Iluzioni i evropianizimit, fasada kundër substancës

NGA ADRI NURELLARI

E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte thirrja e të rinjve në 8 dhjetor të vitit 1990, që shënoi përmbytjen e elitës komuniste dhe zëvendësimin me udhëheqës të tjerë si Berisha, Meta e Rama, që kanë mbetur protagonistë për 34 vitet që pasuan. Aspirata e atëhershme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian ka qenë busulla politike dhe shoqërore e Shqipërisë për dekada, madje duke eklipsuar edhe aspiratën historike kombëtare për bashkim. Fatkeqësisht njësoj sikurse kemi ngelur me skenën politike të dominuar nga tre liderët që dolën në jetën publike në dhjetor të 1990-ës, ashtu kemi ngecur me premtimin e njëjtë të bërë nga partia në pushtet. Partia Socialiste e ka bërë kalë beteje anëtarësimin brenda vitit 2030, duke folur për një integrim të përshpejtuar në BE, “gati me hatër, pa përmbushur të gjitha kriteret” falë një klime të favorshme ndërkombëtare për shkak të luftës së Ukrainës, gjë që kujton hyrjen tonë disi të sforcuar në NATO.

Thënë ndryshe, është duke u kultivuar shpresa se po të ekzistojë vullneti i fuqishëm politik i diktuar nga situata e re gjeopolitike (sikurse qe rasti me NATO-n) vendet anëtare do të mbyllin sytë para mangësive tona për të na futur në klubin e tyre, edhe pse nuk kemi bërë detyrat e shtëpisë. Kjo pritshmëri e paarsyeshme për integrim shtohet edhe prej faktit që kemi 13 vjet që gëzojmë udhëtime pa viza drejt zonës Shengen si dhe kemi më shumë se 1/3-ën e popullsisë tashmë ligjërisht rezidente në BE. Për më tepër, në diskutimet mediatike dhe shoqërore, evropianizimi shpesh perceptohet si një formë fasade: mbajtja e markave luksoze si ‘Balenciaga’, përdorimi i ‘iPhone’-it më të fundit, dëgjimi i muzikës bashkëkohore, e folura shqipnglisht apo kopjimi i stileve perëndimore të jetesës. Të gjitha këto bien ndesh me realitetin e hidhur që na karakterizon.

Në këtë skenar elektoral, evropianizimi nuk matet me funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit apo ekonominë e lirë të tregut, por me një përzierje sipërfaqësore të konsumit dhe imitimit. Ky model i keqkuptuar dhe i përciptë për evropianizimin, i bazuar te pamja e jo substanca, sado dominues që është në Tiranë e ndonjë qytet tjetër, bie në kundërshtim me realitetin tonë të dhimbshëm: zgjedhje që ende manipulohen dhe vidhen hapur, një ekonomi jo të lirë, e dominuar nga aktorë të privilegjuar me lidhje të forta politike dhe një korrupsion e kriminalitet, që me sa duket ka kapur depërtuar nga rrënjët e deri te maja e shtetit shqiptar.

Për t’u anëtarësuar duhet shumë më shumë se ndërtimi i kullave luksoze, konsumi i markave të njohura, përqafimi i trendeve teknologjike dhe huazimi i stileve të huaja të jetesës, duhet përmbushja e të ashtuquajturave “Kriteret e Kopenhagenit”, të përcaktuar nga Këshilli Europian, mbajtur në dhjetor të 1993 në Kopenhagen dhe përforcuara nga takimi i Madridit më 1995. Kriteri i parë politik ka të bëjë me institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve. Sikurse paraqitet nga raportet e BE-së, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në reformën në drejtësi, veçanërisht falë SPAK-ut, i cili ka nisur të thyejë mitin pandëshkueshmërinë. Megjithatë, korrupsioni ka lëshuar metastazat në shumë segmente të sistemit, ndërsa proceset zgjedhore ende shoqërohen me akuza për manipulim dhe vjedhje. Për më tepër, mungesa e transparencës në financimin e fushatave elektorale, presioni i hapur mbi administratën publike për të shërbyer si patronazhistë gjatë zgjedhjeve, përfshirja intensive e kriminelëve në procesin elektoral, bëhen haptazi si në asnjë vend tjetër në Evropë. Kriteri ekonomik ka të bëjë me një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Europian. Përkundër pretendimeve për një ekonomi të lirë tregu, realiteti dëshmon se kemi një ekonomi të ndikuar nga klientelizmi politik dhe deformuar nga fluksi i parave të pista. Bizneset politikisht të privilegjuara dominojnë tregun, ndërsa investitorët seriozë perëndimorë po tërhiqen prej tregut tonë, për shkak të mungesës së sigurisë juridike dhe të një klime gjithmonë e më të pafavorshme për të bërë biznes.

