Ermal XHELILAJ
E drejta ndërkombëtare e detit konsiderohet një mekanizëm ligjor bazë, në mungesë të së cilës sistemi ndërshtetëror, i cili po konsiderohet gjithmonë e më shumë i ndërvarur në lidhje me burimet natyrore detare dhe shfrytëzimin e oqeaneve, mund të rezultojë i vështirë për të funksionuar. Konceptuar në këtë drejtim, e drejta e detit lehtëson funksionimin e bashkësisë ndërkombëtare përsa i përket zgjidhjes së çështjeve kryesore të natyrës detare. Megjithatë, e drejta e detit, përveç zbërthimit të elementit të mësipërm, synon edhe ushtrimin e kontrollit mbi shtetet duke ndaluar ose disiplinuar veprimtarinë e tyre në marrëdhëniet me shtete të tjera dhe institucionet ndërkombëtare. Zhvillimi i të drejtës ndërkombëtare të detit nga një sistem që kishte të bënte kryesisht me lehtësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet shteteve, në një sistem që në ditët e sotme synon shumë më tepër kontrollin e subjekteve të tij, përbën tiparin më të spikatur të historisë të së drejtës ndërkombëtare në gjashtëdhjetë vitet e fundit. Argumenti më i fortë për ekzistencën e të drejtës së detit si një sistem juridik i vlefshëm për sistemin ndërkombëtar është për faktin se ka anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët e pranojnë se ekziston një paketë normash ligjore që ushtron ndikim me një forcë të caktuar juridike.
Në sistemin ndërkombëtar ekzistojnë shumë shtete të cilat besojnë në rëndësinë e të drejtës ndërkombëtare të detit. Megjithatë, shumëllojshmëria e formave të antagonizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare (MN), ndër të cilat është edhe hegjemonia mbi oqeanet, ka dëshmuar prezencën e momenteve të vështira që kalojnë marrëdhëniet mes shteteve, të cilat duke anashkaluar zbatimin e të drejtës ndërkombëtare shkaktojnë kriza të thella të karakterit global. Shtetet e zbatojnë të drejtën ndërkombëtare, dhe rrjedhimisht të drejtën e detit, në pjesën më të madhe të kohës sepse duan që edhe shtetet e tjera të zbatojnë të njëjtin parim. Arsyeja kryesore përse asnjëra palë në Luftën e Dytë Botërore nuk përdori armë kimike në fushën e luftës, ishte sepse asnjëra prej tyre nuk mund ta detyronte me forcë zbatimin e traktatit që ndalonte përdorimin e këtyre armëve. Si rrjedhojë, edhe pala tjetër do të përgjigjej ndoshta duke përdorur armë kimike, dhe kostoja do të ishte e lartë për të dyja palët. Shtetet e zbatojnë të drejtën ndërkombëtare edhe sepse ata i tremben kostos së përgjithshme afatgjatë që mund të shkaktohet prej përhapjes së emrit të keq si shpërfillës i së drejtës ndërkombëtare të detit. Në rast se një shtet nuk i zbaton kushtet e traktateve që nënshkruan, shtetet e tjera nuk do të nënshkruajnë traktate me këtë shtet në të ardhmen. Izolimi i cili rrjedh prej këtyre veprimeve mund të kishte pasoja shkatërruese për interesat kombëtare të atij shteti.
