Sekretari i Burimeve Njerëzore në FRPD, Indrit Hoxha, ka kallëzuar penalisht Policinë e Shtetit për dëshmi të rreme gjatë gjyqit në ngarkim të tij për protestën e 2015-ës tek bunkeri pranë Ministrisë së Brendshme. Protesta në fjalë u zhvillua më 17 shtator 2015, ndërsa gjyqi nisi më 10 shkurt 2016.
Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me 200,000 lekë gjobë, ndërsa pritet që çështja në fjalë të kalojë në Gjykatën e Apelit. Sipas Hoxhës, policia ka dhënë dëshmi të rreme para Gjykatës, pasi siç shihet edhe në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale, janë forcat e policisë që ushtrojnë dhunë ndaj tij dhe jo ai.
“Këtë javë dorëzoi kallëzimin penal për Policinë e Shtetit për dëshmi të rreme në gjyqin tim ndaj simbolit të diktaturës “Bunkerit” tek Ministria e Brendshme. Ja dhe video që vërteton se ishin policët që sulmuan dhe unë nuk bëra asnjë rezistencë e le më të kundërshtoja, dhunoja, apo për më tepër të plagosja me mjete të mprehta”, thotë Hoxha, sipas të cilit videoja ku tregohet dhuna policore ndaj tij nuk u pranua si provë në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Indrit Hoxha u dhunua dhe u arrestua nga policia e Tiranës me preteksin se nxiti dhunë gjatë kësaj proteste ndërsa, u akuzua edhe për prishje të pronës publike.
Sekretari i Burimeve Njerëzore në FRPD shprehet edhe një herë se, ky bunker është një ndërtim pa leje dhe nuk duhet të jetë aty ku qëndron edhe sot si “bunker-muze”.