“Ora News” ka zbardhur listën e kandidatëve nga Shqipëria për në Gjykatën e Strasburgut. Ajo që vihet re është se në listën e kandidatëve nuk është emri i ish-Kryeprokurores Ina Rama, ndërsa kandidojnë sërish Gent Ibrahimi dhe Sokol Berberi.
Në garë janë Gent Ibrahimi, Sokol Berberi, Aleksandër Musja, Asllan Karaj, Aurela Anastasi, Elira Kokona, Ermal Frashëri, Marjana Selimi Tutulani, Markeljan Koça, Oriona Muçollari dhe Suela Mëneri.
Më 1 nëntor 2016, qeveria shqiptare rihapi aplikimin për kandidaturën për gjyqtar të ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa në shtator Gent Ibrahimi, Sokol Berberi, Ina Rama, u skualifikuan nga Këshilli i Evropës, si kandidatë për gjykatës në Gjykatën Europiane. Burimet i thanë “Ora News”, se emrat nuk ishin hedhur në votim, ndërsa skualifikimi ishte bërë nga Komisioni i Seleksionimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës dhe arsyet zyrtare lidhen me procedurën e përzgjedhjes dhe shkeljen e afateve të dorëzimit të emrave të kandidatëve shqiptarë.
Mandati i gjyqtarit është për një afat prej 9 vjetësh dhe mbaron pas përfundimit të këtij afati ose kur ai/ajo arrin moshën 70 vjeç. Kandidatët nëse zgjidhen, duhet të jenë në gjendje të mbajnë këtë detyrë për të paktën sa gjysmën e mandatit 9-vjeçar, para se të arrijnë moshën 70 vjeç.