Një shtet i cili shkel të drejtën ndërkombëtare të detit, mund të përballet edhe me një kundërpërgjigje kolektive të një grupi shtetetesh, siç është vendosja me forcë e sanksioneve ekonomike dhe embargos mbi shkelësin e ligjeve apo dhe protestat diplomatike. Në këtë kontekst, e drejta ndërkombëtare e detit, përveç funksionit të saj normativ, është dhe një instrument komunikimi që promovon elemente ligjore jetike për parandalimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore në mënyrë paqësore dhe zbatimin dhe transformimin e koordinuar të rregullave dhe normave ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i së drejtës ndërkombëtare të detit ka qenë dhe mbetet ruajtja e paqes dhe krijimi i hapësirave bashkëpunuese midis shteteve me interesa detare. Komuniteti ndërkombëtar e ka vështruar gjithmonë të drejtën ndërkombëtare të detit si një mekanizëm për të shmangur rreziqet që mund t’i kërcënohen paqes dhe sigurisë në shkallë botërore. Mirëpo ndodh që në marrëdhëniet midis shteteve me interesa detare të lindin mosmarrëveshje, grindje dhe konflikte për arsyet nga më të ndryshme. Këto janë shpesh shprehje të interesave kontradiktore dhe qëndrimeve të diferencuara për problemet e politikës së jashtme, të cilat fokusohen në çështje me natyrë detare, siç mund të jetë shfrytëzimi i burimeve natyrore të ZEE-së apo juridiksioni mbi një zonë të caktuar detare. Është pikërisht një ndër detyrat më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare të detit, të vendosë në dispozicion mjetet më të përshtatshme për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje dhe konflikte në mënyrë paqësore.
Një pozicion themelor lidhur me këtë çështje zotërojnë edhe organizmat ndërshtetërorë që trajtojnë rregullimin normativ të çështjeve rajonale dhe atyre ndërkombëtare. Institucionet ndërkombëtare ndikojnë mbi sovranitetin shtetëror duke krijuar norma ligjore ndërkombëtare të detit që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve të cilat kanë interesa detare. Rrjedhimisht, e drejta ndërkombëtare e detit, mund ta kufizojë sovranitetin shtetëror, për arsye se krijon parime ligjore detare për drejtimin e MN, të cilat konkurrojnë me parimet thelbësore realiste me natyrë detare të sovranitetit dhe anarkisë. Në këtë kontekst, e drejta e detit rrjedh prej traditës dhe marrëveshjeve të nënshkruara nga shtetet e sistemit ndërkombëtar, dhe zbatimi i saj do të varet kryesisht prej ndërsjelltësisë, veprimit kolektiv dhe normave ndërkombëtare të përgjithshme apo atyre të detit. Rregullat dhe normat detare që drejtojnë pjesën më të madhe të ndërveprimeve në MN, janë të rrënjosura në të drejtën ndërkombëtare, dispozitat e të cilës mbështeten në normat morale me karakter ndërkombëtar.
Anarkia ndërkombëtare baraspeshohet nga rendi botëror, dmth, nga rregullat e institucioneve botërore nëpërmjet të cilave shtetet me interesa detare bashkëpunojnë për përfitime të ndërsjellta në fushën e detarisë. Rendi ndërkombëtar është mbështetur në mënyrë të konsiderueshme mbi fuqinë dhe supermacinë detare, por ky rend bëhet ndërmjetës i fuqisë së verbër me anën e vendosjes së normave ligjore dhe zakonore të detit, të cilat drejtojnë ndërveprimet e ndërsjellta midis shteteve me interesa detare. Është tejet i rëndësishëm fakti që shtetet, së paku subjektet më me peshë të së drejtës ndërkombëtare të detit, nuk deklarojnë se qëndrojnë mbi këtë të drejtë ose se e drejta e detit nuk është e detyrueshme për ta. Dëshmia më bindëse për ekzistencën dhe rëndësinë e të drejtës ndërkombëtare të detit, është fakti se shumica dërrmuese e normave juridike ndërkombëtare të detit zbatohen rregullisht nga shtetet.
