Incidenti i Robert Ndrenikës me Ramën: Kjo është dyndje e xhunglës urbane

Aktori i njohur, Robert Ndrenika ironizoi Edi Ramën gjatë prezantimit të projektit të Teatrit të Ri Kombëtar pasi nuk i dha fjalën në aktivitet, ndërsa kërkoi më shumë transparencë për mënyrën si do të ndërtohet teatri i ri.
“Kryeministri nuk na donte se kështu na kishin thënë, por rezulton se na dashka”, tha Ndrenika duke iu referuar debateve për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri.
Për sa i përket projektit të prezantuar, Ndrenika tha se është kundër metodës së ndërtimit të tij përmes Partneritetit Publik- Privat, ose ndryshe koncensionit. Ai shtoi se do donte ta njihte nga afër maketin për të parë si do të jetë skena.
“Më shqetëson Partneriteti Publik- Privat. Kjo është dyndje e xhunglës urbane. Por unë dua ta shoh në maket, për të parë nga afër si është skena dhe xhepat e saj. Ajo që na intereson ne artistëve”, deklaroi aktori i madh, një nga zërat kundër prishjes së teatrit aktual.
Para se arkitekti i teatrit të ri, Bjorke Ingles të merrte fjalën, Ndrenika kërkoi të fliste por kryeministri iu përgjigj: “Jo jo, prit shiko projektin njëherë”. Më pas aktori është ulur duke thënë se do t’a shohë projektin.

Është zhvilluar këtë të hënë në Kryeministri, prezantimi i projektit të Teatrit të ri Kombëtar, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e artistëve. Në fjalën e tij shefi i qeverisë theksoi vendosmërinë e qeverisë për të shembur teatrin ekzistues dhe ndërtimin mbi të, të një Teatri dinjitoz. Sipas shefit të qeverisë, sot Teatri Kombëtar është jashtë çdo standardi.
Por në fund të fjalës së Kryeministrit, kërkoi fjalën aktori i madh Robert Ndrenika, prezent në këtë takim. Megjithatë ka qenë vetë Kryeministri Rama që nuk e lejoi të flasë duke i kërkuar që më parë të shohë prezantimin e projektit.
“Jo jo, prit shiko projektin njëherë” citon Gazeta Shqiptare të jetë shprehur Rama pas kërkesës së aktorit për të marrë fjalën. “Mirë dakord po shoh projektin”, i është përgjigjur pa mikrofon aktori i madh.

Exit mobile version