“Inceneratori” bipartizan i Kamzës që vuri nën hetim lubinë Alko Impex

Klodian Tomorri

Oreksi i madh i socialistëve për të bërë biznes me plehrat i tejkaloi kufijtë politikë në vitin 2018, kur epidemia e koncesioneve të mbetjeve infektoi edhe Bashkinë e Kamzës. Kur nuk kishte kaluar as një vit nga koncesioni famëkeq i inceneratorit të Tiranës, bashkia e Kamzës shpalli tenderin tenderin për të dhënë edhe ajo tek privati shërbimin e pastrimit, grumbullimit, transportit dhe seleksionimit të mbetjeve në territorin e saj.

Xhelal Mziu, kryetari demokrat i bashkisë së Kamzës, përzgjodhi si fituese dy kompani, që ishin pjesë e oborrit të lartë të Rilindjes. Ato ishin Alko Impex e Arbër Abazit me 95 për qind të aksioneve dhe 2T e vëllezërve Sako me 5 për qind të aksioneve.

koncesioni alko

Subjekti i krijuar për të menaxhuar koncesionin u quajt Eco Cleaning dhe sipas kontratës, kjo kompani do të merrte në dorë shërbimin e pastrimit të Kamzës për 12 vjet kundrejt një fature prej 13.5 milionë euro, që do të paguhej nga qytetarët e Kamzës. Ky ishte fillimi i një afere që rezultoi bipartizane.

Luftë mes bandave
Në thelb, koncesioni i mbetjeve të Kamzës ishte shkëputja e një cope nga biznesi i inceneratorit i Tiranës. Por me gjithë fuqinë e madhe që kishte brenda Rilindjes, Arbër Abazi nuk i kishte bërë mirë llogaritë e rezistencës së bandës tjetër të pushtetit, asaj të inceneratorit.

Sipas kontratës së koncesionit, shoqëria Eco Cleaning kishte detyrimin për të ndërtuar një stacion transferimi në Valias. Ky ishte vendi ku ku do të bëhej larja e kontenierëve, por mbi të gjitha diferencimi i mbetjeve të grumbulluara nga territori i Bashkisë së Kamzës.

Nga viti 2018 deri në vitin 2021, Alko Impex aplikoi 4 herë për të marrë lejen mjedisore për ndërtimin e stacionit të transferimit. Por Agjencia Kombëtare e Mjedisit i refuzoi të katra aplikimet.

Arsyet e refuzimit ishin disa, por më kryesorja ishte ajo e mosdeklarimit të destinacionit përfundimtar të mbetjeve. Ku do të depozitoheshin mbetjet e Kamzës? Por refuzimet e Agjencicë së Mjedisit për të pajisur me leje mjedisore ndërtimin e stacionit të transferimit në Valias ishin më shumë se kaq. Në vlerësimin mjedisor strategjik për Bashkinë Kamëz, kompania Attelier 4 zbulon se projekti i stacionit të transferimit kundërshtohet nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Me pak fjalë, Alko Impex kishte hyrë në territorin e bandës së inceneratorëve, e cila filloi sulmin. Televizioni Top Channel, i njohur gjerësisht në publik si organi zyrtar mediatik i inceneratorëve, nisi një seri denoncimesh se si Alko Impex depozitonte mbetjet e Kamzës në Sharrë duke mashtruar për origjinën e tyre dhe duke i paraqitur si mbetje të Tiranës.

Eco Cleaning paguhej mbi 1 milionë euro në vit nga bashkia e Kamzës, ndërkohë që faturën e depozitimit të mbetjeve ja transferonte qytetarëve të Tiranës. Skandali u bë edhe më i madh, kur Belind Këlliçi zbuloi si Erion Veliaj kishte paguar 6 milionë euro si tarifë depozitimi në Sharrë për mbetjet e koncesionarit të Kamzës.

Bandat në SPAK
Ashtu si inceneratori i Tiranës edhe koncesioni i mbetjeve të Kamzës përfundoi në SPAK. Pak ditë më parë, ish kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu u thirr në prokurorinë e Posaçme. Pas daljes nga SPAK, zoti Mziu deklaroi se ishte thirrur si person në dijeni. Por arsyeja e thirrjes ishte koncesioni i mbetjeve të Kamzës, ku zoti Mziu është vënë nën hetim.

Kapitali ka mësuar se SPAK ka vënë nën hetim edhe Arbër Abazin, pronarin e koncesionit të Kamzës dhe një prej perandorive më të fuqishme ekonomike në Shqipëri. Atë të dy Alkove, bizneset e zotëruara nga një çunak i ri të cilat lindën me ardhjen e Rilindjes në pushtet dhe u shndërruar në nga peshkaqenët më të mëdhenj të fondeve publike në Shqipëri.

Por hetimet për koncesionin e mbetjeve të Kamzës ka shumë gjasa që të hapin një pusetë të madhe korrupsioni dhe lidhjesh të fuqishme, përmes të cilave Alkot kanë marrë të paktën 200 milionë euro kontrata publike në 10 vitet e pushtetit socialist. Dhe këto lidhje janë si rrjeta e merimangës, të cilat rrugës u ngatërruan me njëra tjetrën duke hapur një luftë të fortë brenda llojit.

Jo rastësisht, së fundmi Alkot dhe koncesioni i mbetjeve te Kamzës, kanë qenë në qendër të sulmeve nga mediat afër Erion Veliajt , të cilat kanë zbuluar dhe një hotel gjigand në Durrës, që sipas tyre po ndërtohet në bashkëpronësi nga Arbër Abazi dhe Xhelal Mziu. Sepse fuqia e Alkove tani buron nga krushqitë me një qendër tjetër pushteti, rivales kryesore të klanit Veliaj brenda organizatës së madhe të Rilindjes.

Exit mobile version