Inceneratori i Tiranës, zbulohet data kur do të jepet vendimi nga GJKKO për të pandehurit! Mes të akuzuarve edhe ish-ministri Lefter Koka

Më 16 prill 2025, Gjykata e Posaçme do të japë vendimin për të pandehurit e dosjes së Inceneratorit të Tiranës, ku mes tyre është edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

 

Kujtojmë se SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite burg të ish-ministrit Koka, i cili gjykohet me gjykim të shkurtuar së bashku me 7 të akuzuarit e tjerë.

Pretenca për të pandehurit:

  1. Lefter Koka 4 vjet burg
  2. Bledar Karoli 4 vjet burg
  3. Fatjon Murati 4 vjet burg
  4. Taulant Tushe 4 vjet burg
  5. Namik Simixhi 4 vjet burg
  6. Valbona Ballgjini 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
  7. Sidita Kopliku 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
  8. Jetmir Llapaj 2 vjet burg

Kujtojmë që për inceneratorin e Fierit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbrit në 6.8 vite qëndrim pas hekurave.

Për inceneratorin e Elbasanit, ish-ministri Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6.8 burg edhe për këtë çështje.

AKUZAT E PROKURORISË SË POSAÇME

Sipas SPAK, nga aktet e administruara kontrata lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera për shkak të detyrës të personave të pandehur.

Veprimet e kundraligjshme janë konstatuar në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të përbërë nga të pandehurit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, të pandehurin Lefter Koka, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit.

Sipas organit të hetimit rezulton se, anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Nga ana e zyrtarëve të Autoritetit Kontraktor, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, Përgjegjësi i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, është përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimi në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

Në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” (në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k)ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura.

Sipas SPAK, kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit,  Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Kurse, në lidhje me hartimin dhe miratimin e dokumenteve standarte të koncesionit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion, partneritet publik privat”, i ndryshuar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, dokumentet Standarde të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit.

Rezulton se Dokumentet Standarde të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili jua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, të pandehurve Alba Thoma dhe Bledar Karoli. Në këtë kohë, këta dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto. Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka,është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.

Në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.

Nga aktet e administruara, thotë SPAK,  rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët. Komisioni i Dhënies së Koncesionit nuk ka përfshirë të ardhurat që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.

Nga aktet e administruara rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të pandehurit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, si dhe VKM nr.1008, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”. Në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më sipër.

Artikulli paraprakZbulimi në shkretëtirën arabe, 9000 vite më parë ishte mbuluar nga liqene dhe lumenj
Artikulli tjetërKandidatja për deputete Taulanda Jupi: Në Shqipërinë e sotme, të jesh i zakonshëm është krim