India nuk mbështet një monedhë të përbashkët për vendet e grupit BRICS

Sipas analistëve në Nju Delhi, India nuk mbështet krijimin e një monedhe të përbashkët për organizatën BRICS të përbërë nga nëntë vende, por po përpiqet të nxisë tregtinë në monedhën e saj.

 

Siç njofton nga Nju Delhi, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anjana Pasricha, Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump, paralajmëroi rishtazi vendet e BRICS-it që të mos bëjnë përpjekje për ta zëvendësuar dollarin me një monedhë alternative.

India nuk dëshiron krijimin e një monedhe të përbashkët BRICS, një iniciativë e mundshme që është përballur me një reagim të fortë nga Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave 100% për produktet nga nëntë vendet anëtare të BRICS-it, nëse ky grup zëvendëson dollarin amerikan me një monedhë tjetër, ose mbështet një alternativë tjetër në vend të monedhës amerikane.

Analistët thonë se mosbesimi dhe dallimet ndërmjet anëtarëve kryesorë të BRICS-it, si India dhe Kina, janë një pengesë e madhe për të kaluar drejt një monedhe të përbashkët.

“India nuk e mbështet këtë iniciativë. Një monedhë e përbashkët nuk do të ndihmojë askënd; thjesht do të diktonin vendet dominuese si Kina. Pra, është shumë e vështirë të krijohet një konsensus për të patur një monedhë të përbashkët”, thotë eksperti Chintamani Mahapatra, nga Instituti Kalinga për Studimin e Indo-Paqësorit.

Grupi kryesor i BRICS-it – ku merrnin pjesë Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut – u zgjerua këtë vit me Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopinë dhe Egjiptin. Ideja e një monedhe për grupin BRICS zuri vend në vitin 2022, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë dhe tensioneve në rritje mes Perëndimit dhe Kinës.

Por aleanca e vendeve në zhvillim është shumë e larmishme për ta bërë të zbatueshme një monedhë të përbashkët.

“Nuk kemi një treg të përbashkët. Nuk kemi ndonjë politikë të përbashkët tregtare. Nuk kemi asgjë të përbashkët”, thotë për grupin BRICS eksperti Mahapatra.

Megjithatë, India dhe disa vende të tjera të BRICS-it kanë shtuar përpjekjet për të bërë tregëti në monedhat e tyre, për të ulur varësinë nga dollari amerikan.

“Janë 17 vende që janë identifikuar nga qeveria e Indisë, me të cilët India dëshiron të bëjë tregëti në monedhën rupi, ose në një monedhë dypalëshe”, thotë analisti për tregtinë Biswajit Dhar.

Ndër këto vende është edhe Rusia. Nju Delhi, i cili nuk iu bashkua sanksioneve amerikane, po paguan për importet masive të naftës ruse në monedhën rupi. Por edhe tregtia në rupi paraqet probleme.

“India ka një deficit të madh tregtar me Rusinë, që do të thotë se kur India blen shumë naftë dhe paguan në rupi, Rusia nuk di se çfarë të bëjë me sasinë e madhe të rupive që zotëron tashmë”, thotë analisti Dhar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subramanian Jaishankar, ka thënë se largimi nga dollari amerikan nuk është pjesë e politikës ekonomike të Indisë. Kjo, thonë analistët, është për shkak se interesat strategjike të Indisë janë përgjithësisht në linjë me Shtetet e Bashkuara.

Exit mobile version