Normalisht, zgjidhja e mosmarrëveshjeve që lindin ndërmjet subjekteve dhe individëve, konsiderohet një detyrë e të gjitha sistemeve juridike. Këtë funksion natyrisht duhet ta pasqyrojë edhe e drejta ndërkombëtare e detit që rregullon marrëdhëniet mes shteteve me interesa detare, pavarësisht se ky regjim juridik disponon vetëm një numër shumë të kufizuar institucionesh juridike ndërkombëtare të konsoliduara, siç është GJNDD-ja, dhe shpeshherë ky proces i rëndësishëm mund të mos jetë i suksesshëm. E drejta ndërkombëtare e detit aplikohet në mënyrë të përditshme në institucionet e shteteve me interesa detare, si ministritë e transportit, ministritë e jashtme, gjykatat dhe organet e tjera shtetërore, si dhe nga organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja, BE-ja, IMO dhe OSHA-ja. Ministritë e jashtme të shteteve zotërojnë struktura të veçanta, detyra e të cilave është të ofrojnë mendime dhe rekomandime për çështje të së drejtës së detit dhe të ndihmojnë në përgatitjen e marrëveshjeve ligjore ndërkombëtare dhe traktateve shumëpalëshe.
Pavarësisht se oqeanet mbulojnë afërsisht tre të katërtat e sipërfaqes globale dhe konsiderohen me rëndësi madhore për sigurinë kombëtare të shteteve, duke përfshirë edhe SHBA-në, si shtetin më të fuqishëm të sistemit ndërkombëtar, përsëri ato nuk janë vlerësuar me seriozitetin e duhur. Gjysma e popullsisë botërore jeton brenda zonës bregdetare prej pesëdhjetë kilometrash nga bregu, dhe 10% e tyre jeton brenda rrezes prej 10 kilometrash nga bregdeti. Oqeanet zotërojnë rrugëkalime lundrimore me anën e të cilave transportohet rreth 90% e importeve dhe eksporteve të shteteve të ndryshme, dhe pjesa më e madhe e hidrokarbureve, duke përfshirë naftën dhe gazin, transportohen nëpërmjet pikave nevralgjike si Kanali i Suezit dhe Ngushtica e Malakas. Rrjedhimisht, oqeanet përfaqësojnë një teatër botëror konfliktesh, ku nga njëra anë janë forcat ushtarako-detare të shteteve që shtrijnë juridiksionin kombëtar mbi këto hapësira oqeanike, ndërsa nga ana tjetër pozicionohen shtetet me sistem qeverisës diktatorial, organizatat ndërkombëtare kriminale, grupet terroriste e pirate, dhe trafikantët e lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore që përpiqen të rrisin aktivitetet e tyre të paligjshme.
Gjatë situatave paqësore, aftësia e forcave detare të shteteve të fuqishme perëndimore si Franca, SHBA-ja, Italia dhe Britania e Madhe për të lundruar dhe vëzhguar hapësirën oqeanike, paraqitet me rëndësi jetike për sistemin ndërkombëtar. Kjo vjen për arsye se këto forca detare qeveritare konsiderohen një pengesë themelore në drejtim të shpërthimit të konflikteve midis aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë. UNCLOS (1982), si instrumenti themelor ligjor i të drejtës të detit, trajton të gjitha problematikat e mësipërme, duke përfshirë dispozita ligjore të cilat mbulojnë edhe çështjet tradicionale të gjeostrategjisë, siç mund të jenë lundrimi i anijeve ushtarake në ujërat ndërkombëtare dhe sigurimi i rrugëkalimeve detare të transportit dhe komunikimit. Përfshirja e këtyre dispozitave ligjore në kushtetutën e deteve (UNCLOS) është bërë pikërisht për faktin se hapësirat oqeanike mundësojnë zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare, si dhe për arsye të rregullimit të ekulibrit të fuqisë ushtarake dhe shfrytëzimit ekonomik të këtyre hapësirave nga shtetet e sistemit ndërkombëtar. Nga këndvështrimi praktik i hapësirës oqeanike botërore, shtetet përgjithësisht konsiderohen si ishuj, sepse transporti detar është mekanizmi i duhur që mundëson lidhjen, afrimin dhe komunikimin e shteteve dhe kontinenteve me njëra-tjetrën. Incidentet e flotës ushtarako-detare iraniane në Ngushticën e Hormuzit në vitin 2008, dhe veprimtaria e ngjeshur piratarike dhe terroriste pranë ujërave bregdetare të Somalisë, tregon qartësisht sesa kritike dhe e rëndësishme është mbajtja e rrugëkalimeve detare të lira për lundrimin ndërkombëtar. Hapësirat oqeanike, dhe fusha e detarisë në përgjithësi rrjedhimisht konsiderohen jetësore për interesat kombëtare të shteteve bregdetare si dhe për sistemin ndërkombëtar në tërësi.
