Importi i plehrave apo ndalimi i tyre, premtim i mbajtur nga Rama?

Tre deputetë socialistë i kërkuan Kuvendit të miratojë një amendim për ligjin e shumëdebatuar të menaxhimit të mbetjeve, për t’i rihapur rrugë importit të mbeturinave, të cilat u ndaluan pas një beteje shumëvjeçare të shoqërisë civile nga mazhoranca aktuale e kryesuar nga Partia Socialiste në shtator të vitit 2013. Relacioni i projektligjit, i firmosur nga deputetët Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni dhe i publikuar në faqen e internetit të Parlamentit, thotë se propozimi i tyre vjen si kërkesë e Shoqatës së Ricikluesve, një organizatë që përfaqëson interesat e disa kompanive që punojnë në fushën e grumbullimit të metaleve të përdorura, të plastikës dhe kartonit.
“…Investimet në këtë fushë zënë rreth 120 milionë euro dhe janë të punësuar rreth 35 mijë punonjës”, thonë të tre deputetët në relacion pa dhënë burimin e këtyre statistikave.
“Ndalimi i importit solli si pasojë që industria e riciklimit të punojë me 30% të kapaciteteve, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik, si dhe shkurtim të fuqisë punëtore”, vijon më tej relacioni, i cili argumenton se Shqipëria sot, për shkak se ka Inspektorat Mjedisi, është në gjendje të kontrollojë situatën dhe të mos lejojë që bashkë me mbetjet për riciklim, në Shqipëri të importohen edhe mbetje për groposje.
Qeveria e kaluar e ish-Kryeministrit Sali Berisha u përball me protesta dhe me nismë për një referendum pas vitit 2011, kur miratoi ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, kur mes të tjerash, lejonte importimin e mbetjeve të tilla si hekur, plastikë, karton etj., për të furnizuar industrinë e riciklimit.
Pas pengesave të shumta, Aleanca kundër Importit të Plehrave ia doli të kapërcejë procedurat për të realizuar referendumin e parë të kërkuar nga qytetarët në historinë e Shqipërisë. Presidenti i Republikës përcaktoi datën 24 dhjetor 2013 për zhvillimin e këtij referendumi, por gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, Partia Socialiste e premtoi anulimin e ligjit në mbi 100 raste gjatë takimeve të ndryshme elektorale dhe e mbajti premtimin në ditët e para të ardhjes në pushtet, duke e bërë të panevojshëm zhvillimin e referendumit.
Që nga çasti i anulimit të neneve që lejonin importin e mbetjeve, presioni mbi qeverinë ka qenë i shumtë nga ana e ricikluesve, të cilët thonë se importi i mbetjeve i mundëson atyre të shtojnë prodhimin dhe eksportet.
Deputetët që kanë firmosur projektligjin argumentojnë se lejimi i importit të plehrave “do të hapin mundësi të mëdha ekonomike në sektorin e riciklimit, shoqëruar me krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të reja të punës, rritje e rëndësishme të PBB-së dhe dyfishim të eksporteve”, argument që i referohet Shoqatës së Ricikluesve.

Vendimi i 16 shtatorit 2013 për ndalimin e importit të plehrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje mbledhjen e parë të qeverisë në selinë kryeministrore. Në sallën e rimodeluar tërësisht Rama mblodhi me dyer të mbyllura për rreth 30 minuta 21 ministrat, ndërkohë që nuk mungonte as shefja e kabinetit, Vali Bizhga dhe pjesë e stafit të ngushtë të tij. “Sot, në datë 15 shtator 2013, Kryeministri Edi Rama drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, në të cilën u morën këto vendime: 1. Zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit; 2. Miratimin e Kodit Etik Ministror; 3. Ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë’, thuhej në publikimin zyrtar menjëherë pas mbledhjes. Ndërkohë që ministrat kanë për detyrë të respektojnë demokracinë, qytetarët dhe mos t’i krijojnë avantazhe vetes nga posti që mbajnë. Ndalimi i importit të plehrave është një tjetër vendim i marrë nga kabineti Rama i paralajmëruar më herët prej tij. Ligji i qeverisë i miratuar në Kuvend u kundërshtua fort nga shoqëria civile, e cila ndërmori dhe një nismë për rrëzimin e tij. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë miratoi në fillim të marsit zhvillimin e një referendumi popullor kundër importimit dhe riciklimit në Shqipëri të mbetjeve nga vendet e BE-së. Lëvizja qytetare “Aleanca kundër Importit të Plehrave” e drejtuar nga një grup nismëtar ambientalistësh dhe aktivistësh për të drejtat e njeriut ia doli mbanë të mbledhë 50 mijë firma qytetarësh, të shoqëruara me fotokopjen e Kartës së Identitetit të secilit prej tyre. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, referendumi mund të zhvillohet kur atë e kërkon 1/5 e deputetëve, pra 28 syresh ose 50 mijë qytetarë, me firmat e tyre. Ky është rasti i referendumit kundër importit dhe riciklimit të mbetjeve nga vendet e BE.

Qëndrimi i PS për plehrat më 1 korrik 2013

Shfuqizimi i ligjit nga PS është një nga premtimet që qeveria e majtë do të realizojë në 100 ditët e para të qeverisjes. Sekretari i athershëm për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqaj, thoshte se PS kishte filluar punën për përgatitjen e draftit për ndryshimin e amendimeve në ligj dhe se referendumi nuk do të jetë i nevojshëm pasi ligji do të abrogohet. “Ne po përgatitemi për të mbajtur të gjitha premtimet e parashikuara për 100 ditët e para dhe do i mbajmë. Një ndër to është edhe ligji i importit të mbetjeve, të cilin do ta shfuqizojmë në Parlament”, deklaroi Beqaj. Nisma është konfirmuar edhe nga deputetët Besnik Baraj dhe Saimir Tahiri. Sipas Partisë Socialiste, janë dy nene që duhen amenduar për të krijuar mundësinë që të pastrohet Shqipëria. Në fillim, do të verifikohen fabrikat që do të merren me riciklimin e mbetjeve në vendin tonë, nëse kapacitetet e fabrikave janë përtej atyre që derdhen në plehrat e vendit. PS është shprehur se do të bashkëpunojë me biznesin riciklues dhe do të përdorë skema dhe mekanizma ekonomike, që tashmë janë praktika të njohura për vendet e tjera. Aktualisht, ajo është në fazën e studimit të të gjitha grupeve të interesit, që do të kryejnë biznesin riciklues të mbetjeve. Ndërkaq, ndër premtimet e Partisë Socialiste për 100 ditët e para është edhe importi i mbetjeve. Rama ka premtuar që në 100 ditët e para do ta ndalojë importin e plehrave. “Shqipëria nuk do të importojë mbeturina për t’u përpunuar. Kryebashkiakët socialistë kanë projektin për moslejimin e mëtejshëm të kodrave me plehra që digjen pranë qytetit. Po pse këto projekte mbeten në letër, kur nuk janë aq të kushtueshme sa të mos përballohen? Përsa kohë nuk kemi një përgjigje për ata që duhet të japin llogari për këtë kemi një përgjigje tonën: siç ka një mafie për drogën, ka edhe një mafie për plehrat. Ka një interes shumë të madh për të hapur dhe kontrolluar kanale të kontrollit dhe përpunimit të plehrave”, pati deklaruar Rama, duke premtuar që do ta shfuqizojë këtë vendim.

Exit mobile version