tjetrit dhe kjo është prova e fundit. Pazar pasojat e të cilit shqiptarët dhe demokratët i shohin. I panë më 14 maj 2023 kur i dorëzoi 90% të bashkive Edi Ramës. 90% të bashkive, Shkodrën, Tropojën, Kukësin, u kap Safeti e humbi edhe më thellë Kukësin. Pazar që vazhdoi nga kjo sallë me votën për të liruar të korruptuarit e Edi Ramës. Njerëzit që u kapën nga drejtësia dhe u dënuan për vjedhjen në tendera, për vjedhjen e votës së Partisë Demokratike, shkuan në burg të korruptuarit e Edi Ramës, disa të tjerë ndiqeshin penalisht nga SPAK, por u liruan jo vetëm me votat e Edi Ramës, por dhe me votat e këtyre. Gënjyen derisa në këtë foltore Altin Dumani dha numrin që këta e fshihnin në Pazar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin. 117 të korruptuar të Edi Ramës të liruar nga votat e pazarit të përbashkët. Vazhdoi me presionin kriminalo-oligarkiko-politik ndaj Gjykatës së Apelit me vendimin paçavure që e ka parë e gjithë Shqipëria, ndaj të cilit sigurisht është bërë rekursi e do të ndiqet hap pas hapi. Dhe sot mbyllet për këtë sezon me pazarin për listat e mbyllura. Frika e Edi Ramës dhe Sali Berishës, e kryeministrit dhe ish-kryeministrit i detyron të ndërtojnë skalione njerëzish të bindur që i thonë dorës këmbë, të bardhës të zezë dhe të zezës të bardh. Dhe këta njerëz janë të qartë prototipet që përmenda më sipër dhe të tjerët që kemi këtu në sallë. Në anën tjetër janë ata që fillimisht për interesat dhe tekat e një njeriu i ranë me shkelmë interesave të demokratëve që përfaqësonin dhe një pjesë tjetër që ushqen iluzionin e mjerë se mundet që ditën mund të jenë me Saliun dhe natën me SPAK-un, e prap se prap të jenë në listën e sigurtë të Saliut.

Këto pazare të yshtura nga frika kanë në thelb edhe dërrmën ndaj demokracisë shqiptare. Shitjen pa filluar të ndeshjes, shitjen pa filluar sa i takon këtyre dyve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Është e qartë për këdo që ka sadopak përvojë politike që me formulën e dakordësuar dje dhe që pritet të votohet sot nga pazarxhinjtë, pushteti i dorëzohet edhe për 4 vitet e ardhshme Edi Ramës. Në këmbim të favoreve të përbashkëta. Në këmbim të investimit më të madh që ka nisur dhe duan të bëjnë së bashku. Në këmbim të goditjes me çdo kusht dhe me çdo mjet të shkaktarit të frikës që është pandëshkueshmëria, të instrumentit të pandëshkueshmërisë që është SPAK. Ndaj akti i fundit i këtij pazari do të luhet në sesionin e fundit të kësaj legjistrature të turpshme dhë për t’u harruar. Do të luhet me aktet që do të ndërmerren kundër SPAK-ut si garanci e përbashkët që lidh kryeministrin dhe ish-kryeministrin si prova më e pastër se ky Parlament duhet të shpërbëhet jo thjesht për shkak të përfundimit dhe ezaurimit të afatit të vet dhe të mandatit të vet, por duhet të shpërbëhet si përfaqësuesi më famëkeq në këto 34 vite të vështira i fenomenit të politikanëve që për interesat e tyre i kundërvihen interesave të shqiptarëve. Padiskutim që ky nuk është akti i fundit për shqiptarët, ky nuk është momenti i triumfit të së keqes, është një moment i keq por triumfi do t’i takojë qytetarëve, do t’i takojë demokracisë. Faleminderit.

Exit mobile version