Rëndësia e të drejtës së detit në sistemin ndërkombëtar është pasqyruar qartësisht gjatë punimeve të Konferencave të OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS), përkatësisht në vitet 1958, 1960 dhe 1982, në të cilat shtetet pavarësisht konflikteve dhe mosmarrëveshjeve që kishin midis tyre, arritën në një konsesus historik për të krijuar instrumentin ligjor ndërkombëtar më të rëndësishëm të regjimit juridik të detit. Gjatë përgatitjes dhe përpilimit të UNCLOS-it (1982), shtetet pjesëmarrëse në konferencë ranë dakort të krijonin një paketë legjislative të detit, e cila do të rregullonte dhe disiplinonte çështjet detare me natyrë ekonomike, të mbrojtjes, të sigurisë, ndotjes së mjedisit, shpëtimit të jetës, etj. Preambula e UNCLOS-it lidhur me rëndësinë e formimit të së drejtës ndërkombëtare të detit shprehet se shtetet anëtare të Konferencës, nisur nga dëshira për të trajtuar, nën frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të përbashkët, të gjitha çështjet lidhur me të drejtën e detit, dhe të ndërgjegjshëm për rëndësinë historike që përfaqëson Konventa, si një kontribut i rëndësishëm në drejtim të paqes, drejtësisë dhe përparimit për të gjithë popujt e botës, vendosën unanimisht krijimin e normave ligjore të UNCLOS-it. Komuniteti ndërkombëtar ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se problematikat e hapësirës oqeanike janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe zgjidhjet e tyre ligjore duhet të merren në konsideratë si një kornizë e plotë dhe e vetme juridike. Preambula e UNCLOS-it vazhdon më tej duke theksuar se krijimi i rendit ligjor të hapësirës oqeanike, në respekt të plotë të sovranitetit shtetëror, lehtëson komunikimin ndërkombëtar si dhe promovon përdorimin paqësor të oqeaneve, shfrytëzimin në mënyrë të barabartë dhe efikas të burimeve të tij natyrore, ruajtjen e burimeve të gjalla detare, dhe studimin, mbrojtjen dhe prezervimin e mjedisit detar dhe oqeanik.
Arritja e objektivave të mësipërme kontribuon në realizimin e një rendi ekonomik ndërkombëtar të ndershëm, të paanshëm dhe të drejtë, nocioni themelor i të cilit përmban në vetvete nevojat dhe interesat e komunitetit ndërkombëtar në tërësi, veçanërisht interesat e vendeve në zhvillim, bregdetare ose jobregdetare qofshin ato. Parimet ligjore të UNCLOS-it, si elementi kryesor i të drejtës ndërkombëtare të detit, konsiderohen me rëndësi jetike për arsye se nocioni juridik i Rezolutes 2749 (XXV), e aprovuar në 17 Dhjetor 1970 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, përmban shtyllat themelore ligjore të shfrytëzimit në mënyrë të qëndrueshme të pasurive natyrore të oqeaneve, shtratit dhe nëntokës oqeanike përtej juridiksionit kombëtar të shteteve, të cilat konsiderohen trashëgimi e përbashkët e njerëzimit. Konventa konsiderohet thelbësore edhe për faktin se promovon konceptin sipas të cilit shfrytëzimi dhe përdorimi i oqeaneve duhet të zhvillohet për të mirën e të gjithë njerëzimit, pavarësisht vendodhjes gjeografike të shteteve. Kodifikimi dhe zhvillimi i të drejtës ndërkombëtare të detit besohet nga shtetet anëtare të UNCLOS-it se do të kontribuojë në përmirësimin e paqes, sigurisë, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet shteteve bazuar në parimin e drejtësisë dhe barazisë, dhe do të promovojë përparimin ekonomik dhe shoqëror të të gjithë njerëzimit, mbështetur në qëllimin dhe parimet e Kartës së OKB-së.
