Inceneratori i Tiranës/ PD, Bejko: Mbështesim SPAK dhe gjyqësorin. Rrjetës së drejtësisë nuk duhet t’i shpëtojnë peshkaqenët e mëdhenj

Lidhur me goditjen e fundit të SPAK për inceneratorin e Tiranës, ka reaguar në një postim në rrjetin social facebook ish-kandidati i PD për bashkinë Tiranë, njëkohësisht nënkryetar i kësaj force politike, Roland Bejko.

Bejko shprehet se PD është plotësisht në mbështetje të SPAK-ut dhe inkurajon prokurorët, gjyqtarët dhe ekipet e tyre të vazhdojnë me guxim dhe vendosmëri punën e tyre.

“Partia Demokratike ka qenë dhe është plotësisht në mbështetje të SPAK dhe drejtësisë së re. Ajo e ka përshëndetur atë vazhdimisht për aksionet e saj me objektiv luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne i inkurajojmë prokurorët, gjyqtarët, dhe ekipet e tyre që të vazhdojnë me guxim dhe vendosmëri të çojnë para togave të zeza këdo nga ofiqarët dhe bashkëpunëtorët e tyre, pavarësisht pozicionit që mbajnë në hierarkinë shtetërore, për të dhënë llogari për abuzimet e mundshme që kanë bërë me pushtetin, fondet publike, dhe me besimin që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë.”
– shkruan Bejko.

“Goditja që ka marrë banda e incerenatorëve të bashkisë Tiranë, – vijon më tej ai, – është dëshmia më e mirë se SPAK e meriton mbështetjen e deritanishme.”

Bejko e mbyll reagimin e tij duke thënë se “kemi arsye të besojmë se rrjetës së drejtësisë nuk do t’i shpëtojë askush nga peshkaqenët e mëdhenj të pushtetit në megaskandalin e inceneratorëve dhe më tej, me qëllim që veç të tjerash, besimi ynë dhe shpresa e publikut shqiptar te drejtësia e re, të mos meritojë të mbetet thjesht një ëndër e bukur”.

Exit mobile version