Incidenti me minatorët kinezë, politika dhe media nën censurë!

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar për situatën e krijuar në një nga minierat e kompanisë “Alb Chrome” në Bulqizë, ku 3 punonjës kinezë kanë mbetur të bllokuar në thellësitë e nëntokës dhe prej 3 ditësh nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Berisha shfaqet tejet i irrituar për situatën e krijuar, ndërsa shkruan se, “aksidentet janë fatkeqësi që ndodhin në miniera. Por kjo heshtje kriminale zyrtare dhe mediatike ndaj varrosjes për së gjalli të tri punonjësve në një minierë në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë”. Sipas Berishës “qeveria, në vend të njoftimit të përditshëm për gjendjen dhe masat, zbaton kodin e territ dhe heshtjes, ndërsa mediat, në vend të raportimit direkt nga varreza e të gjallëve për çdo zhvillim, çdo përpjekje për shpëtimin e tyre, zbatojnë kodin e diktuar nga qeveria”. Ish-Kryeministri Berisha e mbyll postimin e tij, duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim që ai e cilëson si racist, çnjerëzor dhe të turpshëm të zyrtarëve, por edhe mediave të vendit ndaj jetës së 3 qytetarëve të huaj që punojnë në dheun e Shqipërisë.

Exit mobile version