E drejta ndërkombëtare e detit paraqet një rëndësi të veçantë edhe për faktin se konceptet juridike të dispozitave të caktuara ligjore të saj kanë hedhur themelet për formimin e strukturave të posaçme ndërkombëtare, të cilat trajtojnë dhe merren me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore mbi çështje të rëndësishme oqeanike. Në këtë kontekst, normat ligjore të UNCLOS-it kanë mundësuar themelimin e tre institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Një prej këtyre institucioneve është Autoriteti Ndërkombëtar i Shtratit Oqeanik, i cili është krijuar me qëllim organizimin dhe kontrollin e aktiviteteve të zhvilluara në zonën e ujërave ndërkombëtare, dhe veçanërisht për të administruar burimet natyrore të shtratit dhe nëntokës oqeanike. Autoriteti Ndërkombëtar i Shtratit Oqeanik, vendodhja e të cilit gjendet në qytetin Kingston në Xhamajka, u themelua në vitin 1994, kur hyri në fuqi edhe UNCLOS-i, dhe u kthye plotësisht operacional në rolin e një organizmi ndërkombëtar autonom në vitin 1996.
Mosmarrëveshjet e ndryshme ndërshtetërore, të cilat lindin si rezultat i aktiviteteve të zhvilluara në tabanin e thellësive oqeanike, arbitrohen nga Zyra mbi Mosmarrëveshjet e Shtratit Oqeanik, e cila është krijuar nga GJNDD-ja. Gjykata konkrete është krijuar bazuar në dispozitat ligjore të UNCLOS-it për të zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me interpretimin dhe përmbajtjen ligjore të kësaj Konvente. Vendndodhja e GJNDD-së gjendet në Hamburg të Gjermanisë, dhe kjo gjykatë filloi aktivitetin zyrtarisht në Tetor të vitit 1996, dy vjet pas hyrjes në fuqi të UNCLOS-it. Struktura e tretë ndërkombëtare, e krijuar mbështetur në normat ligjore të UNCLOS-it, është Komisioni mbi Kufizimin e Shelfit Kontinental, i cili mbajti mbledhjen e tij të parë në qershor 1997. Qëllimi i këtij Komisioni është të lehtësojë zbatimin e dispozitave ligjore të UNCLOS-it lidhur me përcaktimin e kufirit skajor të shelfit kontinental me gjerësi mbi 200 milje detare, dhe të rekomandojë shtetet e interesuara në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështje.
Disa prej kontributeve kryesore të UNCLOS-it mbi fuqizimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë të bëjnë me zhvillimin e proceseve ligjformuese dhe nocionit themelor të rregullave të caktuara. Koncepti thelbësor i kësaj Konvente i përket ndryshimit rrënjësor të procesit të ligjformimit në fushën detare, i cili në ndryshim nga instrumentët e tjerë ligjorë ndërkombëtarë, u zhvillua në një frymë ndërveprimi dhe bashkëpunimi ndërshtetëror shumëpalësh. Elemente themelore në strukturën juridike të UNCLOS-it konsiderohen një numër detyrimesh normative për të raportuar, këshilluar, aprovuar dhe respektuar rregulla të përcaktuara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë Autoritetin Ndërkombëtar të Shtratit Oqeanik dhe IMO-n. Konventa parashtron norma mbi arbitrimin dhe gjykimin e drejtë të çështjeve detare ende të pazgjidhura, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zbutjen e konflikteve ndërshtetërore mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore oqeanike dhe ushtrimin e lundrimit dhe tregtisë së lirë në hapësirën oqeanike, të cilat kanë ekzistuar për shumë kohë në arenën ndërkombëtare.
