Imzot Gjergj Frendo: Zgjedhje pluraliste, dialog dhe jo monolog

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Gjergj Frendo, i ka drejtuar një mesazh reflektimi politikanëve ku ka bërë thirrje që zgjidhja e krizës politike duhet të vijë përmes një dialogu të vërtetë dhe jo monologut, ndërsa ka kërkuar garantimin e zgjedhjeve ashtu siç ndodh në pluralizëm, ku njerëzit kanë mundësi të zgjedhin mes shumë partive që kandidojnë. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve me rastin e Festës së Pashkëve, Imzot Frendo u ndal jo pak tek kriza që ka përfshirë sot vendin. Ai u ndal tek zgjedhjet dhe rëndësia që ka, që palët të dëshmojnë maturi në përputhje me atë që kërkon demokracia, duke ofruar mundësinë të gjithë qytetarëve për pluralizëm, për të zgjedhur mes shumë mundësive atë që është më e mira për ta. Nga ana tjetër, pjekuri dhe maturi, Imzot Gjergj Frendo kërkoi edhe nga qytetarët, të cilëve u kërkoi të përdorin sa më mirë dhe të lirë votën e tyre për të mirën e përbashkët të të gjithëve.

Mesazhi i Imzot Gjergj Frendo O.P

Ne kremtojmë Pashkët çdo vit. Megjithatë çdo vit i kremtojmë në një situatë të ndryshme. Por në çdo situatë, të mirë apo të keqe, duhet të pyesim vetveten: Krishti i ngjallur, Krishti, që me ngjalljen e tij, ka mbjellë në zemrën e njeriut një shpresë të re, të fortë dhe të gjallë, dhe është takuar me shumë njerëz, çfarë porosie ka për ne në këtë situatë?
Po, situata në të cilën sivjet po kremtojmë Pashkët është disi ndryshe nga situata e vjetshme. Në këto vite të fundit kemi kremtuar Pashkët në momente, kur përjetohej absurdi i të ashtuquajturit ISIS, i cili ka shkaktuar shumë viktima të krishtera, përfshirë këtu edhe disa meshtarë e katër murgesha Misionare të Dashurisë, motrat e Nënë Terezës të vrarë vjet. Sivjet kemi dëgjuar për masakra të tjera. Edhe gjatë këtyre ditëve të fundit u lodhëm, duke dëgjuar aq shumë lajme të këqija. Kush mund të na i hapë dyert që të shohim pakëz dritë? Kush mund të na dhurojë pakëz shpresë? Cila ideologji politike mund të na tregojë rrugën e një bote të re, ku nuk do të dëgjonim më lajme të tmerrshme si këto që po dëgjojmë gjatë këtyre ditëve? Kemi dëgjuar për armët kimike në Siri, që kanë lënë shumë viktima të pafajshme. Kemi dëgjuar për atë kamion, shoferi i të cilit çmendurisht ka kaluar mbi njerëzit, duke vrarë dhe plagosur shumë të pafajshëm. Kemi dëgjuar për bombë në dy Kisha në Egjipt ditën e Dielës së Larit, që lanë shumë viktima. Vallë, bota e sotme është një shoqëri njerëzish apo është kthyer në një pyll kafshësh?
Çfarë na thotë Krishti i ngjallur në këto situata? Është po Ai Krisht i cili, me t’u ngjallur, në takimet e tij me njerëzit e shumtë, pati gjithmonë të njëjtin urim: “Paqja me ju!” Atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre, që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti u thotë: “Falni, ashtu si unë ju kam falur” dhe i kujton lutjen që bëri kur ishte në kryq: “Fali, o Atë!” Atyre që ushtrojnë dhunë dhe vandalizëm, i kujton fjalët që i tha apostullit Pjetër në kopshtin e Gjetsemanit: “Të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin”.
Sivjet po kremtojmë Pashkët në vitin kur duhet të bëhen zgjedhjet politike. Mesazhi i Krishtit të ngjallur për ne në këtë situatë është një mesazh i fortë. Si i ngjallur, Krishti hyri në dialog me të gjthë ata që e kanë takuar, duke u thënë: “Paqja me ju!” Të mos e lejojmë kurrë, që politika të mbartë pasojat e përçarjes. Në emrin e Krishtit, dëshiroj t’u komunikoj të gjithë politikanëve sot: rruga për zgjedhjen e krizës së tanishme, qëndron vetëm në dialogun; në veçoritë e dialogut, gjatë të cilit, të dyja palët lipset jo vetëm të flasin, por edhe të dëgjojnë me përgjegjësi e pjekuri të plotë, për të finalizuar të mirën e kombit më shumë sesa të mirën e partisë. Sepse dialogu është dialog e jo monolog.
Dhe le ta përjetojmë këtë situatë me dinjitet e me pjekuri, si qytetarë të vërtetë të një kombi demokratik e pluralist. Le të tregohemi se jemi njerëz që me të vërtetë e meritojmë shoqërinë demokratike e pluraliste. Demokracia kërkon pjekuri për një përdorim të mirë të votës dhe të lirisë, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët. Pluralizmi kërkon pjekurinë njerëzore, e cila ka mundësi të zgjedhë ndër shumë parti politike ose gjëra të tjera të mundshme, të zgjedhë atë që është më e mirë, ose atë që është më pak e keqe.
Të gjithë juve ju uroj: Gëzuar Pashkët. Nga zemra ju uroj paqen e gëzimin e Krishtit.

Exit mobile version