Më 13 shtator 1907 – Poeti Mitrush Kuteli, pseudonimi letrar i Dhimitër Paskos, lindi në Pogradec, studioi në Selanik e Bukuresht, u kthye në Shqipëri për të shërbyer, dhe diktatura ia shpërbleu me ndëshkime e burg këtë përkushtim.
Mitrush Kuteli vdiq me 1967, por la pas artin e të shkruarit dhe poetikën e tij.
Kush është Mitrush Kuteli, rrëfimtari i rrallë i përrallave shqiptare
Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1919 dhe po në këtë vit, në kalendarin “Pogradeci”, botoi vjershat e tij të para: “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu”. Më 1921 filloi Shkollën Tregtare Rumune në Selanik, ndërsa në vitin 1928, filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike në Bukuresht, ku njëkohësisht drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi rubrikën “Shënime Letrare”. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Doktor i shkencave ekonomike”.
Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist. Në 1945 u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar dhe më vonë, derisa ndërroi jetë, punoi si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore “Naim Frashëri”.
Mitrush Kuteli mbetet një prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.
Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja. Aktualisht shumica e shkrimeve dhe përkthimeve të Kutelit janë në qarkullim.
“Tregime të Moçme Shqiptare”, është një libër që tërheq vëmendjen e lexuesit. Është ndër librat më të kërkuar në treg dhe lexohet nga të gjitha moshat. Vepra e Kutelit është botuar në tre vëllime me titullin “Prozë dhe Vargje të Zgjedhura”. Ndërsa kritika e Kutelit është përfshirë te botimi “Shënime letrare”.
Një nga përrallat më të bukura të Kutelit, ”E madhe është gjëma e mëkatit” është botuar më vete. Për të vegjlit në qarkullim gjenden edhe përrallat me ilustrime “Maçoku, gjeli e dhelpra”, “E bukura e dheut” dhe “Piktori i vogël që bënte mrekullira”. Ndonëse njihet më së shumti si shkrimtar, eksperienca e tij si ekonomist shpaloset te libri “Ditari i Ekonomistit”.
Kuteli si përkthyes është gjithashtu i jashtëzakonshëm. Kryevepra e Gogolit “Frymë të Vdekura” erdhi në shqip falë Kutelit në vitin 1962. Dy vjet më herët, Kuteli pati sjellë në shqip “Tregimet e Peterburgut”, si dhe plot përkthime të tjera.