Gjatë këtyre dyzet viteve të fundit, kriminaliteti i zhvilluar në hapësirat detare dhe oqeanike ndërkombëtare është rritur dhe fuqizuar së tepërmi. Shtetet janë karakterizuar nga një shqetësim në rritje lidhur me kriminalitetin ndërkombëtar gjatë dekadave të fundit, duke kërkuar krijimin dhe zhvillimin e kornizave ligjore dhe atyre bashkëpunuese botërore, rajonale dhe dypalëshe, për të trajtuar këtë problematikë në mënyrë më efikase. E drejta e detit, parashikon me anë të disa prej konventave ndërkombëtare norma ligjore për parandalimin, luftën dhe penalizimin e fenomeneve të piraterisë, terrorizmit, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore, klandestinëve detarë, dhe krimeve të tjera të natyrës detare. Trafiku i qenieve njerëzore veçanërisht, i cili ka ardhur si rezultat i impaktit të shkaktuar nga globalizmi, luftërat civile, luftërat ndërshtetërore, si dhe kolapset ekonomike në shtete të ndryshme, është kthyer gjatë viteve të fundit në një problematikë madhore për komunitetin ndërkombëtar. Që prej vitit 1982 janë krijuar një numër instrumentash ligjorë ndërkombëtarë, të cilat promovojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të luftuar aktivitetet kriminale në det. UNCLOS (1982), e cila konsiderohet një kornizë juridike themelore dhe njëkohësisht intrumenti kryesor ligjor i regjimit juridik të detit, përmban nene të caktuara mbi përcaktimin dhe marrjen e masave kundër piraterisë, trafikut të drogës dhe terrorizmit detar nga ana e shteteve. Meqenëse pirateria, trafiku i lëndëve narkotike dhe terrorizmi ndërkombëtar konsiderohen ndër kërcënimet kryesore kundër paqes, rendit dhe sigurisë botërore, dispozitat ligjore të kësaj Konvente, i lejojnë shteteve bregdetare të ndalojnë, kontrollojnë dhe bllokojnë anijet të cilat janë të përfshira në veprimtari kriminale të natyrës detare.
Dy prej aspekteve themelore të kriminalitetit ndërkombëtar me karakter detar konsiderohen trafikimi i drogës dhe trafiku i qenieve njerëzore në det. Konventa e OKB-së kundër Trafikut të Drogës dhe Substancave Psikotropike (1988), konsiderohet një kundërpërgjigje e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar mbi këtë problematikë, duke promovuar bashkëpunimin ndërshtetëror të shteteve anëtare, element ky i pasqyruar veçanërisht në nenin 17 të kësaj Konvente, i cili parashtron çështjet e trafikut të drogës në det. Konventa konkrete është formuar pikërisht mbështetur mbi kriteret themelore të UNCLOS-it, të cilat parashtrojnë kushtet për bashkëpunimin ndërshtetëror në mënyrë që të neutralizohet trafiku detar i drogës duke u lejuar anijeve qeveritare të kontrollojnë dhe ndalojnë anijet e huaja të përfshira në transportin e paligjshëm të substancave narkotike. Të drejta të ngjashme në lidhje me bllokimin e anijeve të dyshuara për transport të paligjshëm të emigrantëve nga ana e shteteve bregdetare, parashtrohen edhe në Protokollin kundër Trafikut të Emigrantëve nëpërmjet Tokës, Detit dhe Ajrit të vitit 2000, i cili iu bashkëngjit si instrument plotësues ligjor Konventës së OKB-së kundër Krimit të Organizuar. Për më tepër, Konventa SUA (1988), u kërkon shteteve të penalizojnë ligjërisht aktet e rrëmbimit me armë kundër anijeve, të vjedhjes me dhunë, ose çdo veprimtari tjetër të paligjshme e cila nuk mbulohet juridikisht nga dispozitat ligjore të UNCLOS-it mbi piraterinë. Veçanërisht, SUA u mundëson shteteve të penalizojnë aktivitetet kriminale të kryera kundër anijeve të tyre; anijeve të huaja gjatë lundrimit në ujërat e tyre territoriale apo të brendshme, ose; kur veprimtaria kriminale është kryer kundër shtetasve të tij të cilët lundrojnë në anijet e të gjitha shteteve të tjera.