Kriteri tjetër ka të bëjë me harmonizimin me ligjet, direktivat dhe institucionet e BE-së, duke dëshmuar aftësinë për të marrë përsipër dhe zbatuar detyrimet e anëtarësimit, duke përshtatur strukturat e saj administrative. Pavarësisht disa sukseseve në përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë evropian, implementimi i këtyre ligjeve shpesh mbetet i pamjaftueshëm. Evropa kërkon më shumë sesa ndryshime të ligjeve – kërkon transformim të kulturës institucionaADRI NURELLARI le, administratë funksionale efikase për t’i zbatuar dhe akoma më shumë vullnet të sinqertë politik për t’i zbatuar ligjet. Në rastin e Shqipërisë deri më sot kemi parë që më shumë rëndësi ka “Maliqi sesa ligji” dhe se, sikurse do të thoshte Oruelli para ligjit “disa janë më të barabartë së të tjerët”. Këtë të fundit e dëshmon më së miri fakti që nga njëra anë gra dhe burra të moshuar ndiqen nga policia nëpër cepa pallatesh apo rrugica, pasi shesin produktet e bahçes së tyre për të mbijetuar në kushte ku pensioni që marrin nga shteti nuk mbulon as kostot e ilaçeve, ndërsa nga ana tjetër kate shtesë nëpër kulla e madje ndërtesa të tëra masive luksoze ngrihen pa leje, mu nën hundën e institucioneve. Në rastin e vendeve të trazuara të Ballkanit Perëndimor janë vendosur gjithashtu kushte shtesë për anëtarësim, të cilat u përcaktuan në të ashtuquajturin “Proces të StabilizimAsociimit”, i cili kryesisht lidhet me bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Me sa duket, pretendimi që neve mund dhe duhet të integrohemi në BE sot ka hedhur rrënjë te një ishull të izoluar urban të shoqërisë shqiptare. Te ky segment shoqëror është krijuar një qasje e çuditshme që i sheh vendet e rajonit, si Rumaninë dhe Bullgarinë, me një lloj snobizmi dhe përçmimi, sikur të ishin shtetas të vendeve themeluese të BE-së (psh., francezë apo holandezë). Ky perceptim vjen kryesisht nga një pjesë e popullsisë që ka një njohje të cekët të vendit dhe rajonit, pasi lëvizjet e tyre shpesh kufizohen brenda zonave luksozeve të Tiranës, qendrave komerciale, Rivierës së Jugut dhe aeroportit të Rinasit. Ironikisht pra, ky grup shpesh nuk ka njohuri reale as për Shqipërinë dhe as për vendet që përçmojnë. Ata shohin vetëm fasadën e jetës urbane dhe zonave elitare që ata vetë frekuentojnë, duke mos qenë të ndërgjegjshëm për sfidat e thella me të cilat përballet vendi – nga infrastruktura e prapambetur, varfëria ekstreme në zonat periferike, shërbimet publike të mjera, monopolet që imponojnë çmimet më të larta se në Perëndim e deri tek manipulimet elektorale korrupsioni e kriminaliteti masiv. Për pasojë, me një lehtësi goxha naive dhe botëkuptim shumë të ngushtë, ata pretendojnë se Shqipëria e “meriton”, më shumë anëtarësimin në BE sesa e kanë merituar këto vende fqinje.

Për të bërë një krahasim realist duhen parë burimet e besueshme ndërkombëtare dhe krahasuar treguesit për fushë të ndryshme. Kur flitet për kriterin e demokracisë, Indeksi i Demokracisë i “Freedom House” i jep Shqipërisë vetëm 68 pikë, duke treguar një nivel më të ulët demokracie krahasuar me Bullgarinë (78 pikë) dhe Rumaninë (83 pikë). Këtë nivel të ulët demokracie e konfirmon edhe Indeksi i Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, ku Shqipëria renditet në vendin e 99-të, shumë prapa Bullgarisë (59) dhe Rumanisë (49) mes vendeve që kanë më shumë demokraci. Për sa i përket ekonomisë, duhet vënë në dukje se, sipas raportit të fundit “Doing Business”, të Bankës Botërore, Shqipëria renditet e 82-ta, duke treguar sfida më të mëdha në mjedisin e të bërit biznes krahasuar me Bullgarinë, e cila renditet e 61-ta dhe Rumaninë, që është e 55-ta. Prapambetjen ekonomike e demonstrojnë edhe të dhënat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për vitin 2024: Shqipëria renditet e 81-ta me të ardhura për frymë prej 9,598 USD, Bullgaria renditet e 62- ta me 17,069 USD, ndërsa Rumania renditet e 56-ta me 20,089 USD. Nëse flitet për kriterin e drejtësisë, në raportin e “World Justice” Project Shqipëria renditet e 89-ta, ndërsa Bullgaria dhe Rumania renditen përkatësisht në vendet 59 dhe 41 mes vendeve, që gëzojnë më shumë zbatim të ligjit.

Si përfundim, faktet dhe të dhënat e pakundërshtueshme tregojnë qartë se pretendimet se Shqipëria “meriton më shumë” sesa Rumania dhe Bullgaria janë jo vetëm të pabazuara, por edhe shumë të dëmshme. Këto pretendime dëmtojnë, sepse e largojnë fokusin nga sfidat konkrete që kërkojnë adresim dhe zgjidhje. Kjo qasje rrahagjokëse, që supozon se BE-ja nuk po na jep atë që meritojmë, reflekton një mungesë serioze të vetëkritikës dhe një tendencë për t’i parë problemet kombëtare përmes një lente të rreme dhe të sheqerosur. Në vend që të përçmojmë përpjekjet e vendeve që kanë kaluar procese të dhimbshme reformash për t’u bërë pjesë e BE-së, duhet të reflektojmë mbi veten dhe të analizojmë se çfarë na mban ende jashtë kësaj bashkësie. Në vend që të kapemi pas iluzioneve dhe krenarisë boshe, duhet të pranojmë se rruga drejt BE-së është ende e gjatë dhe kërkon analizë të thellë, reflektim të sinqertë dhe një vizion të qartë për të ardhmen, diçka që nuk mund të arrihet nga brenda flluskave urbane, por vetëm nga një angazhim real me problemet që na kanë lënë prapa.

Exit mobile version