Në Shqipëri, ndarja e mbetjeve bashkiake në burim është pothuajse inekzistente, pavarësisht nga detyrimi ligjor për të kryer këtë proces, ndërkohë që qeveria e Shqipërisë ka përqendruar burimet financiare në ndërtimin e inceneratorëve në kurriz të industrisë së riciklimit, thotë një analizë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ( OECD) mbi mundësitë e Shqipërisë për adoptimin e ekonomisë qarkulluese.
Studimi vë në dukje se vetëm rreth 17% e mbetjeve bashkiake (për të cilat ekzistojnë vlerësime) riciklohen (krahasuar me 48% në Bashkimin Europian) dhe metoda kryesore e menaxhimit të mbetjeve është depozitimi në landfill.
“Impianti i parë i djegies në Shqipëri filloi të funksionojë në vitin 2019 në Elbasan, i cili trajtoi përreth 2% të mbetjeve për qëllime energjetike në 2021. Dy inceneratorët e tjerë në Fier dhe Tiranë ende nuk janë vënë në punë.
Sidoqoftë, investimet në impiantet e djegies së mbetjeve nuk duhet të bëhen në kurriz të industrisë së riciklimit në Shqipëri dhe nuk duhet ta largojnë vendin nga përafrimi me parimin e hierarkisë së mbetjeve të acquis të BE-së, riciklimin e mbetjeve në modelin e ekonomisë rrethore” thuhet në studimin të OECD-së,
Në Shqipëri, ka rreth 30 kompani private riciklimi, të cilët kanë kryer rreth 230 milionë euro investime. Kapaciteti i kombinuar përpunues i këtyre kompanive është rreth 500 000 tonë/vit, që është më se i mjaftueshëm për të përpunuar të gjitha mbetjet e riciklueshme të krijuara në ekonominë e vendit.
Megjithatë, për shkak të mungesës së lëndës së parë, kompanitë kanë raportuar se punojnë me rreth 25% të kapacitetit të tyre prodhues dhe riciklojnë rreth 10% të totalit të mbetjeve bashkiake të krijuara.
OECD tha se Shqipëria nuk po menaxhon si duhet mbetjet industriale, të cilët janë një ndotës i madhe i ujërave tokës, ndërsa mbetjet organike mund të ripërdoren si burim për plehrat organike të tokës ose si burim i biomasës për të gjeneruar biokarburantet, duke ulur kështu koston e blerjes së lëndëve të para.
Mbetjet e minierave mund të përdoren si zgjidhje për të mbushur zbrazëtirat e minierave, për argjinatura, rrugë, dhe ndërtime ndërtesash. industria e çimentos, me furrat e saj me temperaturë të lartë ka kapacitetin për të shfrytëzuar mbeturinat, të tilla si vajrat e përdorura, gomat dhe mbetjet plastike, si burime alternative të energjisë.
Për më tepër, përveç ndalimit të disa llojeve të qeseve plastike njëpërdorimshme në vitin 2022, riciklimi dhe qarkullimi ende është shumë i nevojshme për të reduktuar më tej ndotjen plastike, të krijuar nga përdorimi i paqëndrueshëm i saj, pasi ajo sjell disa rreziqe për sektorin e turizmit shqiptar, ekosistemet dhe shëndetin e njeriut, këshilloi OECD./B.Hoxha/Monitor