Problematikat e shkaktuara gjatë dyzet viteve të fundit si rrjedhojë e përshkallëzimit dhe fuqizimit të mëtejshëm të kriminalitetit ndërkombëtar në hapësirën oqeanike botërore, siç janë terrorizmi, pirateria, trafiku i substancave narkotike dhe të qenieve njerëzore, kanë sjellë reagimin e pjesës më të madhe të shteteve të sistemit ndërkombëtar. Këto çështje të rëndësishme me natyrë globale kanë ndikuar në rritjen e nivelit të kërcënimit të paqes, rendit dhe sigurisë jo vetëm për shtete të caktuara, por edhe për mbarë sistemin ndërkombëtar, i cili konsiderohet shumë i brishtë në kontekstin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Natyra specifike e të drejtës ndërkombëtare të detit, mundëson lundrimin paqësor të anijeve të shteteve të ndryshme përgjatë ujërave ndërkombëtare dhe ujërave territoriale të shteteve bregdetare. Duke marrë në konsideratë faktin se anijet e dyshuara në përfshirjen e aktiviteteve kriminale të karakterit ndërkombëtar normalisht operojnë nën juridiksionin ligjor të shtetit të flamurit, dhe se lundrimi i tyre mund të zhvillohet në ujërat kombëtare të një shteti tjetër dhe personat të cilët janë pjesë e ekuipazhit apo pasagjerët zotërojnë shtetësi apo kombësi të shteteve të ndryshme, atëherë mund të logjikohet sesa e vështirë konsiderohet zgjidhja ligjore lidhur me ndalimin dhe penalizimin e anijes shkelëse të ligjit dhe ekuipazhit të saj. Kjo vjen për arsye se shtetet e përfshira në këtë incident të natyrës ndërkombëtare, mbështetur në normat ligjore të detit, kanë të drejtë të mbrojnë interesat kombëtare mbi çështjen konkrete, e cila mund të rezultojë ndoshta në një përplasje politike ose tensione ndërshtetërore, ku secila palë përpiqet të mbizotërojë ligjërisht dhe praktikisht.
Ndërkohë që terrorizmi detar gjatë shekullit XX dhe XXI është konsideruar një kërcënim i rrezikshëm për paqen dhe sigurinë botërore, fatkeqësisht në UNCLOS këtij fenomeni nuk i është dhënë ndonjë rëndësi apo seriozitet i madh. Në këtë Konventë janë formuluar vetëm disa dispozita të përgjithshme ligjore mbi përkufizimin dhe konceptin e terrorizmit dhe piraterisë detare. Nga ana tjetër, Konventa mbi Neutralizimin e Akteve të Paligjshme kundër Anijeve (SUA), e krijuar nga IMO me rekomandimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së menjëherë pas ngjarjes terroriste të rrëmbimit të anijes pasagjere italiane Achille Lauro në vitin 1985, dhe e hyrë në fuqi në vitin 1992, konsiderohet një instrument më efikas në lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar për neutralizmin e akteve të paligjshme në det. Fillimisht e planifikuar nga Lëvizja për Çlirimin e Palestinës nën drejtimin e Abu Abbas, si një mision për të kontrabanduar armatim e mjete shpërthyese në drejtim të Izraelit, ngjarja terroriste mori një kthesë të papritur duke u transformuar në një incident të rrezikshëm rrëmbimi anijeje në ujërat ndërkombëtare, kur u zbulua aksidentalisht nga ekuipazhi i Achille Lauro-s. Terroristët morën nën kontroll anijen dhe kërkuan, ndërmjet të tjerave, lirimin e terroristeve të mbajtur në burgjet izraelite, si dhe rrugëkalim të lirë për anijen.
