Kompania Integrated Energy BV SPV që ka në menaxhim inceneratorin e Tiranës, që është edhe në sekuestro dhe në hetim nga SPAK për korrupsion, mori në vitin 2024 pagesa nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave 1,53 miliardë lekë ose 21 për qind më shumë se plani për këtë projekt.
Tabelat që shoqëronin buxhetin 2024 planifikonin që pagesat për projektin “Ndërtimi i landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike” që menaxhohet të nga Integrated Energy BV SPV të arrinin në 1,2 7 miliardë lekë, por të dhënat nga thesari të gjeneruara nga Open Data Albania tregojnë se janë paguar nga 1 janari -në 31 dhjetor 2024 më shumë se 1,53 miliardë lekë ose 2,7 milionë euro më shumë se plani.
Informacioni i detajuar tregon se 32 për qind e pagesave u dhanë në tremujorin e fundit. Deri në shtator ishin paguar rreth 1 miliardë lekë, dhe në tre muajt e fundit të vitit 2024 u pagua më shumë se 500 milionë lekë. Te dhënat e thesarit tregojnë në ditën e fundit të vitit 31 dhjetor 2024, Thesari ka çelur 76 milionë lekë ose 767 mijë euro ndaj Integrated.
Të dhënat mbi faturat e pagesave tregojnë se fondet kanë shkuar për depozitim mbetjesh ndaj Bashkive të Durrësit, Kavajës, Vorës, Kamzës, ndërsa në përshkrimin e faturave të Bashkisë Tiranë është edhe ndërtimi inceneratorit ( shiko tabelën e mëposhtme).
Faturat e thesarit tregojnë se pagesat bëhen ndaj Integrated Energy BV SPV e cila është në administrim të shtetit, për shkak të akuzave që ngriti SPAK për një aferë të madhe korruptive. Ndaj administratorit shtet paguhen fatura për ndërtimin e incineratorit, punimet e të cilit nuk kanë filluar. Megjithëse ekzistojnë ligje, udhëzime, rregulla dhe struktura ligjore që pengojnë çeljen e fondeve nëse nuk ka fatura punimesh sërish pagesat vazhdojnë, duke prodhuar një dëm material dhe moral ndaj taksapaguesve shqiptare.
Një nga faturat ka këtë përshkrim: ”Bashkia Tiranë likuidim për depozitim mbetje urbane, inerte, ndërtim land-filli incenerator dhe rehabilitim i kontratës në vazhdim. Situacion mars 2024 nr.1158/2024. Fatura nr 1157/2024 dt 14.062024”.
Çështja e incineratorit ka marrë përmasat e një investimi korruptiv që ka çuar prapa hekurave të burgut një seri zyrtarësh të lartë. Sipas të dhënave nga bilanci më 2022 kompania që menaxhon inceneratorin, integrated Energy BV SPV siguroi një fitim prej 685 milionë lekësh. Norma e fitimeve para taksave ishte 41 për qind, ndërsa në vitit 2021 ishte 48 %.
Sakaq transporti i plehrave nga Kavaja dhe Durrësi drejt Tiranës i ka vënë bashkitë bregdetare ne vështirësi, pasi po çojnë për shërbimet e pastrimit pjesën më të madhe te të ardhurave të veta teksa në horizont nuk ka asnjë zgjidhje të re për çështjen e menaxhimit të mbetjeve në zonën me të populluar të vendit.
Në ekstraktin e kompanisë Integrated Energy BV SPV thuhet se kompania ka këtë objekt aktiviteti: Ndërtimi, administrimi, operimi dhe transferimi i impiantit te trajtimit te mbetjeve ne Tirane dhe prodhimi i energjisë për autoritetin kontraktues, duke përfshire financimin, ndërtimin, vënien në pune, furnizimin, transmetimin, shpërndarjen, shitjen dhe eksportin e energjisë elektrike në këtë kontrate koncesioni si dhe çdo lloj tjetër aktiviteti tregtar që lidhet dhe ushtrohet sipas kësaj kontrate, gjithashtu dhe çdo aktivitet tjetër qe kontribuon ne zhvillimin dhe administrimin e projekti”.
Aktualisht administrator i Integrated Energy BV SPV është Indrit Karaj, Administrator i Agjencisë se Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe Konfiskuara./Monitor