Çështja problematike e terrorizmit ndërkombëtar mendohet të ketë mbulimin më të gjerë legjislativ sesa çdo veprimtari tjetër kriminale detare në kohët moderne. Aktualisht ekzistojnë trembëdhjetë konventa apo traktate ndërkombëtare të krijuara nën juridiksionin e OKB-së, të cilat trajtojnë juridikisht veprimtarinë terroriste ose aktivitete të ngjashme kriminale në lidhje me aviacionin civil, aeroportet ndërkombëtare, platformat fikse të ndërtuara në shelfin kontinental, marrjen e pengjeve, rrëmbimin e anijeve, mbrojtjen fizike të materialeve bërthamore, shënjimin e mjeteve shpërthyese plastike më qëllimin e zbulimit, akteve terroriste dhe financimin e terrorizmit. Duke marrë në konsideratë faktin që terrorizmi botëror ka shkaktuar një ndikim të madh në zhvillimin e sistemit ndërkombëtar dhe të MN në veçanti, duke provokuar si rrjedhojë konflikte të armatosura të përmasave të mëdha, si në rastin e pushtimit të Afganistanit nga SHBA-ja dhe shtete të tjera aleate, komuniteti ndërkombëtar i ka kushtuar një rëndësi madhore krijimit, zhvillimit, përmirësimit dhe zbatimit të normave ligjore të së drejtës ndërkombëtare mbi parandalimin, luftën dhe penalizmin e akteve terroriste. Ky është një progres i konsiderueshëm për teorinë e realizmit, e cila mbështetet te fuqia dhe pushteti shtetëror për të shpjeguar MN, për arsye se tashmë realizmi e pranon përfshirjen e normave ligjore ndërkombëtare në analizën e zhvillimit dhe të pasojave në MN. Në këtë kontekst, sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 në New York, konsiderohen arsyeja kryesore në rritjen e madhe të mbështetjes ndërshtetërore mbi aderimin, ratifikimin dhe zbatimin e instrumenteve ligjorë ndërkombëtarë lidhur me terrorizmin dhe sigurinë detare. Më shumë se 70 ratifikime të reja të Konventës SUA (1988) u depozituan në IMO brenda dy viteve pas sulmeve terroriste të kullave binjake, duke iu përgjigjur kështu Rezolutës A. 924(22) të OKB-së për ratifikimin e traktateve mbi sigurinë globale.
Përveç traktateve ndërkombëtare shumëpalëshe mbi antiterrorizmin, ekzistojnë të paktën shtatë konventa ndërkombëtare në nivel rajonal të krijuara nga Liga Arabe, Organizata e Shteteve Islamike, Këshilli i Europës, Organizata e Shteteve Amerikane, Organizata e Bashkimit Afrikan, Shoqata e Azisë Jugore mbi Bashkëpunimin Rajonal, dhe Komonuelthi i Shteteve të Pavarura, të cilat trajtojnë çështje mbi neutralizimin dhe luftën kundër terrorizmit global. Ky interesim i madh i organizmave ndërkombëtarë për të krijuar një sistem rregullator me fokus në bashkëpunimin ndërshtetëror lidhur me parandalimin dhe luftën kundër fenomenit global të terrorizmit, tregon edhe njëherë rëndësinë madhore që përfaqëson për sistemin ndërkombëtar e drejta e detit.